Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, shprehet se është në detyrë deri ditën që kryetari i ri i bashkisë do të bëjë betimin.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Ademi e cilëson ilegjitime mbledhjen konsituuese të Këshillit Bashkiak, që do të zhvillohet sot, por dhe mundësinë që prej këtij Këshilli të zgjidhet një nënkryetar që të drejtojë këtë bashki.
Valdrin Pjetri dha dorëheqjen për t’u angazhuar në betejën ligjore për pastërtinë e figurës së tij. Kur u njohët me dosjen e tij penale? Kishit dijeni gjatë fushatës për këtë fakt?
Me dosjen penale të tij, si të gjithë shqiptarët e tjerë, jam njohur në momentin kur Partia Demokratike e publikoi në konferencën për shtyp të z. Gazment Bardhi, sekretar i përgjithshëm. Ka qenë data 2 gusht. Sinjali i parë, në fakt, u dha më përpara, në një takim me strukturat në Shkodër, ku kryetari Basha, menjëherë pas 30 qershorit, u shpreh se “po bëjmë verifikimet e duhura për të shkuarën e kandidatit për Bashkinë e Shkodrës”. Që nga ai moment, kam marrë mesazhe pa fund, sidomos nga shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë, nga prindër e familje.
Ditën e hënë është lajmëruar nga prefekti i Shkodrës mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak për konstituimin e tij. Burime thonë se në mbledhjen e parë të tij, pas konstituimit, do të konstatohet mbarimi i mandatit tuaj. Ju si do të veproni?
Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe dita e hënë është një ditë e zakonshme pune për mua dhe administratën e Bashkisë Shkodër. Farsa e 30 qershorit pati një fund të turpshëm në Shkodër, në fakt ashtu siç pritej dhe siç e meritonte një proces monist. Legjitimiteti i çdo organi të dalë nga farsë-votimet e 30 qershorit, është i dyshimtë, i cunguar. Për këtë nuk ka më asnjë dyshim dhe e kanë sqaruar personalitete të jurisprudencës, konstitucionalistë, raporti paraprak i OSBE/ODIHR, diplomatë etj. Por siç themi ne në Shkodër, ajo që u konstatua me Shkodrën “i vuri kapak”. Nga ana tjetër, nisur nga precedentë, KQZ-ja dhe Prokuroria do të duhej të nisnin një verifikim urgjent për të gjithë kandidatët e tjerë të Partisë Socialiste në bashki dhe listat e këshilltarëve në të gjitha bashkitë, lidhur me të shkuarën e tyre apo zbatimin e kritereve të dekriminalizimit. Mbledhja e thirrur nga prefekti i Shkodrës është qartësisht antiligjore. Ajo është thirrur jashtë afateve që përcakton ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Neni 48 i këtij ligji e përcakton qartë se Këshilli e zhvillon mbledhjen e tij jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent. Mbledhja thirret jo më vonë se 20 ditë nga sekretari i Këshillit dhe në mungesë të tij, nga prefekti, afat i cili ka përfunduar në datën 16 gusht 2019. Siç dihet botërisht, KQZja nuk kishte kuorum për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë. PS-ja e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor, dhe ky i fundit në datën 26 korrik përfundoi të ashtuquajturin proces dhe mori përsipër shpërndarjen e mandateve për të gjithë këshillat në të gjithë bashkitë e vendit. Me një përllogaritje të thjeshtë, nga data 26 korrik deri me 19 gusht, janë më shumë se 20 ditë. Pra, mbledhja e ditës së hënë, datë 19 gusht 2019, është thirrur nga prefekti përtej afateve, në shkelje të ligjit. Duke iu kthyer shpërndarjes së mandateve të këshillave nga Kolegji Zgjedhor, ka një histori tjetër paligjshmërie. Është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor. Në asnjë ligj dhe në asnjë nen, Kolegjit Zgjedhor nuk i jepet e drejta të shpërndajë mandatet për të zgjedhurit për organet e pushtetit vendor. Por nuk po zgjatem, sepse siç e kam paralajmëruar, kjo do të jetë një tjetër çështje që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, pas një ankimimi që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka përgatitur dhe do ta depozitojë, ashtu siç bëmë me ankimimin e parë, për të cilin besoj se jeni në dijeni. Meqenëse ju keni interes, sepse unë e kam përsëritur disa herë këto kohë, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Ligjin funksional nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, një nga parimet e këtij ligji, është parimi i vazhdimësisë në pushtetin lokal. Neni 60, pika 4, përcakton se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Edhe ligji që citova më lart, përtej aspektit formal të interpretimit të vlefshëm të mandatit, është ligji funksional, që rregullon ushtrimin e funksionit të kryetarit në detyrë, dhe i njëjti parim ruhet edhe për këshillin vendor, deri në momentin kur përkatësisht kryetar dhe këshilli i ri që janë zgjedhur në një proces të rregullt dhe legjitim, bëjnë betimin.
Edhe në bashkitë e tjera të djathta u lajmërua se nuk do të lejoheshin kryebashkiakët e rinj që të shkelnin në zyrë, por të gjithë kanë nisur nga puna. Ju si do të veproni?
Që në ditën e parë të punës sime, unë kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Ky ka qenë parimi im, të cilit do t’i përmbahem në çdo hap të punës sime. Shqiptarët e panë me sytë e tyre farsën e 30 qershorit, zgjedhjet moniste-socialiste që u rikthyen në këtë vend pas 30 viteve. Kam depozituar ankimimet për të gjithë procesin në Gjykatën Kushtetuese, kam depozituar paditë në Prokurori, e bindur se zgjidhja për këtë vend do të vijë vetëm përmes drejtësisë e zbatimit të ligjit. Përsëri do të vazhdoj të zbatoj ligjin, vullnetin e shkodranëve dhe detyrimet që burojnë prej tyre. Do të vazhdoj të punoj deri në momentin që zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës të realizohen, e unë shpresoj të bëhen sa më shpejt.
Mandati juaj ligjor ka mbaruar në fund të korrikut, ndërkohë që Presidenti Meta ka dekretuar 13 tetorin si ditën për zgjedhjet e përgjithshme lokale dhe jo të pjesshme, siç është Shkodra. Si zgjidhet ky ngërç sipas jush?
Ushtrimi i funksionit është një detyrim ligjor dhe përgjegjësi nga ana tjetër, deri në momentin që duhet të kemi, medoemos, e sa më shpejt, zgjedhje legjitime për pushtetin vendor. Pas asaj çfarë ndodhi në Shkodër më 30 qershor, shkodranëve duhet t’u jepet sa më shpejt e drejta kushtetuese për të zgjedhur drejtuesit, organet e veta të qeverisjes vendore. “Ngërçi”, siç e quani ju, zgjidhet thjesht: Jepini mundësi shkodranëve, por edhe shqiptarëve, të votojnë të lirë, t’u garantohet vota e tyre, me alternativë, në garë të ndershme e të barabartë.
Do ta njihni ju drejtimin e Bashkisë së Shkodrës përmes një nënkryetari që pritet ta zgjedhë Këshilli i ri Bashkiak?
Unë e sqarova edhe më sipër. Një Këshill Bashkiak ilegjitim, pa zgjedhje kushtetuese, në një mbledhje antikushtetuese, e thirrur jashtë afateve ligjore, me rend dite jo sipas përcaktimit ligjor, nuk mundet të uzurpojë institucionin e bashkisë, nuk mund të tjetërsojë në asnjë rast vullnetin që shkodranët kërkojnë ta ushtrojnë përmes zgjedhjes së rregullt, të shprehur me votë të drejtpërdrejtë. Nuk ka asnjë rrethanë, asnjë mundësi ligjore që një Këshill i tillë, të marrë vendime të asaj natyre që thoni ju. Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” e përcakton agjendën e mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak. Mund t’í referoheni lehtësisht leximit të Nenit 48, në pikën 6. Ky nen nuk lë shteg për interpretime. Nëse një Kkëshill ilegjitim, kërkon të shkelë me “kreativitet” ligjin, që në minutën e parë, nën shembullin e KQZ-së, siç cilësoi raporti i OSBE/ODIHR, duhet ta parashikojmë edhe reagimin e ligjshëm të qytetarëve shkodranë dhe të të gjithë shqiptarëve.
Në reagimin e degës së PD-së Shkodër, i bëhet apel Kryeministrit Rama që të “mos e shndërrojë kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë”. Çfarë paralajmërohet me këtë thirrje?
Kjo qeveri uzurpatore e çdo pushteti në vend, e zhytur në krim, po kërkon të uzurpojë politikisht Shkodrën. Është e njëjta sjellje që etërit politikë e biologjikë të kompanisë së krimit “Rama”, i rezervuan Shkodrës nga 1945-a deri në 1990-ën. Shkodranët e refuzuan masivisht me 30 qershor, një 6%-ësh i marrë përmes trysnisë për vendin e punës e bukën e gojës së rrogëtarëve të shtetit, një braktisje edhe nga vetë socialistët, i treguan Edi Ramës se Shkodra vazhdon të jetë “kështjella e parë” në rikthimin e vlerave demokratike në standardet perëndimore. Ne kemi informacione se qeveria po përgatit një skenar të frikshëm, asfiksues për Shkodrën. Është detyra jonë ta parandalojmë, ta mbrojmë Shkodrën tonë përballë një sulmi barbar, të paprecedent.
/gazeta “Panorama“/