Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka treguar se po niset për në Hagë, ku do të intervistohet si i dyshuar nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshir njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.
Postimi i plotë
Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën! Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë! RH.