Një jetë në internim, burg, internim. Njeriu, i cili që në moshën 8 vjeçare u cilësua “armik”, e kaloi gjithë jetën e tij si i tillë. Kurt Kola, simboli i vuajtjeve që shkaktoi regjimi komunist shqiptar, vjen me një rrëfim të jetës së tij në “Shqipërinë burg” siç e quan ai që në titull. Libri i botuar nga UET-Press “Në Shqipërinë burg” vjen si një rrëfim për vuajtjen, për lirinë dhe forcën njerëzorëe. Kurt Kola u lind në Mat, më 6 Maj 1937. Pasi i ati, Bilal Kola, një prej përfaqësuesve të lartë të partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili kishte strehuar dhe bashkëpunuar me misionarët ushtarakë Britanik, në Shqipëri, gjatë Luftës së II-të Botërore, nuk iu dorëzua komunisteve, këta te fundit internuan familjen e tij, në Maj 1945, së bashku me Kurtin, atëherë fëmijë veçse 8 vjeçar. Kalvari i Kurt Kolës fillon në 1945 dhe përfundon në 10 Janar 1991, kalvar, i cili qe alternuar internim – burg dhe burg – internim. Kurti ka botuar disa libra letrarë me poezi “Ëndrra Burgu” dhe dy romane sërish me tematikë jetën e tij si i përndjekur politik, por këtë herë vjen me një autobiografi, historinë e tij dhe të familjes. “Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht me dorën e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9 vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”, shkruan ndër të tjera Romeo Gurakuqi në parathënien e këtij libri.
Një nga momentet më prekëse që tregon ashpërsinë e regjimit komunist që në ditët e para të tij është arrestimi i tij i parë kur ishte vetëm një fëmijë. Ishte viti 1945, kur Kurti ishte vetëm 8 vjeç, dhe partizanët me armë në krahë futen në klasë dhe e arrestojnë. Ajo ishte dita kur nis kalvari i internimeve….
Pjese nga libri;
“Mësuesi, i befasuar, u zverdh e ngriu në vend. Ne, të gjithë të ngritur në këmbë, duke parë herë mësuesin e herë partizanët. Heshtje e rëndë! Një hije frike derdhej në klasë dhe lexohej në fytyrat e fëmijëve. Hyrja e dy partizanëve të armatosur në klasë na terrorizoi. – Uluni! – dëgjuam një zë të mekur, sikur vinte nga gryka e ndonjë shpelle. Ishte zëri i mësuesit dhe ne u ulëm. Tani prisnim një urdhër tjetër. Urdhër arresti! Sigurisht, mësuesi… ai ishte shumë i trembur! Kishte kryer Akademinë Ushtarake në Itali dhe kaq mjaftonte që komunistët ta dënonin si armik. – Kërkojmë një nxënës! – iu drejtua mësuesit njëri nga partizanët. Mësuesi ndryshoi sakaq pamjen. Gjaku i vërshoi në fytyrën e zverdhur dhe u ringjall. – Si quhet? – kumboi zëri origjinal, tashmë, i mësuesit. Këtë herë laringu i tij ishte hapur, krejt si kur na shpjegonte mësimin. Qe plotësisht i çliruar nga makthi, që krijuan mysafirët e beftë! – Kurt Kola, – tha partizani me vështrimin mbi nxënësit. U ngrita pa i lënë kohë mësuesit të flasë. – Unë jam! Do të vish me ne, kemi urdhër! – foli gjithnjë i njëjti partizan. Teksa po fusja libra e fletore në çantë, shokët e klasës u vunë në radhë për të më takuar. Diçka instinktive i shtyu bashkëmoshatarët e mi të bënin këtë ndarje, si ta parandienin se jeta do të na shkëpuste përgjithmonë e nuk do të shiheshim më! Qenë përqafime të pastra si ata! Dikush edhe qau; disa më mbanin nga rrobat: mos ik! mos ik! Por fati im nuk varej nga dëshira e tyre, as nga e imja; bijtë e dreqit e kishin në dorë! Po ndahemi edhe bashkë, por jo përgjithmonë! Je veçse një fëmijë, por, unë sot po ndahem me një burrë! – më foli mësuesi, duke i dhënë fuqi emocionale fjalës “burrë” dhe duke u larguar shpejt e pa kthyer kryet nga unë, për të fshehur lotët nga partizanët.
– Pse më morët nga shkolla? Do na internojnë?! Dy partizanët ndaluan në vend, duke vështruar njëri-tjetrin me habi. Unë vazhdova rrugën, pa ndalur. – Nga të erdhi kjo pyetje!? – mu drejtua partizani që më pati thirrur në emër. Unë nuk i dhashë përgjigje, por e pashë drejt e në sy. Ai e përsëriti pyetjen dhe më bëri vërejtje për mënyrën time të shikimit. – Shtëpia jonë, – fola, – ditë e natë është e rrethuar me ushtarë. Ju pashë me vëmendje, por ju nuk jeni asnjëri prej tyre. Ti je shumë i vogël, nga e di fjalën internim? – Dëgjova nënën ta thotë. Kur u kthye nga burgu i kishin thënë se do të na internojnë. Partizanët panë njëri-tjetrin në sy, por nuk folën. Arritëm në oborrin e shtëpisë, i cili qe mbushur me partizanë. Shkova me vrap tek nëna, që atë çast po debatonte me një oficer policie. Rrëmujë! Hynin e dilnin ushtarë me rroba në krahë, të cilat i lëshonin në oborr. Krejt familjen, trembëdhjetë vetë, gra e fëmijë, i kishin nxjerrë përjashta. Oficeri kish dhënë urdhër që familja të nisej në këmbë.