Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka marrë pjesë në një seancë pune pyetje-përgjigje në Komisionin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve dhe të Senatit italian, bashkë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi e deputeten Mimi Kodheli.
Balla bën me dije se të gjitha grupet politike në Parlamentin italian mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE dhe Shqipërisë.
“Natyrisht si miq të Shqipërisë deputetët italianë shprehën shqetësim për pamjet e protestave të dhunshme të opozitës që qarkullojnë në median italiane këto javë, shpeshherë edhe të sponsorizuara nga opozita shqiptare, që rrezikojnë të frenojnë turistët dhe investitorët italianë. Në përgjigje theksova se e vetmja arësye që ne mund të japim për këto akte dhune të inspiruara nga lidershipi i opozitës, është frika më e madhe e opozitës nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingut, pasi drejtësia e re e pavarur që po krijohet nuk do të pyesë se kush je, apo çfarë pozicioni politik ke. Aspak nuk janë të rastësishme protesta në të njëjtën ditë dhe orë, në disa vende të Ballkanit Perëndimor, sikurse dyshimet për financime të dyshimta me të partive të ndryshme politike në këto vende. Por për ne ka vetëm një plan A, s’ka plan B: vetëm integrimi në Bashkimin Europian, që ka mbështetjen e 95% të shqiptarëve dhe se në këtë aspiratë tonën historike, mbështetja e Italisë është e pazëvendësueshme. Qëndrimi i SHBA dhe i BE është i qartë: sjellja e opozitës është demokratikisht e papërgjegjshme, si dhe institucionalisht e ndërkombëtarisht e papranueshme. Opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për shkak të përgjegjësisë së saj ndaj elektoratit, por nëse eventualisht vendosë të mos marrë pjesë, bojkoti i saj nuk dëmton cilësinë e zgjedhjeve. Për SHBA-të, ashtu si edhe për Europën, thellimi i kursit të reformave që afrojnë vendin tonë më pranë BE-së është shumë më e rëndësishme se rruga e bojkotit e zgjedhur nga opozita”,- ka theksuar ai.