Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli është shprehur Serbia i ka thyer të gjitha rregullat në Samitin Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke bërë thirrje shoviniste kundër Kosovës.
Në një konferencë për shtyp, Pacolli i kërkoi BE të reagojë mbi ngjarjen e sotme dhe ta “disiplinojë” Serbinë.
Sipas tij provokimet e Serbisë ndaj Kosovës në samitin ku u nënshkrua marrëveshja e Roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor, bëjnë që Kosova të mos bëjnë më pjesë në konferenca të këtij lloji.
“Serbia ka thyer secilën marrëveshje për të cilat ka rënë dakord vet. Sot Serbia ka thyer çdo rregull protokollar gjatë mbajtjes së panelit të ministrave të Ballkanit Perëndimor, i moderuar nga sekretarja e përgjithshme e RCC (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), Majlinda Bregu.
Ftojmë Bashkimin Evropian ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe Kosova nuk mund të jetë e pranishme në konferenca të këtij lloji. E ftojmë BE-në të sqarojë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve të cilat i ndodhin Kosovës”, tha ministri i jashtëm.