Nga Mesila Doda
Shteti fqinj, Greqia, ka një president të moshuar Pavloupulos. Nisur nga mosha mendohet se din edhe të vetëpërmbahet, kur lëshon deklarata të mira a të këqija qofshin, por ja që presidenti plak i shtetit fqinj ka qëlluar pa fre e vetëkontroll kur flet për marrëdhënien me shtetin fqinj Shqipërinë. Është hera e disatë që kjo mendje e gojë e pakontrolluar, lëshon akuzën e radhës ndaj shqiptarëve të Çamërisë e bashkë me të dhe kërcënimin ndaj shtetit shqiptar… ata (çamët) janë vërtetuar si bashkëpunëtorë të nazizmit, ndaj nëse Shqipëria hap gojën për të kërkuar të drejtën e kësaj popullate të vrarë, të prerë, të dëbuar, të shpronësuar, të shpërngulur me dhunë… Shqipëria do e ketë pisk me integrimin. Është e disata herë brenda këtij viti që presidenti grek, ky individ i lidhur ngushtë me qarqet antishqiptare të Vorio Epirit thirrjet e të cilit ngjajnë si dy pika uji me ato të përfaqësuesve të Agimit të Artë në Parlamentin grek e në Bruksel kërcënon Shqipërinë me bllokimin e integrimit nëse përmendet ende çështja Çame dhe nuk avancojnë të ashtuquajturat të drejta të minoritetit grek në Shqipëri, të drejta të cilat meritojnë një analizë më vete. E bëri këtë deklaratë nga Athina dhe Tirana zyrtare heshti, e bëri nga Paramithia aty ku filloi masakra mbi shqiptarët e Çamërisë, dhe Tirana zyrtare prapë heshti, e ribëri deklaratën e turpshme i trimëruar nga heshtja e shtetit shqiptar, nga Konica ku festonte vitin 1913 ndarjen e trojeve shqiptare, e ribëri nga Mali i Zi… përsëri heshtje, dhe dje nga festa e Greqisë ripërsëriti refrenin marrok, e përsëri dinjitarët shqiptarë fshehën kokën si struci në rërë e i pllakosi përsëri e njëjta heshtje …
Le të marrim me radhë shkeljet e shtetarit të lartë e mendjevogël grek e më pas të kuptojmë reagimin e politikës shqiptare.
Më së pari, plaku grek pohon se është fakt i njohur historik që popullsia çame bashkëpunoi me nazizmin. Pyetja më e natyrshme është? Ku dhe si u vërtetua ky fakt? Kur nisi ky debat historik për rolin e popullsisë Çame? Kush e vendosi? A e fituan luftën në Greqi partizanët apo ato që bashkëpunuan me pushtuesin, që me logjikën e rrjedhur paskan dëbuar disa bashkëpunëtorë të tjerë që duhet t’i kishin patur aleatë??? Pikërisht për këtë arsye PDIU si forcë që ka në linjën e saj Çështjen kombëtare e veçanërisht çështjen Çame, kërkoi zyrtarisht nga shteti shqiptar hapjen me Greqinë të një debati me historiane për masakrat e Çamërisë, për t’i dhënë fund maskaradës ku kriminelet bërtasin duke fajësuar viktimat, kërkoi një komision parlamentar ku të depozitoheshin zyrtarisht dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë .. por në vend të tyre nga shteti shqiptar u ngritën Komisione mikse për te rishikuar emrin Çamëri në librat shkollorë shqiptarë, u ngritën Varrezat imagjinare për të rënët për Vorio-Epirin e iu dha statusi i varrezave historike, status i cili detyron shtetin shqiptar të kryejë një ceremonial shtetëror e të nderojë pushtuesin si hero. Ende deri më sot nuk ka asnjë faqe e asnjë fakt të bashkëpunimit të shqiptarëve të Çamërisë me pushtuesin por ka mijëra dokumenta e foto se si shtetarët e lartë grekë të kohës, kryeministra e ministra bashkëpunonin me krerët më të lartë të nazizmit e do të mjaftonte vetëm ky fakt që përgjigjja ndaj shtetarit të lartë e mendjevogël nga autoritetet shqiptare të kish qenë tejet, tejet e thjeshtë…
Ndërkohë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili është përfaqësues i unitetit të popullit pa treguar tone agresive si Presidenti fqinj po me të njëjtën kurajo që pati dikur në vitin 2000, do duhej të mbronte një pjesë të popullit të tij që po akuzohet padrejtësisht si bashkëpunëtore me nazizmin. Do duhej t’i rikujtonte të drejtat europiane për popullsitë e shpërngulura dhe të drejtat e njeriut të nëpërkëmbura. Dhe ky është pozicion moral përballë një homologu që fyen dhe etiketon 200.000 shqiptarë.
Akoma më i turpshëm qëndrimi i Kryeministrit dhe ministrit te Jashtëm në detyrë. U kuptua që një erë e re do duhej të stabilizohej me shtetin fqinj kur çështja çame u zhduk papritmas nga programi i qeverisë, kur u sulmua pabesisht PDIU me qëllim që Çështja Çame të mos kishte zë në parlament me gjithë 76.000 votat që e rendisnin si partinë e 4 në vend, madje kur u pranua me zë dhe figurë nga kryeministri që tonet e larta për çështjen Çame ishin përdorur për t’u ulur në bisedime me shtetin fqinj dhe kjo është as më shumë e as me pak, tradhtia e radhës që shteti shqiptar bën ndaj Çamërisë që e përdor mish për top sa herë fqinji i rrezikon pushtetin.
Politika shqiptare hesht si fija e barit sa herë shteti fqinj flet për shqiptarët e Çamërisë dhe ky tashmë është bërë një zakon i keq frikacakësh e servilësh duke harruar se ka një Kushtetutë që kërkon respektimin e të drejtave të popullit shqiptar kudo ku jeton dhe një Rezolutë Parlamentare që detyron autoritetet të ngrenë çështjen Çame dhe ta trajtojnë si përparësi për zgjidhje në çdo rast me shtetin fqinj.
Autoritetet e shtetit fqinjë flasin për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, i cili sot feston me flamur grek e me gjuhë zyrtare festat kombëtare të fqinjëve… një standard i tillë është i paimagjinueshëm për shqiptarët e Greqisë ku nuk njihet ende asnjë pakicë kombëtare duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e pakicave të siguruara nga Konventa Europiane e duke u vetëdeklaruar shtet etnikisht i pastër… asnjë përgjigje më e mirë për këtë rast se ajo e presidentit Vaclav Havel “një shtet etnikisht i pastër është më i rrezikshëm se komunizmi…”.
Për të përmbyllur këtë shkrim më duhet të ritheksoj se askush nuk kërkon të marrim pushkët e të shtijmë ndaj fqinjit, por të vërtetat e tragjeditë njerëzore nuk mundet të varrosen nga frika juaj sepse është detyrë e çdo shtetari shqiptar të respektojë moralisht e ligjërisht persekutimin e popullit të tij.
Deklaratat me xhamadanë e flamuj kuqezi shërbejnë pak. Jemi mësuar me ata që kërkojnë votë kuqezi e të nesërmen gdhihen internacionalistë për t’u ngrysur përsëri nën flamurin kombëtar sa herë ju duhet. Për të zgjidhur dramat e mëdha të së kaluarës duhen shqiptarë të mirë që nuk kanë frikë nga të vërtetat dhe mendje të qarta për të përdorur mekanizmat që Europa përdor në rastet e akteve të tilla gjenocidale. Herët a vonë fqinjët do e pranojnë padrejtësinë dhe krimin shtetëror të kryer. Ashtu si në rastin e pranimit të emrit të Maqedonisë edhe këtu do dorëzohen përballë historisë. Është vetëm çështje kohe!!! Ndërsa shtetarët tanë kanë detyrimin të flasin, të flasin e të flasin akoma e të mos kenë frikë. Kaq duhet të bëjnë dinjitarët e heshtur të shtetit shqiptar. Sa për ne të tjerët, që kemi në zemër çështjen kombëtare e që e konsiderojmë Çamërinë çështje jetike të kësaj kauze, mund t’ju themi vetëm një fjali që shteti fqinj e njeh mirë: “Ne do të lodhemi të fundit”.
/mapo.al/