Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka reaguar ashpër, sepse një tjetër mjek i Urgjencës është dhunuar në detyrë. Ngjarja ka ndodhur ndaj mjekut roje me inicialet G.S. në Urgjencën e Spitalit Infektiv.
Por, autorit deri tani nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.
Reagimi i plotë i QSUT:
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar të dielën në mesditë nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv.
Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente.
Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.
Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar mbrëmë ndaj mjekut infeksionist dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar.
Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.