Albana Vokshi komenton ndryshimet në qeveri duke theksuar se shkarkimet dhe emërimet e reja nuk vlejnë pasi duhet largimi i atij që ajo e quan përgjegjës për shkatërrimin e arsimit dhe kulturës në vend, Edi Ramës.
Vokshi shkruan:
Shkarkimi, i ministreve Lindita Nikolla dhe Mirela Kumbaro, nga Kryeministri Rama është tregues i dështimit të qeverisë së tij në të gjitha çështjet e arsimit dhe të kulturës, si edhe konfirmim se kauzat e opozitës në këto dy fusha kanë qenë të drejta.
Emërimi i zëvëndësministres Besa Shahini në postin e Ministres së Arsimit, nuk është zgjidhje, pasi znj. Shahini është pjesë e dështimit të kësaj Ministrie nga 2017 e në vazhdim. Emërimi i artitektes Elva Margariti në postin e Ministres së Kulturës, të vetmin kontribut për kulturën ka “avokatinë” për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Për fat të keq, këto emërime janë tregues se dështimet në këta dy sektorë do të vijojnë.
Problemet e arsimit dhe kulturës nuk mund të zgjidhen më me shkarkimin e ministreve, por me largimin një orë e më parë të kryepërgjegjësit për shkatërrimin e arsimit dhe kulturës në vend, Edi Ramës!