Gjithmonë kam pasur respekt për emrin Kadri.
Nuk di pse në imagjinatën time të fëmijërisë, mesa duket ndryshe nga kryeministri, Kadrinjtë i kam përfytyruar të gjithë, jo vetëm punëtorë dhe njerëz seriozë, por dhe hunderra dhe kam thënë me vete “respekte”: çfarë ka vitrina tregon magazina. Imagjinata ime mbrëmë u vërtetua.
U bë dy rreth dy javë që nuk po dëgjojmë më për Kadriun, personazhin e shpikur nga kryeministri që e gjeti aq kollaj në “llumin” mediatik, një pjesë e këtij “llumi” që në fakt dje e bëri të anullojë tenderin e Unazës së Re.
Prita me kërshëri të dëgjoja ndonjë video-përgjigje të re nga kryeministri për Kadriun, Kadrinjtë, po hiç. Mbrëmë mësova nga disa miqtë e mi zyrtarë, për hir të së vërtetës jo të lartë në New York, se FBI në mos ka filluar, do të fillojë një hetim të thellë për këtë tender, që përveçse një krim korrupsioni shqiptar, është dhe një krim federal amerikan.
Reagimi parë që më erdhi në mendje instiktivisht ishte: mos nuk ka më Kadri në Shqipëri: nuk do ketë më video argëtuese 10 minutëshe nga sedilja e mbrapme e makinës, nuk do argëtohemi më dhe mua nuk do më duhen orë të tëra t’i shpjegoj djalit tim kush është Kadriu.
Dje, Kadriu pushoi së ekzituari si personazh-fenomën në Shqipëri, Kadriu mori Green Card dhe nga gazetar shqiptar “llum kazani” është shndërruar në Kadri amerikan i FBI-së.
Tani, nëqoftëse neve do të na duhet të bëjmë ndonjë video-përgjigje në facebook nuk do e kemi dhe aq të vështirë ta gjejmë jo Kadriun, respekte, si gjithmonë, po Karakatinat….
Shumë e lehtë është tashmë….
Karakatina e parë është Prokurorja e Përgjithshme, që nuk ia bëri syri tërr të zgjidhej duke shkelur Kushtetutën. Po ku je o Karakatinë? Po çfarë pret o prokurore, pas asaj që ndodhi mbrëmë te “kadrinjtë” e Ekspozuar? Pret sa të manipulojnë provat apo sa të miratohet ligji për shpifjen në Janar? Mos harro o prokurore ke dhe Kadriun e FBI-së pas qafe.
Po pse Ministrja e Arsimit nuk ju duket Karakatinë që në kulm të protestës thotë “mezi e kemi pritur këtë ditë që të ulemi me studentët”?
Po pse Kryeministri, pash zotin Kadri ju duket kur nxjerr si përgjigje për studentët në protestë një projekt 3D të qytetit studenti? Pashë Zotin kujt ia bën goja ndonjë mashkulli a qoftë ndonjë femre, daç Shqipëri a daç në Turqi ta quajë Kadri? Bah, s’ta bën goja. Maksimumi Karakatinë.
Po pse më pash Zotin a jua bën goja daç femër a daç mashkull të jesh të quash ndonjë nga ministrat e qeverisë Rama, Kadri?
Kë? Se nuk dua t’i marr një për një, po bëjeni testin vetë dhe po arritët t’i thoni ndonjërit Kadri me plot gojën ma vini sëpatën në qafë….
Po pse më a quhet dot Lali Eri…. Kadri… provoni të lidhni fytyrën me veprën, fjalën, mashtrimet… dhe pastaj të shqiptoni emrin Kadri në vend të emrit “Erjon” …provoni…
PS: I dashur stër stërgjyshi im me emrin Kadri… E di që gjithë kto kohë ke vuajtur me talljen që i bënë emrit tënd… unë hakun ta mora aq sa munda: po rri fare i qetë dhe përgjithmonë: tashmë në dhjetor 2018, jo vetëm studentët po i gjithë populli është Kadri.