Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU-së, deklaroi në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja se kjo parti do të ngrejë padi për çështjen e fondeve greke, të cilat, sipas saj, kanë pasur si qëllim “blerjen e politikanëve dhe politikave”.
“Fondet kërkojnë blerjen e politikanëve dhe politikave. Për këtë arsye duhen hetuar. I kemi kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë dhe tha se nuk ka tagër. Tani do të depozitojmë të gjitha aktet për të nisur një hetim në Prokurorinë e Tiranës. Do të ngremë padi edhe për çdo lajm të rremë që tenton të manipulojë këtë çështje të një rëndësie kombëtare”, tha Doda.
Në lidhje me ndryshimin e miljeve detare nga ana e Greqisë, Doda u shpreh se qeveria jonë ka bërë një marrëveshje ku nuk fiton asgjë.
“Ndryshimi i miljeve nga 6 deri në 12 nuk e dimë se çfarë do të thotë. Deklarata e Kotziasit thotë shprehimisht se do të zgjerohet zona ekskluzive ekonomike. Deshën varret e të rënëve dhe i morën, bënë marrëveshjen e toponimeve, kemi një marrëveshje për minoritetet, kurse shteti shqiptar nuk ka marrë gjë. E quaj tentativë për një marrëveshje jo të barabartë dhe në mungesë të plotë të institucioneve”, u shpreh Mesila Doda.
Në studion e “Top Talk”, Mesila Doda theksoi se qeveritë shqiptare janë të “kompleksuara” që të bisedojnë për Çështjen Çame.
“Komisioneri Hahn foli para dy vitesh, kur ne ishim në mazhorancë dhe tha se në agjendën e bisedimeve do të flitej për detin, minoritetet dhe Çështjen Çame. Por, nuk u diskutua Çështja Çame. Ka një tendencë për ta hequr nga të gjitha agjendat. Qeveritë janë të kompleksuara për këtë çështje. Është sakrificë për të mbajtur pushtetin e ditës nga politikanët shqiptarë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së.
Doda: Qeveritë shqiptare, të “kompleksuara” për çështjen çame