Teksa priste të jepet masa e sigurisë ndaj mjekëve të arrestuar në Shkodër, pasi akuzohen për shkelje të ligjit në lidhje me tenderat e ilaçeve dhe korrupsion, në përkrahje të tyre kanë shkuar kolegë të tyre por edhe pacientë, të cilët kërkojnë të lirohen.
Një ndër ta është edhe Andrea Rajka, pacient i Edi Smajlit, i sëmurë me zemër.
Në një prononcim për FaxNews, Rajka shprehet se pas arrestimit të mjekut Edi Smajli i rrezikohet jeta, pasi ai është i sëmurë me zemër.
“Jam pacient i Edi Smajlit që vuaj me zemër. Shkoj për tu vizituar dhe nuk e gjej në punë, më thonë ka shku te gjykata, kur shkoj atje i shoh mjekët me pranga. (…) Unë rrezikoj jetën nga mungesa e shërbimit”, – tha Andrea Rajka, ndërsa shtoi se është i kënaqur nga shërbimi i mjekëve, për 10 vitet që ka marrë shërbimin në këtë spital.
Burime thanë për FaxWeb se në vetëm 3 ditë janë pezulluar 6 ndërhyrje kirurgjikale në zemër në repartin e hemodinamikës.
Kujtojmë se një grup bluzash të bardha prej mëngjesit janë mbledhur pranë gjykatës në pritje të rivlerësimit të masës së sigurisë për mjekët e arrestuar.
Ditë më parë ndaj tyre u dha masa arrest me burg dhe pezullim nga detyra për Përparim Çela, kirurg i njohur, Luan Dragusha, farmacistja Karmen Kaculini dhe infermeririn Renato Kepi.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim Edi Smajli dhe Dhurata Uruçi, ndërsa tre anëtare të Komisionit të marrjes në dorëzim Amanda Matlija, Juliana Zhuri dhe Albana Mehmetaj janë lënë në “arrest shtëpie”.