Nga Klodian Tomorri
Më kujtohen shumë mirë daljet publike të deputetëve socialistë, kur ishin në opozitë, sa herë që në minierën e Bulqizës ndodhte aksident. Me tone të ndjera për minatorët që humbnin jetën, por tone zemërimi ndaj qeverisë së Sali Berishës ata kërkonin drejtësi. Dhe bënin mirë.
Atëherë disa nga ata deputetë i kam ndihmuar edhe vetë me materiale dhe dokumenta që tregonin se si ishin favorizuar investitorët në kurriz të punonjësve. Se si bizneset që shfrytëzonin minierat privatizonin fitimet e pasurisë publike, por nuk respektonin planin e detyrueshëm të investimeve as për minierën as për kushtet e sigurisë në punë.
Kohët ndryshuan për të gjithë, por në kahe të kundërta. Për deputetët socialistë ndryshuan për mirë. Ata u bënë ministra, shtinë duart në pasuritë e vendit. Për minatorët, ndryshuan për keq.
Në 6 muajt e fundit, në minierat e Bulqizës kanë ndodhur aksidente thuajse çdo javë më një ritëm të paprecedentë ndonjëherë më parë. Por, tonet e deputetëve socialistë nuk janë më të ndjera dhe as të zemëruara. Ato janë bërë të heshtura. Deri diku kjo është e kuptueshme. Ky është ai rasti, kur hesht njeriu, por flet paraja.
Ajo që nuk kuptoj dot është heshtja e opozitës. Pse nuk flet opozita? Jo me tone të ndjera dhe të zemëruara si socialistët dikur, se ndoshta është shumë, por të paktën të pyesë: “Pse vriten minatorët?”. Por, me sa duket opozita nuk flet dot. Arsyen nuk e dimë, por nuk e kemi të vështirë ta marrim me mend. Kur flet paraja, njerëzit heshtin.
John Adams dikur tha: “Kur pushteti ekonomik përqëndrohet në pak duar, atëherë edhe pushteti politik shkon pikërisht tek ato duar.”