Nga Armand Plaka
Edhe pse ka ulje-ngritjet, ngjyrimet apo karakteristikat e veta, më duket përpjekje e kotë të trajtosh temën “kulti i individit” tek Enver Hoxha, pasi nuk do përbënte ndonjë risi e as do ishte e vështirë të gjeje dëshmi e vepra që e mbulojnë këtë pretendim përgjatë gjithë “mbretërimit” të tij si kreu absolut i shtetit shqiptar për një periudhë 40-vjeçare.
Po ashtu, mendoj se nuk do ishte e vështirë të shkruaje për këtë temë edhe për periudhën e Ahmet Zogut si monark i shqiptarëve (1928-1939), ku vjersha, këngë e madje marshe luftarake mund të gjendeshin lehtësisht, nëse do gërmoje sot në botimet e viteve ’30 të shekullit të shkuar.
Por ia vlen të ndalemi paksa në të njejtën temë, duke u zhvendosur pak vite më larg, pikërisht në kohën kur Ahmet Zogu ishte kryetar i shtetit republikan shqiptar. Ajo çka konstatojmë, është fakti se kulti i individit kishte marrë udhë qysh në kohën kur Zogu po konsumonte funksionin e Presidentit të Republikës (Shqiptare), ndërsa shohim në jo pak raste jo vetëm prezencën ekskluzive të tij në kartolina, pulla postare, karmonedha etj., por edhe njerëz që angazhoheshin të shkruanin vargje e të kompozonin muzikë për të ngritur në piedestal figurën e tij, duke e distancuar dukshëm nga shtetarët e tjerë të kohës.
Kështu, mund të hasësh edhe njërin syresh, në një botim të vitit 1927, ndërsa sheh vargje të rimuara, lehtësisht të kapshme e të memorizueshme për veshin e shqiptarit të thjeshtë, i cili duhet të nguliste në kokë se “Shpëtimtari i Atdheut“ tashmë ishte një dhe vetëm një dhe se ai ishte jo thjesht në mënyrë simbolike pra, trashëgimtar në AND i Skënderbeut.
Para tij, deri në atë kohë ishte parë ti shkruheshin vargje të atilla nga shqiptarët vetëm mbretit kohëshkurtër të emëruar nga fuqitë e mëdha për Shqipërinë, Princit të Vidit, gjatë kohës së ngritjes së flamurit të Vlorë edhe Ismail Qemalit, e në disa raste, sidomos në Shkodër, i thureshin vargje edhe Kajzerit austriak. Pas një pauze relativisht të gjatë në kohë, tashmë ishte radha e Zogut President të dëgjonte ti thureshin vargje e ti këndoheshin këngë për së gjalli.
Në një situatë normale, duket se funksioni i Presidentit, sikurse në ditët e sotme, pasi të konsumoheshin vitet e mandatit ligjor, mund të kalohej në një tjetër emër, por duket se gjithçka tashmë kishte marrë udhë dhe pikërisht të tilla vargje s’ishin gjë tjetër veçse çelja e rrugës për kalimin në fazën pasardhëse, dmth kurorëzimin e tij si “Mbret i Shqiptarëve”.
Duket se “kulti i individit”, i cili në mënyrë të çuditshme me kalimin e kohës sa vinte e do të shtohej derisa të binte diktatura, fillesën e vet reale, të mirëoraganizuar e me synime të qarta, e ka pasur pikërisht në këtë periudhë.
Më poshtë teksti i të ashtuquajturit “Marsh i Kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu”, ku na bëhet i ditur emri i kompozitorit, Th. Nasi, por jo i autorit të tekstit.
Si shkëndi që lëshohet prej Diellit
Edhe tym edhe mjegull shpërndan
Si rrufe që shkëputet prej Qiellit
E shkatrron edhe ndjek e përlan.
Si një Engjëll i naltë prej Zotit
Si nji hyllë që zbret befas mbi dhe
Ashtu zbriti n’Arbninë e Kastriotit,
Ashtu leu Ahmet Zogu për ne
Rroftë Ahmet Zogu rroftë
Shpëtimtari i Atdheut
Bres pas brezit u kujtoftë
Nip-Stërnip i Skënderbeut.
Si nji shkabë e tmerruar mbi retë
Që gjarpërinjtë helmatues kërkon
Edhe turret mbi ta si shigjetë
E me thonj e me sqep e copton
Si një shkëmb që qëndronj patundur
Dhe tallazë e valë shkatrron
Ahmet Zogu gjithmonë i pamundur
Nga rreziku Atdhen’ e shpëton.
Rroftë Ahmet Zogu rroftë
Shpëtimtari i Atdheut