Në rrugët e Tiranës gjithnjë ka duar të vogla që kërkojnë lëmoshë. Dikush i përze, të tjerë i përcjellin me buzëqeshje e pak qindarka, ama jeta e tyre vijon në atë ferrin që harrohet shpejt nga “bamirësi”. Jeta në kryeqytet nuk është më e lehtë, për vogëlushët që punojnë për bukën e përditshme. Të ndrojtur, të uritur e të pangopur me gjumë, këta vogëlushë të shesin një paketë cigare dhe kujdesen që të ta kthejnë kusurin qindarkë më qindarkë. Më pas largohen, duke mbajtur në duar cigaret dhe në supe barrën e një familje që do ketë pak bukë në sofër falë këtij vogëlushi…
Kjo është atmosfera e këngës “Cigarxhiu” të Sir-A. Një rikthim tek “Cigarxhiu i vogël” i Adelina Ismailit.
“A do të shkosh sonte në shtëpi,
edhe sa gojë të presin në votër
a do të kesh bukë në sofër?
Kur do të ngrohen ato duar,
kur do ta shijosh ti botën
cigarxhiu im i vogël”?…
Këngë, apo film me metrazh të shkurtër? E vendosni ju pasi ta keni parë e dëgjuar.