Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh dje se Europa duhet të thellohet dhe se tani nuk është momenti për të lejuar anëtarësime të reja në union. Rama ka shprehur dakordësinë me Macron gjatë konferencës së zhvilluar sot me Federica Mogherinin.
Kreu i qeverisë tha se është dakord me Macron që Europa duhet të thellohet para se të zgjerohet duke theksuar se Shqipëria nuk po kërkon antarësimin në këtë moment.
“Franca nuk është skeptike ndaj zgjerimit, ashtu si dhe Gjermania. Macron e ka shpallur pa u bërë president idenë e tij për thellimin e një procesi reformimi të BE-së, gjë që e rimori në fjalimin e djeshëm dhe absolutisht dakord me të. Europa, BE duhet të hyjë në një fazë të re reforme, e për ta thënë me fjalët e tij, duhet të thellohet përpara se të zgjerohet. Ne këtu nuk jemi në ditën që po kërkojmë të bëhemi anëtar po të ulemi në tryezë për të negociuar anëtarësim. Ajo që do i shtoja asaj që tha presidenti Macron është “Europa thellohet me veten, ne thellohemi me veten dhe ecim paralelisht, ne në procesin e negociatave, ata në procesin e reformimit të tyre dhe si dy forca të thelluara takohemi në momentin kur vjen dita e zgjerimit. Sot diskutojmë për negocimin. Mos harrojmë se në Ballkan negociojnë Serbia dhe Mali i Zi dhe është e papranueshëm që pas rekomandimit pozitiv të marrë dje të mos përfshihet në negociatë dhe Shqipëria dhe Maqedonia”, tha Rama.