Nga Artan Fuga
Bota është plot veprime palogjikë. Sociologjia është shpjegimi i arsyeshëm i veprimeve të paarsyeshme. Ja një:
Shqiptarët po marrin dhenë, ikin nga sytë këmbët, nëpër gjermanira, anglira, skocira, kanaderira, etj. Sirianë, afganë, iranianë po vijnë në Shqipëri, po instalohen, pa faj, sepse gjejnë vende më të mira se atje në ferrin e tyre. Ajo që është ferr për shqiptarët, është parajsë për sirianët, afganët, irakenët, iranianët, etj.
As i gjykoj, as i komentoj. Thjesht po jap një fakt.
Klasa politike në Shqipëri, si edhe intelektualët, studjuesit, universitarët, shoqëria civile, në vend ta kapin demin për brirësh, dhe ta shpjegojnë këtë “braktisje” të zezë dhe “pushtim” të bardhë, të venë pikën mbi “i” dhe të thonë: “Mos po deshqiptarizohet Shqipëria?”, merren me kotësira, me cic-mice, jo e lagu jo se lagu, jo ka punë për kasap, jo 7 marsi, jo 1 prilli, jo festa e ballokumes, jo më the e të thash, jo bie shi, jo po fryn erë anës lumenjve, e ndërkohë Shqipëria jonë po pëson në mijëravjecarë, një dramë demografike.
Ore, do e mblidhni mendjen apo jo!
Patjetër mo kombi ynë është human! Patjetër do ndihmojmë njerëzit në fatkeqësi. Nuk është aty puna. Puna është se dheu i të parëve po braktiset nga shqiptarët. Tokat bosh patjetër do të zihen nga të tjerë, se jemi në epokën e lëvizjes së lirë në Planet. Askush nuk ka fuqi dhe të drejtë ligjore të ndalojë emigrantin, refugjatin që pas një dekade të bëhet qytetar shqiptar. Unë propozoj madje të nisim reformën e gjuhëve të huaja në shkolla, ku bashkë me shqipen, të mësojmë edhe disa gjuhë të tjera! Ore, ka më njerëz që mendojnë në këtë vend, apo televizionet po i japin mend zotit Trump se çfarë bën mirë e çfarë nuk thotë mirë!!!
Hajde delir hajde !
Ne nuk na pranojnë fare në fshat, por duam të martohemi me vajzën e priftit… Europës po i japim mend, Amerikës, Lindjes së Mesme!
Pika neve!
Vetëm atë që ndodh këtu në lagjen tonë, nuk e shohim…
Këtu rregjistrohen nëpër partira për të kap ndonjë punë…