Kjo ishte ideja e çmendur e një tifozi personal të sulmuesit të Real Madridit, Kristiano Ronaldo, i cili mbi të gjitha është italian. Quhet Gabriele Kolagati dhe ka bërë së fundi në krah tatuazh portretin e portugezit. Por çmenduria nuk perfundon këtu, pasi 26 vjeçari ka udhëtuar për në Spanjë për t’ia treguar personalisht tatuazhin idhullit të tij, gjë që i ka kushtuar nja katër ditë pritje për të gjetur rastin, si dhe një shpenzim aspak normal për ditët e sotme. Më në fund Gabriele ka mundur ta ndalojë Ronaldon, i cili i çuditur i ka bërë një foto portretit të tij të stampuar në krahun e tifozit.
Kjo nuk është hera e parë që Gabriele niset në “misionin Ronaldo”. Takimi i parë midis të dyve ka qenë në korrik 2012, kur CR7 ishte i ftuar në “Palace di Merano”, kur pas shumë peripecive, tifozi i paepur arriti të bënte një foto me sulmuesin “merenges”, madje dhe atëherë kishte bërë tatuazh Ronaldon, i cili iu drejtua: “Një të çmendur si ty nuk e kisha parë asnjëherë”. Kurse në takimin e Madridit i prezantoi një tjetër “mrekulli”. “Tatuazhi që kisha më parë ishte shumë i vogël, kështu që e mbulova dhe më pas bëra një më të madh po në të njëjtin vend”, thotë tifozi që herë pas here mendon se si të surprizojë Ronaldon.