Nga Alma Nikolli
Vendi zien, si përditë. Në rrjete sociale shokë veriorë e jugorë ndihen kuksianë, mirë më vjen. Kur shqiptari fillon të ndihet shqiptar në secilin skaj të vetin, Shqipëria krenohet. Kur këto gjëra po ndodhin edhe më duket egoizëm të shkruaj për qejfe, por në jetë janë të gjitha bashkë, e dini më mirë se unë. Edhe meqë jemi këtu, dihet që qejfi bëhet nuk mësohet, megjithatë tregohet disi.
Se unë s’para dal, ama kur dal e merr vesh gjithë dynjaja. Nuk do kishte pse, nëse disa sy të habitur nuk do më shikonin duke pyetur ç’ke moj që kërcen në disko? Për të kërcyer u vika këtu? Ç’i lëviz ato duar? Hoqe takat e veshe atlete?
Po e quaj disko se më kujtohet qejfi që bënim në 8-vjeçare nëpër disko dite. Edhe se si po m’u dukërka ta shkruaj klab.
Në psikologjinë time ambientet e errëta, me muzikë të lartë, drita që fiken e ndizen, e ngjeshur me njerëz që kanë dalë për të bërë qejf, kërcehet. As për të treguar fustanin e as për të vrarë orët, por as për shikuar tjetrin se si ekziston. Modeli i flokëve do të prishet, getat do të grisen, akulli do të shkrihet por orët që kalojnë nuk duhet të numërohen, duhet të duken të shkurtëra. Dielli lind më shpejt.
…
Do protestokemi ne, do u revoltokemi, ne s’dimë të bëjmë qejf. Përveç dhjetëra “mangësive” të tjera, ne rinia e sotshme dështojmë suksesshëm edhe në tentativën për të bërë qejf.