Nga Ergys Mertiri
Historiani Pëllumb Xhufi ka komentuar se kampi i përqendrimit i Tepelenës nuk paska qenë i keq dhe qenka indinjuar kur e krahasojnë atë me Aushvicin! Xhufi thotë se nuk kanë qenë 300 fëmijë të vdekur aty dhe se kushtet e jetesës nuk kanë qenë të këqija. Paska pasur godina prej tulle e ndërtesa solide dhe se është qesharake të pretendohet se ai ka qenë një kamp shfarosjeje.
Në fakt, sa për ironi, edhe Aushvici me godina prej tulle dhe ndërtesa shumë solide është ndërtuar. Madje organizimin e kishin shumë herë më të mirë!
Përtej dokumenteve të përzgjedhura dhe interpretuara sipas interesave politike të historianëve që u ka mbetur ora ndër thinja, Xhufi duhet t’iu hedhë një sy dëshmive rrënqethëse të atyre që kanë jetuar në atë kamp. Duhet të vendoset njëherë nën lëkurën e atyre prindërve që iu ka vdekur fëmija në duar nga uria, sepse xhelatët roja i linin pa bukë, nën lëkurën e atyre prindërve që rojat ua lidhën fëmijën në shtyllë duke e lënë ashtu të varur deri në mëngjes, sepse nuk kish respektuar siç duhet disiplinën e kampit, duhet ta mendojë të paktën për një cast të vetëm se ç’kanë ndjerë ata prindër që, pasi iu vdiq fëmija nga uria, nuk kishin as një arkivol për ta varrosur, dhe për këtë pranuan “dhuratën” e një bashkëvuajtësi, që i ofroi djepin e fëmijës së vet.
Por për të pasur vesh për të dëgjuar të gjitha këto, duhet të kesh një ndjeshmëri njerëzore minimale, të painfektuar me përrallat propagandistike të Enver Hoxhës, që vetë këta historianë i kanë krijuar, e duke i ripërsëritur pa fund, arritën t’i besojnë edhe vetë. Por mesa duket ata nuk e kanë këtë ndjeshmëri. Ndjeshmëria e tyre mbaron tek shqetësimi se viktimat e atij regjimi po e ekzagjerojnë me kujtimet e tyre të tmerrshme dhe po na e paraqesin diktaturën më të egër se ç’ka qenë në të vërtetë.
Në fakt, vetingu në këtë vend duhet të kish filluar nga njerëzit e shkencës dhe kulturës. Është e cinike dhe e turpshme që sot historinë e këtij vendi të vazhdojnë ta bëjnë ata që e shkruan dhe deformuan për 50 dhe sot bëjnë apologjinë e krimit pa kurrfarë droje. Si të privilegjuar në atë kohë, fati i tyre është i lidhur me atë regjim, ndaj dhe ata nuk kanë asnjë shanc të reflektojnë e të pohojnë të vërtetën. Duke mbrojtur të kaluarën e errët të këtij vendi, ata janë duke mbrojtur të kaluarën e tyre.