“Një rrugë e gjatë e cila sapo ka nisur“, ky është përkufizimi i Mesila Dodës rreth protestës së sotme përballë Ambasadës Greke, duke lajmëruar se shqiptarët nuk do të ndalen në kërkesat e tyre.
Doda theksoi se Shqipëria nuk mund të kushtëzohet nga Greqia për procesin integrues, pasi e ardhmja është e orientuar nga Brukseli dhe Uashingtoni.
“Thuhet që duhet të bëhet theror e shkuara dhe ardhmja për hir të integrimit të Shqipërisë, integrimi shkon nga respektimi i ligjit, nga respektimi i të drejtave të lëvizjes, të pronës, të jetës dhe nuk mund të shkojë mbi shkeljen e të drejtave tona. Europa është Europa e vlerave njerëzore dhe ne nuk pranojmë Europë tjetër. Ne nuk pranojmë Europë që thotë se duhet të kalojë nga Greqia dhe nga Athina, nuk është ajo që ne duam dhe presim. E ardhmja jonë kalon nga Brukseli dhe Uashingtoni“, tha Doda.
Doda: Në Greqi ka kocka pa varre, në Shqipëri ka varre pa eshtra
Doda në fjalën e saj theksoi se të vdekurit duhet të trajtohen njëlloj, në një kohë kur “në njërin vend ka kocka pa varre dhe në vendin tonë duhet të ketë varre pa eshtra”.
“Kosova dhe Çamëria janë dy gjymtyrët e kombit që u bënë theror, u martirizuan për shtetin shqiptar që është sot, ndaj shteti duhet të kthejë sytë mendjen zemrën mendjen shpirtin nga Kosova dhe Çamëria.
Të vdekurit janë njëlloj, nuk e di pse në njërin vend ka kocka pa varre dhe në vendin tonë duhet të ketë varre pa eshtra. Nuk mund të kërkohen varre historike për pushtuesit, kur të shqiptarët tanë në Çamëri nuk kanë sot as varre, as memorial.
Kërkojmë që qeveria greke të kërkojë falje dhe Zerva nuk duhet të ketë bust por të dënohet me harresë dhe poshtërim. Qeveritarët shqiptarë kanë hall që të ndajnë tokë dhe det. A do mund të pranoni që qysh nga sot ne të themi që kemi vend mik një vend me të cilin na ndan një histori armiqësore? Ata duhet të na kërkojnë falje, kolaboracionistët janë në qeverinë greke. Komisioniri Hahn tha që kjo çështje të ishte në bisedime, i kërkoj Bushatit të nisë diskutimet nga çështja çame“, tha Mesila Doda në fjalën e saj.