Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Kosovë vetëm vdekja është diçka që mund të arrihet me lehtësi.
“Pothuaj nuk është e mundshme të marrësh kapital. Është tmerrësisht vështirë të ndërmarrësh diçka, dhe edhe më vështirë të zhvillosh diçka në aspektin afatgjatë. Në Kosovë vetëm vdekja është e lehtë”, është shprehur Albin Kurti, për gazetën zvicerane, Schweiz am Wochenende.
Sipas Kurtit Kosova mbijeton falë të ardhurave nga emigracioni ndërsa vrasjen e Ivanoviçit e ka cilësuar çështje të brendshme të Serbisë.
Kurti ka krahasuar Kosovën me Kinën kur ka folur për numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave.
“Për shembull gjatë vendimit se sa ministra duhet emëruar. Qeveria aktuale ka 21 ministra dhe 82 zëvendësministra. Janë më shumë se në Kinë. Ky është nepotizëm i qartë, shenjë e korrupsionit shtetëror. T’i shpërblesh anëtarët e familjes dhe veteranët e partisë me poste të tilla nuk është mënyrë e duhur për të ndërtuar një shtet demokratik të bazuar në sundim të ligjit”, ka shtuar ai.