Nga Edison Ypi
Seferi lindi në Pacomit pranë Vjosës përballë Dhëmbelit dhe Nëmërçkës. Kur ishte fëmijë, Seferi një ditë kqyrte laryshinë e njerëzve, ditën tjetër përmbys mbi bar ndiqte i mahnitur strategjitë për mbijetesë të milingonave. Seferi mahnitej dhe me pyllin, fletët e dushqeve, të cilat, kur era i kthente mbrapsht, bëheshin të kuqërremta, dhe Seferit i dukej sikur pylli në faqe të malit merrte zjarr, shndrrohej në det i ndezur me dallgë.
Një vëlla i Seferit doli partizan. U kthye nga partizanllëku pas tre ditësh. Kishte parë në Mokër disa partizanë që kishin shkuar në hell një ballist. Erdhi i lemeritur. Ra përmbys mbi shtrat. As hëngri as piu. Vdiq pas pak.
Seferi, djalë Beu, thoshte i tmerruar; Kush ka, do. Kush nuk ka, urren. Partizanët që s’kanë nuk mund ta duan Shqipërinë më tepër se Bejlerët që kanë.
I tha Seferit një zengjin,
-Do dal partizan.
-Pse do dalësh partizan ?
-Sepse më dhimsen fukarenjtë.
-Mos u mundo deri në mal. Bëji shqiptarët të barabartë me shembull personal. Fale pasurinë.
Fill pas “luftës”, i tmerruar nga yxhymi i partizanëve, Seferi iku në Tiranë.
Fiksimi i përhershëm i Seferit ishte urrejtja e paskajshme ndaj absurdit komunist. Seferi gdhihej, ngrysej, fliste, pyeste, përgjigjej, zgjohej, flinte, ëndërronte, veçse për regjimin dhe dreqërit që e mbanin gjallë.
Jetoi i strukur në një qoshe të shtëpisë. Tymoste duhan të dredhur. Nën jastëk mbante gjithmonë një roman. Seferi i mahniste mysafirët me dromca nga jeta e vet dhe romanet që lexonte. Sipas Seferit, shkrimtarët më të mëdhenj të botës ishin Shekspir, Kadare, Shollohov, Balzak, Turgeniev. Artistët më të shquar Fred Astaire dhe Ginger Rogers. Tema e përherëshme e bisedave të Seferit ishte natyra paradoksale e komunizmit, ligësitë, pabesitë, krimet e diktatorit.
Seferi qe i bindur se diktatori ishte qënia më frikacake mbi fytyrë të dheut, egocentristi më i neveritshëm të cilit i interesonte vetëm vetja, vetëm 1 metër katror Shqipëri sa katër pllakat e dyshemesë ku mbështeste këmbët.
Seferi thoshte se diktatori mori bujkun e mbrehu në parmëndë e vuri të tërhiqte plugun. Kaut i dha në dorë hostenin të detyronte bujkun të çante arën.
Seferi thoshte se ishte antikomunisti më i madh i botës, pas Çurçillit.
Për Seferin Shqipëria ishte bërthama e zjarrtë e Ferrit ku flakët e verdha të squfurit djegin gjithçka.
Thoshte Seferi për diktatorin; Po të më bjerë në dorë një herë të vetme ai fëlliqësirë, do ja pres fytin me biçak, do ja nxjerr sytë me një gozhdë të skuqur në zjarr, do ja coptoj mishin me sëpatë do ua hedh qënve.
Një variant i zgjeruar i masakrimit të diktatorit për Seferin ishte ky; Do thërres dhjetë mjekët më të mirë të botës. Do ti urdhëroj t’ja xhveshin lëkurën copa-copa me pinca. Nga koka te këmbët t’ja lyejnë mishin me kripë të imët. T’ja veshin përsëri lëkurën dhe tja qepin me gjylpëryer e spango. Do tu jap mjekëve dhjetë ton flori shpërblim. Me kusht që pas xhveshjes së lëkurës dhe kriposjes së mishit, ndyrësira të mbetet gjallë dhe të vuajë torturën e merituar me brisk, xhveshje lëkure, kripë, spango, gjilpërë. Përndryshe, nëse pas kësaj kure shpëtimtare gjarpëri do ngordhi, dhe rrjedhimisht nuk do vuaj më, të dhjetë mjekët do i var në litar.
Një ditë Seferi tha; Sot nuk do dal nga shtëpia. Do rri brenda. Nuk i shoh dot me sy shqiptarët e skllavëruar.
Seferi nuk doli nga shtëpia as të nesërmen, as të pasnesërmen, as pas një jave, e as pas një muaji. Familja, farefisi, miqtë, u bënë merak. Seferi u lut të mos ja prishnin qefin e të ndenjurit brenda përderisa duke mos parë me sy turma, kënde të kuq, banderola, parakalime, brohorima, sytë dhe veshët i kishin rënë rehat, shikimi dhe dëgjini i ishin përmirësuar, zemra i rrihte më mirë, dhe rrjedhimisht ndejtja brenda i ishte bërë e dashur. E mirkuptuan.
Në kthinën ku Seferi gdhihej e ngrysej, rrëfente me gjallëri dhe stil ngjarje të pafundme për çudinë kriminale që e rrethonte.
Kur ngordhi diktatori dhe ishin bërë vite që Seferi nuk dilte nga shtëpia ngaqë nuk i shihte dot me sy zbukurimet për festa, veçanërisht spiunat që trokisnin te dera për ta thirrur për punë vullnetare, për të votuar etj. pikërisht pra kur njerëzit prisnin që Seferi të qe mërzitur dhe të hiqte dorë nga vetburgosja, Seferi arriti në përfundimin se qoshja ku ishte strukur nuk ishte mjaftueshëm e fshehtë dhe e thellë për të bërë jetën që i përshtatej, atë me romane, miq, biseda të rrezikshme, prandaj i duhej të çvendosej në një kthinë të dytë më të thellë dhe më të fshehtë se kthina e parë. Në kushtet e reja logjistike, bashkë me arsenalin e romaneve që mbante pranë, Seferi tërhoqi edhe miqtë e bisedave, të cilët, pas fundosjes së dytë të Seferit u entuziazmuan dhe shprehën dëshirën për ta ndjekur Seferin ku të donte Seferi, edhe në fund të botës, edhe prapa diellit.
Seferi nuk u tund nga kthina e dytë edhepse jashtë kërcisnin fitoret, gjëmonin kongreset, ulurinin mbledhjet, bënin kërrdinë plenumet.
Shembjen e regjimit, shpalljen e pluralizmit, ndryshimet demokratike, që Seferi i kishte pritur me ankth gjithë jetën, Seferi nuk i pëlqeu dhe as i refuzoi. Pavarësisht nga ky qëndrim jo fort i kuptueshëm që u interpretua me kompleksitetin e karakterit të Seferit, dhe pasi një nip i Seferit kujtoi principin “Lartësim përmes Rrëzimit”, familjarë e miq thanë se tashmë Seferi nuk kishte arësye të rrinte brenda. Mirpo pikërisht atëhere, kur prej pothuaj 30 vitesh jetonte i mbyllur në shtëpi nga kthina në kthinë, daja im Seferi, bashkë me romanet seriozë, miqtë besnikë, bisedat e rrezikshme, u fut në një kthinë të tretë, edhe më të thellë edhe më të fshehtë se dy kthinat e para, prejnga nuk lëvizi më deri në frymën e fundit, kur Ylli i zi i vetmohimit heroik u përpi nga qielli i ndritur i qesharakizmit demokratik shqiptaresk.