Historiku i reformës në drejtësi ka treguar se çfarë ka qenë prioritet për ish-kryetarin e Partisë Demokratike është kthyer edhe në prioritetin e opozitës
“Për Sali Berishën, Alfa dhe Omega e reformës në drejtësi është ajo që po thoni ju, BKH apo Njësia Antikorrupsion”, thotë Berisha në një intervistë për Top Channel.
Por tani, pasi opinioni final i Venecias rrëzoi disa nga 11 pikat e opozitës si kushte për dialog me qeverinë, demokratët pritet ta kushtëzojnë debatin tek dy çështje. Njëra prej tyre, Byroja e Hetimit. Sali Berisha shpjegon arsyen pse ai mendon që duhet votuar përpara reformës.
“Reforma në drejtësi, veç 70 amendamenteve ka dhe nja 40 ligje. Siç më kanë thënë ekspertët ndërkombëtarë, ajo do 2-3 vjet për t’u zbatuar, kurse nëse amendamentet dhe ligji vertikal i njësisë antikorrupsion votohen brenda 2-3 javëve, kjo njësi e fillon punën më së largëti brenda 2-3 muajve”, deklaron Berisha.
Çështja tjetër është ajo që demokratët e përkufizojnë si “kapje të sistemit të drejtësisë nga qeveria”. A është shumica e cilësuar e vetmja zgjidhje?
“Jo, nuk do të thotë vetëm shumicë e cilësuar. Ka disa mënyra, se këtu është problemi. Nuk ka vetëm një zgjidhje për një çështje, gjithmonë ka më shumë se një zgjidhje për një çështje”, thotë ish-kryeministri.
Por fakt është se deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje për asnjë çështje. A rrezikon kështu reforma të mos miratohet?
“Jo, nuk mund të bëj një parashikim, sepse varet shumë nga qëndrimi i Edi Ramës ndaj Byrosë së Hetimit, ndaj variantit që ka sjellë Komisioni i Venecias”, thotë Berisha.
Po nëse refoma dështon, a është dakort Berisha si Rama për zgjedhje?
“Jo, nëse nuk kalon reforma, zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër, që s’pranon të bëjë zgjedhje në parti, i garantoj shqiptarët se kurrë që nga koha e Enver Hoxhës vota e tyre nuk ka qenë më e rrezikuar. Duhet ta hedhin mënjanë me të gjitha mjetet e mosbindjes, përmes një revolucion demokratik për të bërë zgjedhje pas tij”, shton Berisha. / Top Channel