Nga Alfred Peza
Mund të gjenden e të renditen shumë prioritete për këdo, e jo më edhe për një shtet si Shqipëria, përgjatë një viti të ri kalendarik si ky që sapo kemi startuar. Në tërësinë e të gjitha çështjeve kryesore, gjithmonë do të gjendet një kryeprioritet, një pikë e vetme kyçe, e cila do të shërbejë edhe si drita e farit në horizontin e 31 dhjetorit, për t’u arritur nga politika. Përgjatë këtij rrugëtimi, sigurisht që do të kalohet edhe nëpër shtigjet e objektivave të tjerë, duke e bërë edhe më të plotë buketën e pritshmërive dhe realizimit të prioriteteve të tjera, po ashtu të rëndësishme.
Kryeprioriteti i Shqipërisë përgjatë 2018, do të jetë me siguri, procesi i integrimit europian të vendit. E thënë kështu, duket si një frazë shumë e përgjithshme, “e vjetëruar”, e dalë boje për shkak të shpërdorimit dhe keqpërdorimit përgjatë gjithë këtyre viteve. E nga ana tjetër, ky proces duket aq shumë i ngatërruar në terminologji dhe një realitet aq virtual për shumë qytetarë të thjeshtë, sa rrallëkush mund tia shpjegojë atyre si një çështje thjeshtësisht të prekshme.
Gjithsesi le të mundohemi të jemi më konkretë, të paktën në qartësimin e gurëve kilometrikë të udhëtimit të Shqipërisë përgjatë këtyre 12 muajve, drejt Brukselit. Në mënyrë që më pas, gjithësecili ndoshta ta ketë më të lehtë të përfytyrojë edhe vendin dhe qasjen e tij në të. Projektimi i kësaj udhe bëhet domosdoshmëri, po të kemi parasysh se pas vetëm një muaji, do të bëhet publike strategjia e re e zgjerimit të Bashkimit Europian. Një dokument shumë i rëndësishëm jo vetëm për vetë unionin, por edhe për të gjitha vendet aspirante, sidomos gjashtë shtetet e Ballkanit që synojnë të bëhen herët ose vonë, pjesë e familjes europiane.
Për momentin, fati i integrimit të Shqipërisë duket ironikisht i lidhur edhe me atë të Maqedonisë, për shkak të stadit në të cilën ndodhen të dy vendet tona dhe specifikave të problematikës që duhet të përballojë secila. Dokumenti i ri strategjik i zgjerimit thuhet se “do të nxisë procesin e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë”. Tiranën do të vazhdojë ta përndjekë “mallkimi” i plotësimit të atyre që përcaktohen si pesë prioritetet kyçe. Ndërkohë që për Shkupin, prioritet absolut mbetet zgjidhja së bashku me Athinën zyrtare, të çështjes së emrit të Maqedonisë.
Sundimi i ligjit, demokracia, zgjidhja e çështjeve të hapura në marrëdhëniet bilaterale nga ana e Shqipërisë dhe e Maqedonisë, mbeten kyçe gjithashtu. Diplomacia shqiptare dhe ajo maqedonase kanë lëvizur jo pak në përmbushje të këtyre detyrave në muajt dhe javët e fundit të 2017, sidomos në drejtim të zgjidhjes së problemeve që ka secila, me Greqinë një nga anëtaret e vjetra të BE dhe shtetin më me influencë të Ballkanit në Bruksel.
Shqipëria ka një avantazh jo të vogël në raport me Maqedoninë në këtë proces, jo vetë se jemi vend anëtar i NATO-s por sepse jemi edhe shumë më përpara me paketën e reformave kyçe. Kryeminitri Zaev është shprehur optimist se vendi i tij mund t’ia arrijë brenda këtij viti kalendarik që të anëtarësohet, nëpërmjet një “operacioni blic” që mundësoi pak muaj më parë edhe anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Serbia dhe Mali i Zi që janë një hap përpara nesh, shpresojnë që të anëtarësohen në vitin 2025 në BE. Shqipëria beson që ta kemi edhe ne një datë të tillë kaq optimiste. Bosnja shpreson të mari statusin e vendit kandidatit, në 2019. Ndërsa Kosova, nëse plotëson kushtet, shpreson të përfitojë këtë vit liberalizimin e vizave për qytetarët.
Pas publikimit të dokumentit të strategjisë së re të zgjerimit, Shqipëria pritet që të marë një datë të saktë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Brukseli dhe Tirana do të ulen, për të përcaktuar një kalendar të saktë hapash dhe veprimesh që duhen ndërmarrë, deri në pranimin e tonë si shtet anëtar i unionit. Ndaj 2018 është kaq shumë përcaktues për çështjen e integrimit tonë europian.
Këtu ne e përshkruam këtë proces sikur gjatë 52 javëve të këtij viti, në planin e brendshëm, nuk do të kemi asnjë “surprizë” negative si nga kampi i mazhorancës ashtu edhe në atë të opozitës. Përveç të tjerash, bashkë me 2018, sapo kemi hyrë edhe në muajin e kapjes së “peshqve të mëdhenj” nga reforma në drejtësi. Të presim e të shohim, se si do të reagojë edhe tufa e më të vegjëlve, që i shkon nga pas. Për të kuptuar se sa të qeta do të jenë ujërat nëpër të cilat do të udhëtojë “anija” e integrimit, drejt asaj drite shprese që na e bën me sy prej 27 vjetësh, në horizontin drejt Bruskelit.
https://alpenews.al/alfred-peza-viti-integrimit-dhe-muaji-peshqve-te-medhenj/
Po vete Peza, ne cfare mase peshku e fut veten?! Te te vegjlit deri mesataret?! I erdhi prap goja ketij..