Nga Artan Fuga
Nuk merret vesh nëse po shkojmë në Bashkimin Europian, apo po i largohemi atij!
Nuk po merret vesh se shtëpitë sociale që marrim njerëzit në hall, ua detyrojnë shërbimet përkatëse, apo janë dhurata që ua bëjnë pushtetarët nga xhepi i vet?
Nuk po merret vesh se meqë që u jemi sulur masivisht në një formë genocidi ndaj pulave, gjelave, derrave, në ditë feste, kjo është sepse kemi uri, apo kënaqim instinktin për të vrarë gjallesa të çdo lloji sakohë nuk e ushtrojmë dot ndaj njerëzve të tjerë.
Po mjaft o, mjaft hëngrët!
Nuk po merret vesh se tymi dhe flaka në Kuvend janë shashka vitiriu apo era e vjetër e barutit tonë shumëshekullor që ngaqë nuk plas dot, vjen vetëm erë?
Nuk merret vesh dot nëse e përdor pushteti median, apo media e përdor ajo pushtetin?
Nuk merret vesh nëse gjykojnë politikanët gjykatësit e prokurorët, apo gjykatësit e prokurorët gjykojnë politikanët?
Nuk merret vesh nëse opozita është instrumenti i kritikës ndaj pushtetit apo kritika opozitare është instrumenti që pushteti të jetë edhe më i fortë?
Nuk merret vesh nëse janë deputetët e shumicës kontrollojnë qeverinë apo është qeveria që kontrollon deputetët e saj?
Nuk merret vesh nëse kanabisi u ndal apo u ngop?
Nuk e di nëse vendosim të bëjmë kryeqytet Durrësin në vend të Tiranës, çka unë e aspiroj personalisht, a duhet një rezolutë në OKB, apo nuk duhet?
Nuk merret vesh apo bashkohemi gjithnjë e më shumë me Kosovën, apo po ndahemi gjithnjë e më shumë prej saj?
Nuk merret vesh a do ta hamë ne trupin e gjelit të Vitit të ri, apo është gjeli që na ka ngrënë tashmë shpirtin ne?
Nuk kuptohet nëse Interneti na ndan apo na bashkon me të tjerët?
Me një fjalë ka pak kaos këto kohë.