Nga Mesila Doda
Në këto ditë të nxehta temperaturash politike po kalon si pa u ndjerv vendimi i qeverisë shqiptare për t’i dhënë statusin e varrezave historike një tjetër varreze ku janë trupat e ushtarëve grekë.
Më së pari, për të qartësuar opinionin publik asgjë nuk na bën ne të luftojmë me të vdekurit apo kujtimin e tyre, megjithëse ata erdhën në këtë vend si pushtues, në emër të marrjes me forcë të asaj që ato e quajnë Vorio Epiri e që është Shqipëri e Jugut, pjesë jetësore e së cilës është Çamëria, që u dogj, u spastrua nga shqiptarët, e u përvëlua, pësoi genocid e eksod biblik e për të cilën sot hesht qeveria shqiptare e cila deri pak kohë më parë e quante si çështje të pazgjidhur kombëtare.
Por vendimi i mësipërm është edhe më shumë se i gabuar, i padrejtë e i rrezikshëm. Trupat e ushtarëve të huaj kthehen në vendin e tyre, por edhe në rastet kur ata qëndrojnë në tokë të huaj mund të kenë vetëm një varrezë simbolike. Në Shqipëri po bëhen tre të tilla, i jepen edhe statuse të veçanta dhe të gjitha këto në emër të një gjunjëzimi poshtërues në raport me fqinjin.
Në Kushtetutën e tyre grekët sot kanë të sanksionuar se ku kanë të rënët kanë Atdheun, e kjo do të thotë se vite më pas kur gjeneratat tona të jenë zhdukur ky vend do fillojë të konsiderohet si tokë e fqinjit, e që thjesht ne e kemi zaptuar duke rrezikuar kësisoj tërësinë territoriale të Atdheut. Ja pse brenda kësaj kërkese në kufijtë e humanizmit, fshihen fantazma irredentiste e agresive për fatet e Atdheut.
Ndërkohë në Çamëri ende janë pa varre trupat e 3000 burrave, grave, fëmijeve e pleqve…i vranë, i dogjën e i lanë pa varr… Ky është humanizmi i fqinjit për të cilin sot qeveria jonë hesht…
Tani më duhet t’i drejtohem secilit prej këtyre trimoshave që kujtuan se shkatërruan e lanë pa zë Çamërinë dhe çështjen kombëtare…
Ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhte këtij vendi sepse ju jo thjesht keni punuar kundër, ju e keni përdorur çeshtjen kombëtare, e keni përdorur çështjen çame, e keni shpërdoruar Çamërinë vetëm për të pasur pushtet të sigurtë… por të jeni të sigurtë që me
atdheun nuk do beni dot pazar, çeshtja çame do shkojë përpara por tashmë pa ju, sepse thjesht jeni zbuluar ashtu siç jeni në të vërtetë: Tregtarë shpirtrash e shitës të Atdheut për pushtet.