Nga Alma Nikolli
Pak pasi u zgjova, lexova se mbrëmë një e moshuar kishte humbur a djegur jetën si pasojë e një zjarri që ra në banesën e saj në Devoll. Jetonte e vetme.
…
Filloj të imagjinoj pak…
Dje në mëngjes 85-vjeçarja la batanijet gati të ftohta dhe rregulloi shtratin duke iu dridhur duart. U përkul duke mbajtur njërën dorë në bel dhe mori shapkat e shkelura te themrat, që kishin mbajtur putrat e maces gjatë natës. I veshi, lau fytyrën dhe bëri kafenë e gëzuar të asaj dite. Do shkonte për të marrë shpërblimin prej 30 mijë lekësh.
Kur po kthehej në shtëpi bleu 500 gramë mish, pak sallatë dhe gati 1 kilogramë djathë, kurse 20 mijë lekëshin e ca qindarka që kërcenin mbi njëra-tjetrën nga duart që i dridheshin i mbështolli rrëmujshëm dhe i futi në çorapen e këmbës së djathtë, majtas mezi përkulej.
Erdhi në shtëpi. U ul në njërën prej dy karrigeve të vetme të dhomës. Pushoi paksa, iu ankua disi maces që tundte bishtin dhe u çua drejt raftit. Mori dy feta nga buka e djeshme, pak djathë, sallatë e mish. Mishin ia hodhi maces në pjatën e saj në karrigen ngjitur. Bënë gëzuar me ujë, ndërsa rreze dielli të ftohta hallakateshin në dhomë.
Gjithë mbasditen u mor me pastrimin e shtëpisë, meqë festat e fundvitit po afronin. Vuri dhe një varg dritash ngjyra-ngjyra në mur. “Do i ndez në darkë, fundja le të shpenzoj pak më shumë se mora shpërblimin sot”, mendoi me vete.
Në darkë i ndezi, ndezi edhe furnelën. Kishte marrë shpërblimin fundja. Fjeti apo jo, s’e di. Zjarrëfikësit e gjetën të vdekur.
…
Nuk janë të paktë të moshuarit shiptarë shumë të moshuar që jetojnë “të vetëm në shtëpi”. Me bijtë a bijat jashtë shtetit, në disa raste edhe brenda shtetit ata vuajnë ditët që s’i kishin imagjinuar kurrë. Shtëpitë e të moshuarve a azilet e pleqve nuk preferohen dhe nuk përballohen. Kështu ikin të vetëm nga kjo botë gjyshërit e gjyshet tona, ata për të cilët u thurën këngë e ëndrra.