Gjatë këtyre 105 vjetëve Shqipëria ka provuar rënie dhe ngritje, atdhetarizmin më të përkushtuar të predikuar e të sendërtuar edhe me mjete totalitariste si në kohën e komunizmit dhe atdhetarizmin e komprometuar prej propagandave që fyejnë shtetin, që fyejnë mentalitetin, që deshën s’deshën autorët e kësaj propagande, u krijojnë të huajve bindjen se shqiptarët – popull i njohur me traditë vlerash të larta, na qenkan popull pa vlera etike! Dhe, kjo po ngjet sot në Shqipëri – po e bën paria e PD-së!
– Zoti Qosja, më 28 nëntor shënohet 105 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Si e shihni ecjen e shtetit shqiptar për këto vite?
– Gjatë këtyre viteve, prej se është krijuar, shteti shqiptar, Shqipëria, i ka provuar gati të gjitha trajtat politiko-shtetërore dhe kushtetutare-juridike: despotinë, tiraninë, diktaturën, demokracinë, pseudodemokracinë. Ka provuar rendin njëpartiak dhe rendin shumëpartiak. Ka provuar totalitarizmin, populizmin, anarkizmin, autoritarizmin! Tani po përjeton qeverisjen e ligjshme, të përfaqësuar prej të zgjedhurve në zgjedhje të lira e demokratike, dhe përpjekjet mjaft të egra të opozitës për pushtet paralel!
Gjatë këtyre 105 vjetëve Shqipëria ka provuar rënie dhe ngritje, atdhetarizmin më të përkushtuar të predikuar e të sendërtuar edhe me mjete totalitariste si në kohën e komunizmit dhe atdhetarizmin e komprometuar prej propagandave që fyejnë shtetin, që fyejnë mentalitetin, që deshën s’deshën autorët e kësaj propagande, u krijojnë të huajve bindjen se shqiptarët – popull i njohur me traditë vlerash të larta, na qenkan popull pa vlera etike! Dhe, kjo po ngjet sot në Shqipëri – po e bën paria e PD-së!
Megjithatë, Shqipëria, shikuar historikisht, ka ecur përpara, është zhvilluar e po zhvillohet, është bërë edhe me shtetin e dytë shqiptar, me Kosovën shtet i lirë e i pavarur, po zhvillohet dukshëm urbanizmi i saj, po bëhen përpjekje gjithnjë e më të dukshme për mirërritjen e brezit të ri dhe për mirëjetesën e popullit.
– Profesor, bashkimin kombëtar e shikoni të afërt e të mundshëm? Cilat do të ishin të mirat apo të këqijat e këtij bashkimi?
-Kam folur e kam shkruar shumë e shumë herë për bashkimin kombëtar, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhe, kjo do të ndodhë një ditë, por ditën kur do të ndodhë kjo unë nuk mund ta di dhe nuk mund ta di sepse nuk jam profet. Rëndësia më e madhe e këtij bashkimi është shtimi, rritja, pasurimi, sigurimi i mundësive ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore dhe qytetëruese të popullit shqiptar për jetë më të mirë, për mirëqenie të përgjithshme, bashkëkohore, qytetëruese, të të gjithë shqiptarëve.
– Si e keni kuptuar deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që shteti shqiptar t’u lejojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që, sipas tij, ia ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës?
-Mua kjo deklaratë – kërkesë më pëlqeu shumë dhe më pëlqeu aq shumë sepse, po t’i jipej një përgjigje pozitive, Kosova dhe Shqipëria do të bashkoheshin në një shtet duke e realizuar idealin kombëtar të shumë brezave. Por, Hashin Thaçi nuk e kishte menduar ashtu deklaratën e tij. Sipas bindjes sime, kjo ishte një deklaratë-kërkesë, me të cilën shqiptuesi i saj, Hashim Thaçi, dëshironte që në opinionin e Kosovës ta zbuste sadopak përgjegjësinë e tij për disa vendime e nënshkrime të Qeverisë së Kosovës pesë-gjashtë viteve të fundit derisa ai ishte kryeministër e, më pas, ministër i Jashtëm.
Para kësaj deklarate-kërkesë, të cilën Ilir Meta, e refuzoi në mënyrë elegante, Hashim Thaçi iu drejtua opinionit shqiptar në Kosovë dhe kudo qoftë ai me deklaratë pak më të gjatë e më shpjeguese se ajo për nënshtetësinë e kosovarëve që kërkoi prej Shqipërisë, në të cilën tha se Bashkimi Evropian (dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) e paska futur Kosovën në grackë, prandaj sot është e ballafaquar: me çështjen e vijës kufitare me Malin e Zi, me domosdonë e krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe dhe me Gjykatën Speciale!
Besoj se numri më i madh i shqiptarëve e dinë se Hashim Thaçi është nënshkrues i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi ashtu siç e ka shpjeguar dhe siç e ka kërkuar udhëheqja e Malit të Zi në Vjenë. Dhe është nënshkrues i kësaj Marrëveshjeje tepër të dëmshme për Kosovën pa këshilluar Kuvend, pa këshilluar historianë, pa këshilluar juristë të së drejtës ndërkombëtare!
Besoj se numri më i madh i shqiptarëve i kanë parë e i kanë dëgjuar jo me javë, jo me muaj, po me vjet, se sa shumë përpjekjet i kanë bërë Hashim Thaçi, ministër i Jashtëm dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, për pranimin e Marrëveshjes së vijës kufitare me Malin e Zi, siç e kërkonte Mali i Zi, për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, siç e kërkonin serbët e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë, dhe për krijimin e Gjykatës së Veçantë (Speciale) derisa më në fund edhe u krijua ajo!
Të tria këto Pajtime qeveritare, të tria këto Marrëveshje, janë gabime të mëdha, historike, të cilat Kosovës i morën shumë kohë, të cilat kam drojë se do të paguhen shtrenjtë me territor, me sovranitet të cenuar, me siguri të rrezikuar.
– Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale. Pamë se fituese në këtë proces dolën AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, kurse LDK-ja nuk doli keq pasi ruajti votën në bastionet e saj, por PDK-ja humbi katër komuna në të cilat qeveriste. Komenti juaj për këtë proces zgjedhor?
-Po dëgjoj në televizione analistë, anëtarë të organizatave joqeveritare, anëtarë të partive pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale, në të vërtetë në rizgjedhjet lokale, që po i quajnë balotazh, se partitë pjesëmarrësve kaluan më mirë a më keq, korrën sukses a pësuan varësisht prej kandidatëve të propozuar për kryetar të komunave. Sipas mendimeve të mia, kandidati për kryetar, meritat a pameritat e tij, aftësitë a paaftësitë e tij, virtytet a veset e tij, nuk më duken në këto zgjedhje shkaku kryesor i suksesit a i dështimit të Partisë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës korri suksesin më të dukshëm në këto zgjedhje sepse Ramush Haradinaj ishte kryeministër; sepse Ramush Haradinaj ishte dy herë në Gjykatën e Hagës; sepse Ramush Haradinaj ishte i ndaluar, në të vërtetë i burgosur vjet në Francë ndoshta edhe për shkak të deklaratës skandaloze të kryeministrit të ardhshëm, Isa Mustafës, ndaj tij; sepse para zgjedhjeve Ramush Haradinaj paraqitej me një gjuhë popullore, me sintaksë, me frazeologji, me vjetërsi popullore, që e pëlqen populli.
Lidhja Demokratike e Kosovës ju po thoni se nuk doli keq në këto zgjedhje e unë mund të them se doli shumë mirë sepse ajo e organizoi fushatën më mirë se partitë e tjera, e organizoi me rend, me shumë pjesëmarrës, me shumë demagogji, me shumë mashtrime, me shumë retorikë boshe patriotike, të cilave numër i madh i zgjedhësve tanë lehtë u besojnë. Përvoja politike e pushtetore, organizuese e fushatore e Lidhjes Komuniste edhe më tej po i shërben mirë Lidhjes Demokratike!
Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë kaluar pak më mirë se në zgjedhjet e kaluara lokale, por jo si e sa është pritur. Fushata e saj ishte më shumë bashkëkohore, domethënë pak a shumë më larg shijes tradicionale të numrit më të madh të votuesve tanë!
Partia Demokratike e Kosovës ishte dështuesja e këtyre zgjedhjeve lokale. Dhe, ishte dështuesja e këtyre zgjedhjeve për shkak se, e them me keqardhje, prestigji i saj në opinion ka rënë dhe ka rënë për një varg arsyesh. Sa shoh, sa dëgjoj, sa lexoj, shumë njerëz e fajësojnë PDK-në për një varg të këqijash në Kosovë sot! E fajësojnë për korrupsionin, për nepotizmin, për politikën e Jashtme shumë më servile se ajo e LDK-së e për disa probleme të tjera. Kryetari i tashëm i PDK-së, Kadri Veseli, nuk është, por, në qoftë se vazhdon me disa sjellje, veprime, mendime të tanishme, mund të bëhet fajtor për mossuksese të mëtejme të PDK-së. Fajtori kryesor i mossuksesit të PDK-së në këto zgjedhje, si edhe në zgjedhjet e përgjithshme më herët, i rënies së prestigjit të saj, i dëshpërimit të shumicës së njerëzve në politikën e saj, është ish – kryetari Hashim Thaçi. Ai me politikën e tij kuadrore ka dëmtuar PDK-në. Ai në vazhdimësi është kujdesur të rrethohet me njerëz servilë, me njerëz servilë në të gjitha fushat në të cilat shtrihej politika e tij, në parti e në qeveri. Prej numrit më të madh të qytetarëve, prandaj edhe prej qytetarit të Prishtinës, Rexhep Qosjes, ai fajësohet edhe për Korrupsionin pandemik edhe për Nepotizmin primitiv, sepse për parandalimin e tyre në të vërtetë nuk ka bërë asgjë, në kohën e qeverisë së tij nuk janë marrë kurrfarë masash! Fajësohet ai edhe për disa të këqija të tjera të sotme politike për të cilat flasin të tjerë. Ai tani është liruar prej detyrës së kryetarit të PDK-së, ua ka lënë të tjerëve kazanin e mbushur, dhe po shikon prej anash çka krejt po vlon në të! Nuk duhet, në asnjë mënyrë, dhe kurrë, PDK-ja të bëjë çka bënte dhe çka bën LDK-ja: të bëjë deputetë, të avancojë në parti gazetarë e gazetare, me gatishmëri delikuentësh për të përndjekur gojarisht e me shkrime intelektualët që kritikojnë politikën e saj apo pushtetarë të saj! E këtë po e bën PDK-ja, e bënte gjatë disa vjetëve të kaluar e po e bën vrazhdë edhe sot. U pa kjo edhe muajin e fundit! E të tjera, e të tjera!
– Kohët e fundit në opinion është krijuar përshtypja se ju jeni përkrahës i politikës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në shumë raste keni dalë me qëndrime në mbrojtje të veprimeve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje?
-Unë jam krijues, intelektual i pavarur, me bindje politike e shoqërore socialdemokrate. Dhe, për arsye të programit të saj në thelb socialdemokrat Lëvizja Vetëvendosje objektivisht, sot, më është më e afërt se partitë e tjera të quajtura të mëdha, politikat dhe ideologjitë e të cilave hidhen sa djathtas, sa majtas, sa në mes, e më së shpeshti në xhepin vetjak e partiak! Por, nuk e quaj veten të bashkuar me asnjë parti, prandaj as me Vetëvendosjen.
Kam drojë se, si po i perceptoj disa heshtje të saj, një ditë do të mund të jem i dëshpëruar edhe në Vetëvendosjen. Ajo e di, është e informuar mirë, se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, fjala vjen, po shkel Kushtetutë dhe ligje. Pranimi i zyrtarëve, në pozita partiake e shtetërore, në Akademi, qoftë edhe në zgjedhjet e fundit, është konflikt i qartë e i rëndë i interesit! Herën e fundit ka ndodhur të pranohen në Akademi individë, që për vepra shkencore quajnë e kanë kryesisht dispensa për studentët. Vetëvendosje i ka dëgjuar e i ka parë këto delikte por hesht. Dhe, hesht, ndoshta, pse ndonjëri prej zyrtarëve të saj shpreson se një ditë më lehtë do të pranohet në Akademi duke i duruar sesa duke i dënuar deliktet e saj, që duhet të dënohen jo vetëm gojarisht e politikisht.
Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës po shkelen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës pos të tjerash, edhe duke ua marrë krijuesve të shquar të Kosovës të drejtën për t’u zgjedhur në Akademi mbi moshën 65 vjeçare thuajse Akademia është sipërmarrje e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe në moshën 65 vjeçare nuk mund të punësohesh në atë sipërmarrje! Vetëvendosja e di këtë delikt që e bën urrejtja ndaj të talentuarve, por vazhdon të heshtë, siç hesht LDK-ja, ish kryetari i së cilës është bërë anëtar i Akademisë pa kurrfarë merite shkencore dhe duke qenë kryetar i Prishtinës e, mandej, i LDK-së! Vetëvendosja i di këto marifete kundërkushtetutare dhe kundëretike por hesht, hesht duke dëshpëruar ashtu shumë intelektualë!
A mendon Vetëvendosja se Kosova mund të shërohet politikisht e ligjërisht me fjalë e fjali përgjithësuese, abstrakte e jo duke u shëruar veç e veç, konkretisht, institucionet e saj, njësitë e saj politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore, siç është Akademia e kalbur e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës? Në qoftë se të parët e saj do të vazhdojnë ashtu të mendojnë Vetëvendosja do të mendojë e veprojë gabimisht.
Ju thatë se unë kam “dalë me qëndrime në mbrojtje të veprimeve të aktivistëve të Lëvizjes së Vetëvendosjes”. Ju harruat se unë jam shprehur kundër hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por, unë mbroj aktivistët e Vetëvendosjes kur ushtrohet dhunë ndaj tyre, kur shkelen të drejtat e tyre njerëzore, kur sulmohet Vetëvendosja siç u sulmua me shpifje, me rrena, me denoncime, me urrejtje qe sa kohë, sidomos mbas fitores në zgjedhjet e përgjithshme dhe tani në prag dhe gjatë zgjedhjeve lokale, që u sulmua prej PDK-së dhe LDK-së. Unë e mbroj Vetëvendosjen sepse LDK-ja e PDK-ja bëjnë përpjekje për shpërbërjen e saj, zhdukjen e saj, ndërsa Vetëvendosja me politikën dhe programin e saj i duhet shumë Kosovës. Edhe fushata e tashme, e egër, me veprime neofashiste ndaj aktivistëve të burgosur të saj, tani edhe ndaj figurave më të shquara të saj, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut e Donika Kada Bujupit e dëshmon qartë këtë egërsi politike, pushtetore, policore e “gjykatarë” të LDK-së e të PDK-së ndaj Vetëvendosjes! Unë mbroj të drejtën. Nesër mund të jetë dikush tjetër i cenuar, kurse unë do të vazhdoj të jem në anën e të cenuarve padrejtësisht.
Si të mos mbroj unë aktivistët e Vetëvendosjes? Si? Unë them: si të mos dilet në mbrojtje të aktivistëve të Vetëvendosjes? Ata me muaj, me vite, po terrorizohen duke u çuar në gjykata! Ata me muaj, me vite, po terrorizohen me burgje! Ata po terrorizohen duke u hequr zvarrë nëpër rrugë, sheshe e gjykata vetëm pse paskan hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, gaz lotsjellës që policia ua hedh qytetarëve gati çdoherë kur bëjnë protesta! Si të mos dilet në mbrojtje të aktivistëve të Vetëvendosjes kur Gjykata Themelore e Prishtinës, e urdhëruar prej dy partive kundërshtare të Vetëvendosjes LDK-së e PDK-së, i dënon pa kurrfarë dëshmish një vajzë e tre djem të saj me 21 vite dhe gjashtë muaj burgje, ani për çka se i dënon: për terrorizëm ndaj tullave, sepse gjoja paskan thyer një tullë e gjysmë e katër gjysma të xhamave në Kuvendin e Kosovës!
Si të mos dilet në mbrojtje të Vetëvendosjes kur PDK-ja bëhet me LDK-në – me partinë që s’ka lënë gjë, s’ka lënë të zezë pa folur, pa shkruar, pa botuar, pa bërë kundër UÇK-së në kohë të Luftës këtu në Kosovë, dhe shumë kund në botë, dhe bëhet me LDK-në vetëm e vetëm për t’ua rrëmbyer fitoren kandidatëve të Vetëvendosjes në Prishtinë dhe në Prizren!
Dhe, si t’ua rrëmbejnë fitoren, me çka? Natyrisht me dhunë, me dhunë politike dhe retorike sepse në paqe i humbën zgjedhjet e përgjithshme dhe këto zgjedhjet lokale dhe u përpoqën t’ua rrëmbejnë fitoren, shpejt, pa marrë frymë mirë, madje pa u numëruar edhe votat me kusht. Domethënë pa u kryer procesi zgjedhor! Dhe kërkuan me mjetin e dhunës politike e retorike që të numërohen të gjitha votat edhe pse nuk ishin paraqitur ankesa ndaj zgjedhjeve, edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, deklaroi se “këto zgjedhje ishin më të mirat prej vitit 2008”.
Por, fatmirësisht Kosova s’i ka të gjitha gjykatat si Gjykatën Themelore të Prishtinës. Fatmirësisht Kosova ka edhe gjykatë siç është Gjykata Supreme e Kosovës. Kjo gjykatë vendosi, shpejt, në favor të ankesës së Vetëvendosjes dhe ashtu mposhti dhunën politike dhe retorike të LDK-së e PDK-së ndaj zgjedhjeve lokale, në të vërtetë ndaj Vetëvendosjes.
Fatmirësisht dje u mor vendim, juridik dhe etik them, edhe për lirimin e dy deputeteve Albulena Haxhiu e Donika Kadaj Bujupi dhe të deputetit Albin Kurti. Ata që i burgosën, në sajë të vendimit të gjykatës, patën mirësinë që këta tre deputetë prej burgut t’i çojnë shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre. Dhe kështu për të mirën e Kosovës ngadhënjyen edhe Drejtësia edhe Etika. Por, unë dua të shpresoj se Drejtësia e Kosovës do t’i sjellë edhe një ngadhnjim të madh juridik e etik vetvetes, prandaj edhe Kosovës: do t’i lirojë katër aktivistët e Vetëvendosjes, Adean, Frashërin, Egzonin dhe Atdheun të dënuar me 21 vite e gjashtë muaj burgje për terrorizëm të trilluar ndaj tullave!
Padrejtësinë, rrenat, mashtrimet nuk i duroj dhe shprehem e do të shprehem kundër autorëve të tyre derisa të jem gjallë.
Padrejtësinë, rrenat, mashtrimet nuk i duroj dhe për të gjallë tim do të jem në mbrojtje të atyre që u bëhen padrejtësi, në mbrojtje të atyre kundër të cilëve veprohet e flitet me rrena, me mashtrime, me urrejtje.
– Me sa di nuk jeni deklaruar për Qeverinë Haradinaj. Cili është opinioni juaj për këtë qeveri e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj. A mund ta përfundojë mandatin e plotë? -Për Ramush Haradinajn kryeministër i Qeverisë PDK-AAK-Nisma kam folur shkurtimisht në bisedën (intervistën) në gazetën e Tiranës Dita më 15 shtator 2017.
Mendoj se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka bërë mirë as për veten e tij e as për Kosovën, shtet i vogël dhe i varfër, pse ka krijuar një qeveri me 21 ministri – sa Kina! Thuhet se sa më e pa dije të jetë një qeveri aq më shumë krijon ministri.
Ramush Haradinaj nuk ka bërë mirë as për veten e as për Kosovën pse 21 ministrive ua ka caktuar 50 e sa zëvendësministra! Domethënë se çdo ministri ia ka siguruar nga 5 zëvendës! Shumë edhe për Britaninë e Madhe apo Gjermaninë!
Ramush Haradinaj nuk ka bërë mirë as për veten e as për Kosovën pse ia ka caktuar 15 këshilltarë vetes: tepër edhe po të ishte Kosova Kinë apo Indi.
Ramush Haradinaj nuk ka bërë mirë as për veten e as për Kosovën pse ka mbledhur disa qinda, mediet po thonë një armatë, zëvendëskryeministra, ministra, zëvendës të tyre, zëvendës të tjerë të ndryshëm, këshilltarë e nëpunës të ndryshëm në qeverinë e tij dhe rreth qeverisë së tij! Shumë, shumë edhe po të ishte Kosova Kinë, Brazil apo Indonezi!
Ramush Haradinaj nuk ka bërë mirë as për veten e as për Kosovën pse ka lejuar, shumë shpejt mbasi është zgjedhur kryeministër, që të zgjidhet dhëndri i tij drejtor a kryetar a nuk e di në çfarë pozite udhëheqëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Dhe, më tej, Ramush Haradinaj nuk po bën mirë as për veten e lëre më për Kosovën pse po punëson aktivistë partiakë e dashamirë të tjerë të ndryshëm partiakë që kanë mbetur pa punë apo që s’janë në punët që u pëlqejnë shumë. Në këtë mënyrë ai na dha shpejt dëshmi se mund të bëhet përkrahës i Prontos e bashkëprontësve, që dikur me të drejtë i kritikonte aq fort.
Ramush Haradinaj nuk po bën mirë për veten e sidomos nuk po bën mirë për Kosovën që i heshtur po e shikon gjendjen e palejueshme, të dëmshme, abuzuese në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, e cila si institucion i LDK-së e tani gjithnjë e më dukshëm i LDK-së e PDK-së, është bërë shtëpi private e një klani të zhytur në delikte politike, shoqërore e profesionale në atë shtëpi të saj private, e një klani që Akademinë e ka privuar nga misioni i saj kërkimor e shkencor dhe e ka bërë shtëpi botuese me të cilën po mbledh para prej taksapaguesve, e një klani që Akademinë e ka bërë institucion që ushqen e zbaton mosdurimin ndaj studiuesve e krijuesve më të talentuar të Kosovës, e një klani të bërë klan zhvatës, të privilegjuar, që për të ruajtur ato privilegje nuk ngurron të përkrahë marrëveshje që cenojnë edhe territor, edhe sovranitet të Kosovës, e një klani i cili me shumë mosdurim i lexon e i përjeton idetë për krijimin e disa strukturave të përbashkëta me Akademinë e Shkancave të Shqipërisë, që do të bëhen baza për bashkimin e ardhshëm të këtyre dy akademive në një Akademi Gjithëkombëtare të Shkencave e të Arteve – e për çka do të mund të bëhej fjalë edhe në mbledhjen e dy qeverive në Korçë, më 27 nëntor 2017.
– E kemi menduar këtë bisedë me 7 pyetje, prandaj po ua bëj edhe një pyetje. Çka mendoni për mediet në kushtet tona të sotme?
– Kemi mjaft medie. Kemi medie më shumë e kemi medie më pak të mira. Kemi gazetarë të aftë, kemi gazetarë që respektojnë kodin etik të gazetarisë dhe kemi gazetarë që e shkelin shpesh atë kod. Kemi gazetarë të pavarur dhe kemi gazetarë që ua shesin shpirtin zyrtarëve a institucioneve të ndryshme politike, partiake e shtetërore. Për mediet tona kam shkruar më gjerësisht në librin tim të fundit Pushteti i korruptuar – protaginistët dhe viktimat. Në këtë rast dua të shpreh një shqetësim të veçantë që nuk e kam theksuar në atë libër. Më shqetëson shumë krijimi i një klase të re të përbërë prej njerëzve të politikës të pasuruar duke zhvatur Kosovën dhe prej gazetarëve të ndryshëm po ashtu zhvatës të Kosovës, të pasuruar duke u shërbyer njerëzve politikë dhe institucioneve të kapura prej tyre. Përballë kësaj klase të re të shfrytëzuesve, të eksploatuesve, qëndron klasa e të varfërve, e skamnorëve, të cilët kërkojnë mënyra për të braktisur Kosovën dhe për të gjetur shpëtim social në botën e huaj. Mjerisht!
Dita e flamurit është festa më e madhe në historinë e popullit shqiptar. Ta festojmë të gëzuar. Por, natyrisht, numri i festave nuk është i madh, ato kalojnë shpejt e me to kalojnë edhe gëzimet festive. E viti, ndërkaq, ka 365 ditë të mbushura me gjithfarë ndjenjash e mendimesh.
Gjendjen tonë politike e shoqërore në këtë kohë e shënojnë shumë të këqija për disa prej të cilave u fol edhe në këtë bisedë: ato e hidhërojnë dhe e dëshpërojnë popullin. E kuptueshme, prandaj ndjej nevojë që t’ia bëj popullit një lutje:
Hidhërohu popull!
http://www.gazetadita.al/rexhep-qosja-hidherohu-popull/