Nga Bardhi Quku
Rajoni i Ballkanit nuk është duke kaluar ditë të mira. Për ta vërtetuar këtë gjendje mjafton të shqyrtosh situatat politike në shtetet e këtij rajoni. Në këtë analizë përjashtim mund të bëjë vetëm Bosnje-Hercegovina, e cila qysh në gjenezën e saj si shtet i pavarur, ka qenë e mbërthyer nga krizat e herëpashershme dhe mungesa e stabilitetit.
Mali i Zi
Mali i Zi, arriti me sukses të dilte nga zgjedhjet parlamentare, zgjedhje këto që prodhuan dhe një tentativë për atentat ndaj ish-kryeministrit Milo Gjukanoviç. Por, së fundmi dëshmitari kryesor në gjykimin për përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi, Sasha Sindeliç ka thënë se është paguar nga një zyrtar i inteligjencës ruse për të organizuar përmbysjen e qeverisë me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të këtij shteti në NATO.
Sipas BIRN, Sindeliç ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetin rus se qëndron prapa komplotit të vitit të kaluar për rrëzimin e qeverisë në Podgoricë. Sipas prokurorisë malazeze, Sindeliç është i vetmi person që ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me rusët, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, për të cilët besohet se janë zyrtarë të inteligjencës ushtarake ruse dhe që akuzohen si dy organizatorët kryesorë për rrëzimin e qeverisë malazeze më 16 tetor të vitit të kaluar.
Megjithatë, Podgorica arriti të anëtarësohej në Aleancën e Atlantikut të Veriut duke u bërë anëtarja më e re e kësaj organizate. Ky ishte një vendim që nuk kaloi në qetësi.
Sinjale të shumta dhe të drejtpërdrejta, paralajmëruan klasën politike në Mal të Zi që të hiqte dorën nga ky skenar.
Këto sinjale dhe paralajmërime, të cilat vinin nga Moska, kalonin herë pas herë, edhe nëpërmjet Beogradit. Për të faktuar këtë, mjafton të përmendet se njëri nga personat që do kryente atentatin ndaj Gjukanoviç, ishte serbi i lartpërmendur.
Megjithatë, Mali i Zi arriti të dilte nga kjo spirale kërcënimesh, duke arritur të bëhej pjesë e NATO-s.
Pavarësisht këtij hapi shumë të rëndësishëm, pengesat për Malin e Zi nuk kanë të ndalur; incidente sporadike, protesta në dukje të heshtura, që kërcënojnë rrëzimin e qeverisë. Por, ajo çka ofrohet për ta zëvendësuar atë, është një qeveri, më shumë pro-ruse, sesa pro-serbe.
Maqedonia
Një tjetër vend i rajonit të Ballkanit, i cili kaloi një furtunë të vërtetë sulmesh fizike, politike dhe kibernetike, ishte Maqedonia.
Shkupi, i cili kërkon të anëtarësohet në NATO, të zgjidhë problemin e emrit me Greqinë dhe ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, premton publikisht se nuk do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Duke gjykuar gjithë panoramën e politikës së brendshme dhe të jashtme maqedonase, Zoran Zaev, pasi u gjakos në Parlament, ku edhe këtu ishte një agjent serb, ai që organizoi trazirat, tashmë po përpiqet që të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë vendet.
Ndërkaq, në horizont po shfaqet një përballje e re me Shqipërinë. Kjo përplasje lidhet për minoritetin bullgar në Shqipëri në zonat e njohura e të pretenduara nga maqedonasit. Pavarësisht faktit se nuk ka pasur një qëndrim zyrtar të Tiranës ndaj pretendimeve të Maqedonisë, kjo situatë nuk ka kënaqur nacionalistët maqedonas dhe ndoshta mund të çojë në një krisje mes Tiranës e Shkupit.
Kosova
E gjymtuar nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe me një qeveri me paterica, shteti i Kosovës kërkon të bëjë me të mirën e tij. Por, përpara ka shumë pengesa; demarkacionin me Malin e Zi, që e mban peng, liberalizimin e vizave dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Nëse për të parën, është gjithçka në dorë të klasës politike shqiptare në Kosovë dhe të kapriçove të tyre, për rastin e dytë, gjithçka është në dorë të ndërkombëtarëve dhe të deputeteve serbë në Parlamentin e Kosovës, pasi pa ta, nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese.
Prishtina zyrtare nuk po arrin të formulojë një qëndrim të qartë mbi kufirin me Malin e Zi, edhe pse kryeministri Haradianaj dhe qeveria e tij është në detyrë prej disa muajsh.
Kryeministri i Kosovës ka artikuluar shpeshherë nëpër dhëmbë se kur të ketë zhvillime të reja do t’i adresohet Podgoricës. Haradinaj po gjendet mes dy presioneve; atij ndërkombëtar dhe atij opozitar në Kosovë. Se cili do të fitojë në këtë përplasje, kjo mbetet për t’u parë.
Ndërkaq disa ditë më parë Presidenti Thaçi i adresoi një kërkesë gati në lutje homologut të tij shqiptar; qytetarët e Kosovës të pajisen me pasaporta shqiptare. Kjo ishte si një rrufe në qiell të hapur.
Presidenti Thaçi, i zënë ngushtë nga pamundësia apo paaftësia e politikës në Prishtinë, kërkoi ndihmë tek politika shqiptare; një ndihmë kjo që pavarësisht dashamirësisë, është e pamundur, pasi do të rrezikonte liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Serbia dhe interesat ruse në Ballkan
Serbia dhe aleati i saj tradicional e historik, Rusia, kundrojnë me vëmendje gjithë këtë situatë kaosi në rajonin e Ballkanit. Të dyja shtetet e shohin gjendjen politike të vendeve të tjera si një mundësi për të përfituar politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin gjeopolitik.
Ndërkaq, vetë Beogradi po përballet me sfidat e tij. Një prej tyre është edhe dilema në orientimin e tij me dy kahe, ku nga njëra anë është procesi i integrimit në Bashkimin Europian dhe në anën tjetër, mikpritja e politikave ruse në Ballkan.
Për politikën serbe mosintegrimi në Union nuk është ndonjë humbje e madhe. Por, forcimi i bashkëpunimit me sivëllain ortodoks, Rusinë, shihet me prioritet. Orientimi serb kah Moskës është shpërblyer nga kjo e fundit me mbështetje politike, diplomatike dhe ushtarake.
Mbështetja më e fundit ka qenë përmes dërgimit të avionëve luftarakë MiG-29 në Serbi, kur tensionet në Ballkan sa vijnë edhe rriten.
Nga ana tjetër, Kremlinit i intereson destabilizimi sa më parë i Ballkanit, pasi për të përkthehet në një mundësi për të shtrirë ndikimin e tij në këtë rajon. I vetmi vend besnik i ka mbetur vetëm Serbia.
Duke u gjendur në këtë situatë, diplomacia ruse po shfrytëzon çdo mundësi për të sulmuar Kosovën, që nga paralelizmat që hiqen me Krimenë, apo me rastin e fundit të Katalonjës. Për këtë arsye, Moska ka investuar në super ambasada me stafe prej qindra personash.
Rusia ka përqendruar gjithë arsenalin e saj politik dhe diplomatik për të fituar krenarinë e dikurshme. Ky sulm është i fokusuar në gjithë rajonin e Ballkanit, të cilës nuk i ka shpëtuar as Shqipëria. Përmes diplomacisë së saj publike Rusia ka ushtruar ndikimin e saj herë përmes artit e herë nëpërmjet nostalgjikëve të Bashkimit Sovjetik apo studentëve dhe ish-studentëve që kanë përfunduar studimet në këtë vend. Rusia kërkon me ngulm të jetë e pranishme në mënyrë të vazhdueshme në rajonin e Ballkanit.
Pavarësisht se në dukje ndikimi i saj është i disfavorizuar, Moska po shfrytëzon krizën e brendshme politike të shteteve të Ballkanit dhe dobësinë e politikës së tyre të jashtme. Për këtë arsye, nevojitet një investim permanent i Bashkimit Europian në këtë rajon, në mënyrë që të mbyllet edhe dritarja e fundit serbe, përmes së cilës Rusia depërton në rajon.
/tiranatoday.com/