Nga Mark Brunga
Nuset zbukuroheshin në periudhën e viteve ‘70-‘80 të shekullit të kaluar nga disa gra dhe vajza të afirmuara profesioniste që e ushtronin këtë profesion në ilegalitet. Natyrisht përveç parukerive shtetërore të cilat nuk i shkelnin standartet zyrtare të paraqitjes qytetare që kërkonte sistemi. Grimieret ose zbukurueset zakonisht shkonin si për vizitë në shtëpinë e vajzave që martoheshin, siç kryhej trend i vizitave para martesës te shtëpia e vajzave ku shihej si kishte dale nusja por edhe paja që kishte pregatitur.
Në këtë kohë, kryesisht para fluksit të vizitave që bëheshin në familje nga të afermit, komshinjtë dhe kolektivat e punës së vajzës ose dhe të prindërve të saj, ajo mbyllej në njërën prej dhomave ku dhe përpunoheshin nga zbukurueset (grimieret), të cilat ishin të rralla dhe arrinin t’i transformonin shpesh vajzat, “sa te mos njiheshin se kush kishin qënë”. Në Durrës ka pasur disa nga këto zbukuruese me emër mes të cilave është shquar Violeta Burgia. Në periudhen e viteve 60- të ajo kishte ardhur në Durrës nga Tirana dhe kishte rënë në sy për një bukuri të rrallë.
Sikur të kishte pasur në atë periudhe konkurse miss-esh me siguri, shprehet edhe sot opinioni qytetar, ajo do të kishte qënë missi me jetëgjatë në Durrës. E martuar me Bajram Burginë, një djalë bukurosh me origjinë nga Kosova, çifti mbetet ende në kujtesë si një nga çiftet rinore më ideale të asaj periudhe. Por të ndjekur nga hija e luftës së klasave për arsye biografike , ata e patën jetën shumë të vështirë. Kishin kaluar vite dhe thuajse ishin harruar këto histori tashmë, kur në një libër të mikut të vjetër që e kam njohur si një piktor shumë të talentuar dhe njeri të mrekullueshëm Tahsin Demiraj “Këtu bije erë” ndesha kujtimet e tija se si Violeta ishte kërcënuar për ta internuar për shkak të zbukurimit të nuseve.
Tahsini, mjeshtër në pikturimin e detajeve të veçanta edhe në prozën e rrallë të tijën, sjell një detaj në këtë libër se deri ku shkonte injoranca e disa kuadrove të paafta, që kërkonin deri që nuset të mos lyheshin dhe të bënin tualet, disa muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Kur zija shtetërore e shpallur ishte mbyllur. Realisht në atë periudhe një grup veprimtarësh të frontit i bllokuan muziken pas mesnate një dasme në Shkozet, që bëhej në natyrë, pasi sipas tyre nuk mund të bëhej muzikë në nderim të vdekjes se Enver Hoxhës. Kjo ngjarje ka ndodhur në shtator të vitit 1985.
Kërcënimi për të internuar zbukuruesen elegante
Tahsini e sjell detajin thjeshtë, pa ngarkesa… Ai shkruan se qe ndaluar që gratë të bënin tualet. Sekretarja e Partisë thirri Leta Burginë që merrej me zbukurimin e nuseve dhe e porositi: Ty të kemi thënë disa herë që të heqësh dorë me ato zbukurimet që ju bën nuseve dhe nuk na dëgjon, po kësaj here po të them me përgjegjësi Partie ! …Sakën se shkon të zbukurosh nuse të reja , ndryshe do të merret Komisioni i Dëbim Internimeve me ty dhe mund t’ju internojmë andej nga Bashtova.
Uuuah- klithi Leta…Jo, jo nuk merrem më me zbukurime nusesh. Më mirë rrojmë me pak se sa të na nisin internimeve.
Reaksioni në familjen e Letës
Tahsini përshkruan edhe reaksionin që pati kërcënimi për internim. Në bllokimin e veprimtaris së sajë për të zbukuruar nuset e qytetit bregdetar të Durrësit. Leta hyn në shtëpi dhe thërret: Uaaaa çmë ka gjëtur sot.
Cfarë moj?, i thotë Bajrami
Nemni një gotë me ujë se mu tha fyti-tha dhe shkoi e u ul mbi poltronin e meshintë.
Bajrami i dha gotën e ujit, djemtë ju ulen pranë njëri në një anë dhe tjetri në anën tjetër.
-Si duket Dulla na e mori të keqen.
-Pusho se do na marrin në qafë! Mbyllni dritaret, ju tha djemve.
Të dy djemtë u ngritën në këmbë, njëri mbylli njërën, tjetri vajti dhe mbylli ato të dhomës së pritjes dhe derën e sallonit.
-Ai na mori të keqen…
– Po ju pati thënë baba se ai ka kohë që ka vdek…tha Bajrami.
-Po, po po mua ma tha ajo kecka…dhe te mos të nigjoj ma se shkon e zbukuron nuset – më tha… këndej e tutje nuk do të ketë më zbukurime… nuk do të ketë më festa as për martesa as për ditëlindje e as për vitin e Ri… Mund të themelohet vetëm dita e themelimit të Partisë…
Bile edhe orkestrat nepër dasma do të ishin më të përmbajtura, vetëm me një fizarmonikë dhe një def, jo me instrumenta të tjera muzikore, jo me bateri…Ky qe përshkrimi që sjell në librin me titullin “Këtu bije erë” Tahsin Demiraj për kërcënimin që i u adresua zbukurueses së nuseve në prill të vitit 1985.
Violeta kujton vitet kur ishte e preferuara e dasmave durrsake
Violeta Burgija, pas kaq vitesh thotë se kaq shumë qe tronditur sa që as sot nuk dëshiron që ta kujtojë atë skenë tronditëse. Po dhe shumë të tjera si ajo. Në Durrës erdhi shumë e re 18 vjeçe, por më parë kishte marrë një certifikatë profesionale për parukiere në Tiranë. Ishte në atë kohë një parukiere hungareze e shkëlqyer që e kishte trainuar. Truda quhej, kujton Violeta. Te rruga e “ Barrikadave “. Po në Durrrës nuk më punësuan si parukiere për arsye biografike. Atëherë, vijon rrëfimin ajo, fillova të punoj vetë te ata që më thërritnin. Durrësi kishte vajza shumë të bukura.
Që dilnin nuse të mrekullueshme pasi u bënim grimin. Kjo dhe për faktin që vajzat në atë kohë nuk bënin tualet kur ishin beqare dhe pasi u bënim grim ato si të thuash transformoheshin tërësisht. Shumë prej tyre edhe pas kaq vitesh më takojnë edhe falënderojnë në rrugë. Ato më kujtojnë vitet kur shumë vajza e kishin ëndërr që të zbukuroheshin nga unë… Po ky profesion, tregon Leta, kishte edhe probleme me mungesat e shumta të bazës materiale. Këtë mungesë e plotesonim me mundesite që kishim në bazë të njohjeve personale.
Kur i bënim tualet ndonjë gruaje marinari, ato na jepnin ndonje të kuq buzësh, lapsa etj. Po unë kisha edhe shumë të njohura grimiere në Kinostudjo, që më ndihmonin, madje duke qënë se kishin materiale cilësore, falë edhe intuites sime në performimin e nuseve duke u a përshtatur edhe tipareve të aktoreve italiane në zë që ndiqnim në televizorë, më bente konkuruese ndaj të tjerave. Për këtë më thërrisnin edhe në dasmat e përfaqësuesve të nomenklaturës, drejtorë, drejtoresha, sekretarë partishë të organizmave të ndryshme. Këtyre vetëkuptohet që nuk u merrja lekë. Po ashtu pa pagesë punoja edhe për shoqet e mia të ndermarrjes kur martoheshin. Ndërsa për të tjerat çmimet varionin fillimisht në 700 lekë dhe me vonë arriten në 2500 lekë.
/shqiptarja.com/