Nga Blendi Fevziu
Kanë mjaftuar disa materiale të publikuara në dhjetë ditët e fundit për të hapur një kuti të zezë të politikës shqiptare dhe padyshim vesin më negativ dhe më problematik të saj, lidhjet me krimin.
Kanë qenë fillimisht krerët e partive opozitare, Basha dhe Kryemadhi që kanë afishuar në emisionin “Opinion” fotot e disa politikanëve të rëndësishëm të PS-së të shoqëruar me persona në kërkim nga autoritetet italiane. Fotot, një pjesë e të cilave në zyrat elektorale të PS, u pasuan të nesërmen nga një tjetër foto, ku po i njëjti person që shfaqej në mbedhjet e PS kishte pozuar edhe në çadrën e protestës së PD!
Vetëm 4 ditë pas fotove, PD publikoi një dosje hetimore italiane, ku gjendeshin mbi 400 faqe përgjimeve të Habiljave të Vlorës, të cilët, përfshinin edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit, në një gjest, që është padyshim më i forti i 25 viteve të fundit. Deputetët u ndanë në Komisionin e Mandateve, por historia nuk mbyllet këtu. Nuk mbyllet as të mërkurën, kur të votohet për fatin e Tahirit. Nisur edhe nga informacionet që po qarkullojnë e që po paralajmërohen prej kohësh, pyetja bazë është: a janë këto materialet të vetme dhe sporadike apo pjesë e një fushate për pastimin e politikës dhe prerjet e lidhjeve të saj me krimin? A është kjo një betejë e disa partive opozitare që po demostrojnë pak materiale kompromentuese që kanë apo më tej? Një fushatë e ngjashme me atë të Zaevit në Maqedoni që publikoi disa mijëra përgjime dhe tronditi thellë vendin? A është një betejë vetëm e Prokurorisë, që ka vendosur të veprojë më në fund apo diçka më e madhe? Pyetja padyshim që meriton një analizë më të thellë. Dhe nis thuajse një vit e gjysëm më parë.
Në momentin që kanabisi ishte në kulmin e kultivimit të tij dhe kur ambasadorët e huaj thuajse nuk flisnin për të, në Tiranë u shfaqën disa zyrtarë ose oficerë të organeve ligjzbatuese të vendeve të ndryshme të BE-së që nisën të marrin informacione nga gazetarë dhe njerëz të specializuar pikërisht këtë problem. Nga vjeshta e vitit të kaluar, në Tiranë u shfaqën ekipe të mediave kryesore europiane si M6, BBC, DW e të tjera, të cilat nisën ta etiketojnë Shqipërinë, në ekranet e tyre, si eksportuesin më të madh të kanabisit në Europë. Për këtë deklarim ata referonin burimet e shërbimeve të tyre sekrete.
Në fillim të vitit, në mediat tona nisën të shpërndahen informacione që ishin furnizuar nga shërbimet dhe zyrat ligjzbatuese perëndimore. Ato flisnin për fuqizimin e krimit të organizuar në Shqipëri dhe për rrezikun, ende të pakonfirmuar, se ai mund të përdorej nga terrorizmi.
Disa muaj më parë, po këto burime, në kontrast me qetësinë diplomatike, nisën të flasin për një rrezik të drejtpërdrejtë që i qaset Shqipërisë dhe të paralajmërojnë publikimin e dokumentave që kompromentojnë njerëzit e fuqishëm politik në Shqipëri. Cili ishte shqetësimi që ata kanë shprehur në takime me shumë njerëz influentë në media dhe jo vetëm?
Shqetësimi i parë dhe kryesor ka qenë fakti që kultivimi thuajse legal i kanabisit po fuqizonte tej mase bandat dhe krimin e organizuar në vend. Ky fuqizim mund të paralizonte policinë, gjyqësorin, prokurorinë dhe padyshim mund të blinte lehtësisht politikën. Ose mund ta bënte krimin pjesë të politikës, siç kishte ndodhur në disa raste në 2013. Pra, krimi po bëhej aq i fuqishëm sa çrrënjosja e tij do ishte shumë e vështirë.
Shqetësimi i dytë ishte lidhja e politikës me krimin. Po sipas këtyre burimeve qyteti i dytë dhe i tretë më i madh i Shqipërisë janë thuajse krejt nën kontrollin e bandave që i përdorin institucionet si ndërmarrje private. Dokumentat që qarkullojnë dëshmojnë me foto dhe me tekst ndikimin që bandat kriminale të këtyre qyteteve kanë mbi pushtetin vendor.
Shqetësimi i tretë ishte “legalizimi” i krimit dhe sfida thuajse publike që ky po i bën qytetarëve normalë të këtij vendi. Përfaqësues të përfitimeve të paligjshme dhe kriminale janë fotografuar për javë të tëra në rrugët e qyteteve kryesore, në restorante dhe në klubet e natës. Shpesh herë në shoqërinë e njerëzve me pushtet në këtë vend. Ajo që bie në sy është moskokëçarja e këtyre keqbërësve të vegjël, që ndihen krejt të pashqetësuar. Siç thoshte një oficer perëndimor, po këta keqbërës që në Belgjikë dhe Hollandë lëvizin me transport publik për të mos rënë në sy, këtu parakalojnë më makina 200 mijë euroshe pa asnjë shqetësim. Dhe sfilojnë përpara policisë që është e paaftë t’i ndalojë ose në shumë raste trembet nga lidhjet e forta politike të tyre. Pra, këta banditë ordinerë, ndihen pak a shumë zotër të vendit.
Shqetësimi i katërt ishte investimi i parave të krimit në Shqipëri dhe përfitimi i më shumë të ardhurave që më pas investohen po në aktivitete kriminale.
Javën e dytë të shtatorit, videoja e përplasjes së policisë në Elbasan ka qenë tronditëse jo vetëm për opinionin në Shqipëri, por edhe për partnerët tanë. Ajo ka qarkulluar në zyra të rëndësishme në Bruksel, duke bindur tashmë edhe politikën për alarmin që shërbimet e specializuara e kishin lëshuar edhe më parë: krimi po sfidon hapur në Shqipëri dhe shteti është i paaftë të reagojë. Nuk është çudi që fushata e fundit të ketë nisur edhe nga ky shqetësim.
Nisur së paku nga këto të dhëna, por edhe të tjera që me siguri njerëzit e medias nuk i dinë, situata vështirë që të jetë e qetë në ditët në vijim. Në redaksi portalesh kanë qarkulluar fotot të një tjetër ministri të qeverisë në shoqërinë e një njeriu të Habilajve gjatë fushatës në Vlorë, megjithëse në një drekë disi të gjerë. Qarkullojnë përgjime të një kryetari bashkie të rëndësishëm me eksponentë të njohur të botës së krimit, një dosje që implikon të afërmin e një ministri, raporti i një shërbimi perëndimor për klanet dhe familjet mafioze në Shqipëri, si dhe një dosje e rëndësishme korrupsioni që me gjasë do të vihet në lëvizje edhe nga organet e hetimit shumë shpejt!
Bashkë me këto do të shtohet presioni edhe diplomatik për luftë reale kundër krimit dhe për pastrimin e politikës prej tij.
Siç thonë njerëz që janë marrë me krimin për shumë vite në Europë: krim të organizuar ka kudo, por krim që të sfidojë shtetin publikisht, ndodh shumë rrallë të gjesh.
/opinion.al/