Nga Albinot Maloku
Monotonia e fushatës zgjedhore e cila e karakterizoi edhe javën që po e lëmë, u thye nga vizita e parë zyrtare e Ilir Metës, President i Republikës së Shqipërisë.
Vizita e tij erdhi fill pas ftesës së bërë nga homologu Kosovar. Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, e priti me nderimet më të larta. Ai shfrytëzoi rastin t’ia ndante çmimin ‘Urdhri i Pavarësisë’. Në fakt, me nderime po kaq të larta Presidenti Meta u mirëprit edhe nga instanca e personalitete të tjera shtetërore.
Meta është president i një vendi i cili betohet në Kushtetutën që në preambulën e saj, proklamon ‘aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitet e bashkim kombëtar’, prandaj, natyrisht, si shqiptarë që jemi duhet ta presim me çmime e nderime edhe ne atë. Nisur nga ky fakt, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i parashtroi një kërkesë homologut të tij, që ky i fundi të angazhohet që ‘në bazë të Kushtetutës t’u jepet shtetësia (e Shqipërisë) kosovarëve pasi Evropa po bënë padrejtësi ndaj tyre’. Presidenti i Kosovës ka theksuar se ‘e vetmja shpresë është Shqipëria’. Para se ta shqyrtojmë arsyen e kërkesën e presidentit Thaçi, patjetër duhet të dimë se si ia ktheu përgjigjen homologu i tij nga Shqipëria. ‘Zgjidhja nuk është që të merret pasaporta shqiptare’ ia ka kthyer ai.
Kërkesa dhe përgjigjja i nxorën të dy presidentët në pozitë mjaftë të pa lakmueshme, duke e marrë parasysh rëndësinë e çështjes. Parashtruesin e kërkesës e nxori pesimist deri në dhimbje për të ardhmen e qytetarit, e dhënësin e përgjigjes të pafuqishëm për të ndjekur ‘aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitet e bashkim kombëtar’. Situatë dëshpëruese dhe kallëzues faktik i mungesës së një vizioni kombëtar real të të dy shteteve tona. Takimet e mbajtura të qeverive të Kosovës e Shqipërisë, ku në ato pat marrë pjesë edhe Hashim Thaçi sa ishte kryeministër i vendit, po dalin me qenë vetëm fotografi që të nxisë imagjinatën por pa pasur mundësi që ta provosh atë.
E për çka mund t’i shërbejnë shqiptarit të Kosovës e Shqipërisë, por edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi e IRJ të Maqedonisë ato fotografi të takimeve mes qeverive, krerëve institucional e shtetëror të këtyre dy shteteve? Pa dyshim, për asgjë, përderisa nuk ka një gjë që i bënë ata të ndjehen të mbrojtur e të barabartë me të tjerët në rajon e Evropë.
Është e vërtetë se Bashkimi Europian e ka izoluar Kosovën e qytetarin e saj duke i dhënë kushtëzime sui-generis. Është po ashtu e vërtetë se klasa politike vendore, raportin me Bashkimin Europian nuk e ka ndërtuar mbi premisa të vetë-respektit, të pasjes së planeve të veta. Si pasojë e kësaj, edhe kritikat me vend të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi drejtuar ndërkombëtarëve, sidomos BE-së për pengesat në lidhje me liberalizimin e vizave, duken se janë ambivalente. Ambivalente nga se ishte Thaçi ai që fitonte zgjedhjet me kartën e liberalizimit të vizave duke dhënë edhe afate kohore, pa menduar në mundësit e realizimit të atyre premtimeve, e në anën tjetër del kritiku më i madh i BE-së. Kërkim zgjidhja që me shtetësi të Shqipërisë të mund të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës tingëllon jo si rraskapitje e shtetit të Kosovës, por si lodhje e vet presidentit.
Presioni ndaj Bashkimit Europian nga ana e presidentit dhe qeverisë, për qasjen aspak të merituar ndaj qytetarit të Kosovës, duke i lënë ata ‘europianët e rinj’ më të izoluarit e kontinentit ka mundur të ndodh në shumë faza e në rrethana krejt tjera. Por kjo nuk ka ndodhur nga asnjëra garniturë qeverisëse në Prishtinë. Përkundrazi vetëm se janë dhënë fjalë për punë e angazhime që kurrë s’janë konkretizuar, duke bërë që qytetari ynë të frustrohet.
Presioni ndaj Bashkimit Evropian duke kërkuar zgjidhje e shpresë në nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për shtetasit e Republikës së Kosovës në rrethanat aktuale, ka dalë më shumë si blof sesa si punë e angazhim i presidentit Hashim Thaçi në procesin e shumë premtuar të liberalizimit të vizave për vendin.