Një jetë në futboll… një jetë për Kombëtaren… Legjendat që kanë bërë historinë e futbollit janë të shumtë dhe kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika: Kanë mbetur në zemrat e tifozëve, janë shkaktarë të emocioneve të forta, të rrahjeve të shpeshta të zemrës, të brohoritjeve.
Lorik Cana, në një rrëfim për “Panorama Sport”, thuajse të gjithë etapat e jetës së tij futbollistike. Nga trajneri me më shumë kontribut në karrierën e tij, te raporti special me De Biazin. Nga momenti më i veçantë, tek emocionet e jashtëzakonshme në Europian, pengu në atë kompeticion e deri te njeriu special që do ta shoqërojë në fushë kur ai të zbresë për shkelmimin e fundit të topit si futbollist përballë publikut shqiptar.
Si është jeta e Lorik Canës rreth 15 muaj pasi ka lënë futbollin?
Jeta është e thjeshtë, me familjen, duke kaluar maksimalisht kohë me të. Është mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe vizita më të shpeshta në Kosovë. Kam shfrytëzuar detin që pas Europianit e deri në vitin e ri për të pushuar me familjen. Që nga janari kam nisur projektin e fondacionit “Lorik Cana 5”, i cili ka startuar në Shqipëri dhe shumë shpejt do të ketë degë edhe në Kosovë. Është diçka që më ka marrë pjesën më të madhe të kohës. Gjithashtu, këta 15 muaj i kam shfrytëzuar për të përfunduar edhe dy diplomat e para të UEFA-s për trajner.
Pra, menjëherë si trajner?
Jo, nuk e kam plan shumë të shpejtë që të bëhem trajner, por dua t’i zotëroj. Pak a shumë e tillë ka qenë kjo periudhë për mua, me disa udhëtime të ndryshme nëpër disa vende të botës.
A jeni penduar që e mbyllët kaq shpejt karrierën dhe a do të donit që të luanit edhe pak kohë, apo rrethanat ishin aq të forta sa e mundën dëshirën?
Arsyet janë shumë të thjeshta dhe kryesorja ishte që për probleme shëndetësore m’u desh që të mbyllja karrierën më herët. Nuk e kisha menduar që të ndodhte në moshën 33-vjeçare, pasi besoja që mund të luaja edhe dy apo tre vite, të paktën fizikisht kisha akoma mundësi, pavarësisht se nisa që t’i ndiej vitet.
Kisha regjim dhe përkushtim në punë si dhe një formë fizike, e cila më lejonte të luaja deri në moshën 35-36 vjeç. E mbylla me 33 thjesht për arsyen se futbolli i niveleve të larta nisi të bëhet i rrezikshëm për shëndetin, i cili është mbi të gjitha, prandaj e mora këtë vendim.
Keni bërë njoftimin se do të dilni për herë të fundit para tifozëve në fushë. Çfarë ndjesie keni përpara saj?
Në fakt, dëshira ka qenë që të bëhet më herët. Fillimisht ideja ishte që të bëhet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, për faktin se ceremonia e lamtumirës bëhet afër kohës kur e lë futbollin. Tani ka kaluar shumë kohë. Dëshira ishte që të bëhej gjatë një miqësoreje, një takim i posaçëm i përfaqësueses që të isha disa minuta në fushë duke luajtur herën e fundit që do të lija futbollin.
Mirëpo, kompeticioni, planet dhe programi nuk e mundësuan diçka të tillë. E morëm vendimin, maksimumi brenda një muaji për ta organizuar duke folur me familjen, me federatën dhe me miqtë. Është vonë, por duhet të bëj një përshëndetje me njerëzit në ndeshjen e fundit që do të luhet në vendin tonë.
Është një kualifikuese kundër Italisë, e cila do të ketë shumë njerëz në stadium dhe menduam që më mirë ta bëjmë tani, sesa mos ta bëjmë fare. Kështu që ishte momenti i fundit, pasi më vonë se kaq nuk mund ta shtynim dot, duke qenë se një lamtumirë pas dy vitesh që kam lënë futbollin, nuk ka kuptim. Madje, edhe me kaq në 15 apo 16 muaj, jemi vonë. Preferoj ta bëj tani se më vonë nuk ka më kuptim.
Kjo solli edhe “ngacmimin” e mediave italiane që u shprehën se mund të riktheheni te Lacio…
(Qesh) Po, pati edhe të tilla…
/panoramasport.al/