Kosova do të luajë sot ndeshjen e fundit eliminatore si pritëse. Përfaqësuesja e drejtuar nga Albert Bunjaki do të përballet me Ukrainën në ndeshjen që do të luhet në “Loro Boriçi”. Kosova ka pësuar shtatë humbje dhe ka arritur vetëm një barazim në tetë ndeshjet e deritanishme.
Për përfaqësuesen kosovare, kjo është pjesëmarrja e parë në një fazë eliminatoresh. E gjitha për t’u harruar me shtatë humbje dhe vetëm një barazim, në një kohë që shanset janë shumë të pakta që të surprizojnë në dy takimet që kanë mbetur ndaj Ukrainës dhe Islandës.
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, trajneri Bunjaki deklaroi: “Na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër Ukrainës. Jemi përballur edhe më herët, por pres që kjo të jetë një ndeshje më ndryshe, duke pasur parasysh peshën dhe rëndësinë që ka kjo sfidë për Ukrainën.
Qëllimi ynë ka qenë të krijojmë një Kombëtare, kemi përfaqësuesen më të re për nga mosha dhe këto ndeshje për ne kanë qenë në shumë si testuese. Kemi shumë mungesa në këtë takim dhe për një Kombëtare të re nuk është e lehtë, por do të jetë e mirë për lojtarët e rinj që të marrin minuta”, tha fillimisht tekniku.
Bunjaki vazhdoi më tej: “Nuk jam i befasuar që Ukraina është këtu ku është dhe ndoshta edhe mund të fitojë Grupin. Në këtë moment, për Kosovën nuk është e rëndësishme cila skuadër është në krye të Grupit, por na intereson paraqitje jonë dhe një rezultat pozitiv”, tha Bunjaki.
Trajneri kosovar ka bërë të ditur se pas përfundimit të këtyre eliminatoreve, do të ulet të flasë me drejtuesit e Federatës së Kosovës. Gjasat janë që Bunjaki të mos jetë më në krye të përfaqësueses. Ai ka kërkuar një fitore si dhuratë nga ekipi që ka ndërtuar me shumë mund, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ardhur.