Ministria e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni braktis të pastrehët, iu kishte premtuar miratimin e projektligjit në këtë legjislaturë
Një sërë rekomandimesh të Avokatit të Popullit, vendime të komisioneres për mbrojtjen nga diskriminimi, por dhe raportet e shoqërise civile, prej vitesh kërkonin ndryshimin e ligjit të strehimit, pasi shtresat e varfëra të shoqërisë nuk mund të përfitonin nga ky ligj, madje diskriminoheshin.
Të gjithë u ndjenë mirë kur dëgjuan që Strategjia e Strehimit Social 2016-2020, miratuar në qershor 2016 nga Ministria e Zhvillimit Urban, në një nga pikat e saj parashikonte pikërisht ndryshimin e këtij ligji diskriminues.
Ministria ndërmori nismën e ndryshimit të ligjit dhe në shtator 2016 organizoi takime konsultuese me aktorët kryesore në lidhje me projektligjin e strehimit social. Projektligji pas përmirësimeve që pësoi gjatë procesit të konsultimit, i jepte një zgjidhje shqetësimit të ngritur përgjatë viteve për shtresat në nevojë. Një nga programet e këtij projektligji u mundësonte atyre përfitimin e një banese sociale dhe shmangien e jetesës në kushte ç’njerëzore.
Gjithashtu, projektligji rregullonte dhe një gabim të ligjit të legalizimit,i cili krijonte mundësinë e dëbimit të familjeve që nuk i legalizohej banesa për shkak të investimeve publike. Raste të tilla kemi parë në Elbasan në ndërtimin e stadiumit ku 16 familje dolën në rrugë dhe përfituan vetëm bonus qeraje, në Tiranë, zona e Selitës ku rreth 40 familje dolën sërish në rrugë për shkak të unazës së madhe apo dhe në Vlorë ku disa familje përfunduan në rrugë për shkak të ndërtimit të rrugës Transballkanike.
Projektligji për herë të parë rregullon rastet e dëbimit duke i shpallur ato të paligjshme dhe detyron institucionet publike që të ofrojnë strehim alternativ për familjet e prekura gjë që përbën një hap pozitiv në respektimin e të drejtave të njeriut dhe detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Pra projektligji paraqet zhvillime pozitive në dy aspekte të rëndësishme
1) Shtresat në nevojë janë subjekte përfituese nga projektligji
2) Rregullon marrëdhenien e shtetit dhe familjeve, banesat të cilave përjashtohen nga procesi legalizimit pasi preken nga investimet publike.
Në të gjitha takimet konsultuese ministria Gjermeni u shpreh se ligji i ri do të miratohej brenda vitit 2016, por kjo gjë nuk ndodhi. Projektligji nuk u fut për votim në punimet e kësaj legjislature dhe për rrjedhojë 70,000 të pastrehë duhet të presin mbi një vit që të jenë subjekte përfituese nga ky ligj i ëndërruar prej tyre.
Familjet që mund të dalin në rrugë për shkak se mund të preken nga lejet e ndërtimit që tashmë janë zhbllokuar pasi bashkitë kanë miratuar planet e tyre vendore nuk do të mund të përfitojnë nga mbrojtja ligjore dhe për më shumë se një vit, pasi ligjvënësit tanë nuk e panë të arsyeshme ta kalojnë këtë ligj me procedurë të përshpejtuar, por menduan se projektligji për Zonat e Mbrojtura që i hap rrugë ndërtimeve në zona turistike (Divjakë) ishte më emergjente për t’u miratuar me procedurë të përshpejtuar sesa ai i strehimit social.
Madje një tjetër projektligj për koncesione depozituar po në të njëjtën datë me projektligjin e Strehimit Social kishte më shumë përparësi në axhendën e ligjvënësit pasi u miratua në seancën e fundit plenare të Kuvendit. Fatlum rezultoi edhe projektligji që lidhej me kullën Ikonike dhjetra kate që parashikohet të ndërtohet në bulevardin verior të Tiranës,pasi u miratua në seancën plenare të datës 4 Maj 2017 edhe pse ishte depozituar në Kuvend pas projektiligjit të Strehimit Social.
Në fund ajo çfarë mbetet të themi është, të shpresojmë që Kryeministri, i cili po kalon një fazë të turbullt politike të shkëpusë mendjen për një moment nga politika dhe të gjykojë që ky projektligj që ndihmon mijëra familje të varfëra duhet të miratohet sa më parë me procedurë të përshpejtuar.
Nga Gentian Sejrani