Në përkujtimin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryeqytetit iu shtuan 550 ullinj rreth Kalasë së Petrelës, si simbol i shpresës, miqësisë dhe i jetës.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me përfaqësues të komunitetit të arbëreshëve të ardhur nga Italia, iu bashkuan aksionit për mbjelljen e ullinjve të rinj, që do të jenë pronë e banorëve të zonës, si një trashëgimi e pasur që vjen që nga koha e Skënderbeut.
Veliaj vlerësoi se Heroi ynë Kombëtar është e vetmja figurë që unifikon të gjithë shqiptarët dhe përcjell tek brezat mesazhin e bashkimit.
“Sot është 17 janari, viti dhe dita kur kujtojmë Skënderbeun, 550-vjetorin e vdekjes, dhe unë besoj se fabula e tij në fakt është një fabul bashkimi që flet gjithnjë e më fort. Në një moment kur ne shqiptarët e kemi zakon që të devijojmë, të humbasim fokusin, të përçahemi, të pengojmë njëri-tjetrin, Skënderbeu është ndoshta e vetmja figurë që na unifikon të gjithëve dhe për të cilin nuk kemi debat. Ndaj jam shumë i lumtur sot që të gjithë vëllezërit tanë arbëreshë nga jugu i Italisë, na u bashkuan sot jo vetëm për të përkujtuar vitin e Skënderbeut, por edhe për disa simbolika shumë të forta”, theksoi ai.
Duke ftuar qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me pemë të reja, Veliaj theksoi se në këto kohë një patriot i mirë është ai që kujdeset për vendin e tij. Në këtë vit jubilar, kryebashkiaku theksoi se mënyra për të qenë patriot i mirë është mbjellja e një peme ulliri, si një pasuri e cila u lihet trashëgimi brezave.
“Skënderbeu ishte vetë i pasionuar pas ullinjve dhe fakti që inkurajonte çdo çift të dashuruarish të mbillte një rrënjë ulliri, do të thotë se pavarësisht se në ato mote kishte luftë, dashuria ndaj atdheut nuk tregohej vetëm me shpatë, por tregohej edhe me dashurinë për atë copë të atdheut që secili kishte në administrim, qoftë në kalanë e Petrelës, e Krujës apo kudo tjetër ku ishin shqiptarë. Sot patriotizmi nuk kërkon të krekosemi dhe të nxjerrim shpatat për të pasur të drejtën në mejdan, por për t’u siguruar që aty ku perëndia apo njeriu na ka sjellë të shërbejmë, ta administrojmë me të njëjtën dashuri që tregohej që në kohën e Skënderbeut”, u shpreh Veliaj.