Një histori në kufijtë e të pabesueshmes kjo e David Nikollit, 23 vjeçarit mirditor i cili pas shumë peripecish ia ka dalë të lartësojë, të dielën që lamë pas, flamurin kuqezi në Beograd të Serbisë.
Davidi ka marrë medaljen e arit në garën më të rëndësishme atletike në Ballkan e cila u zhvillua në “Novi Pazar” të Serbisë duke u shpallur kështu kampion i Ballkanit.
23 vjeçari bëri një debutim të shkëlqyer duke arritur të fitojë në garën 3000 metra me kohën 8’31″45, mes 13 shteteve pjesëmarrëse.
Gjatë garës, një bullgar dhe një rumun tentuan ta ndalonin duke e shtyrë sa me bërryla e sa me këmbë por Davidi, pavarësisht lëndimit që duket qartësisht edhe në këtë foto, ia doli të ruajë ekulibrin dhe t’i dhuronte Shqipërisë një medalje të artë, të cilën përfaqësuesja jonë 1 javë më parë as që e kishte imagjinuar.
Po, po. Një javë më parë, pasi e gjitha filloi një javë më parë kur Davidi, një vrapues i stërvitur në kushte amatore në Itali, aty ku jeton dhe punon, i shkroi një e-mail Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli ku i shprehu dëshirën për ta bërë pjesë të përfaqësueses kuqezi.
Menjëherë Presidenti i kthen një përgjigje dhe interesohet për të ditur kush ishte David Nikolla, ky djalosh që thoshte se donte të garonte me çdo kusht për Shqipërinë.
“Isha gati të merrja edhe kredi. Do stërvitesha vetë, do e gjeja patjetër një mënyrë të përfaqësoja Shqipërinë nëse Presidenti nuk do më kishte shkruar”, rrëfen 23 vjeçari.
Si nisi e gjitha, si humbi rrugën shoferi ynë nëpër Serbi, ç’ndodhi me dy konkurrentët që e sulmuan gjatë garës dhe ç’ka ndërmend të bëjë medalisti ynë pas kësaj.
David, si nisi kjo histori? Si krejt papritur, Shqipëria nga një vend që shihej thjesht si pjesëmarrës në këtë kompeticion, arriti të marrë një medalje ari?
Unë kam 7 vite që jetoj në Itali. Punoj këtu, punoj për “Amazon”, një faqe ku njerëzit porosisin online dhe mua më duhet t’u çoj. I çoj të gjitha në këmbë dhe bëj pafund kilometra rrugë në ditë.
Punoj nga mëngjesi në darkë dhe puna që bëj nuk më lejon të stërvitem si gjithë profesionistët. Nëse ata bëjnë nga dy herë në ditë, unë bëj vetëm 5-6 herë në javë por 3 muajt e fundit u stërvita intensivisht duke pasur në kokë vetëm momentin kur do garoja për Shqipërinë.
I shkrova një e-mail Federatës Shqiptare të Atletikës, ku i tregoja të gjitha rezultatet e arritura në itali ku jam shpallur kampion në Lombardia në garën 5000 metra.
Reagimi i Presidentit Gjergj ruli qe i menjëhershëm. Kontaktoi me trajnerin tim Alberto Colli si dhe verifikoi rezultatet.
Menjëherë i hipa avionit dhe erdha vetëm 1 javë para balkaniadës së Beogradit. Sapo kisha bërë realitet një ëndërr. Isha pafund i emocionuar që do përfaqësoja Shqipërinë. E ëndërroja atë moment që i vogël dhe kisha menduar të merrja edhe një kredi në bankë nëse fedarata jonë do më thoshte jo.
Do merrja kredinë, do stërvitesha fort, do i krijoja vetes të gjitha kushtet për të gjetur një mënyrë për të garuar për Shqipërinë.
Mbërritët në Tiranë dhe u nisët drejt Serbisë…
Po, udhëtuam të shtunën megjithë pjesën tjetër të stafit, rreth 37 veta. Na ndodhën peripeci gjatë udhëtimit pasi shoferi ngatërroi rrugën teksa po i afroheshim Serbisë, navigatori na çorientoi totalisht dhe na u desh të endeshim gjatë rrugëve derisa u kthyem në drejtimin e duhur.
Kjo më tensionoi disi dhe mendoj se ndikoi edhe në garën e së shtunës ku unë munda të renditem në vendin e pestë.
Por ju garuat sërish të dielën në garën prej 3000 metrash dhe fituat medaljen e artë. Si mbërritët te ky moment?
Isha shumë i mërzitur dhe i demoralizuar por stafi më dha shumë kurajo ndonëse Shqipëria aty shihej thjesht si “pjesëmarrëse” dhe askush nuk e shikonte si pretendente.
Kush ishin pretendentët?
Pretendentët ishin vetë serbët, ku u zhvillua balkaniada. Por edhe Turqit e pretendonin vendin e parë.
Por i pari dolët ju…
Po, megjithë incidentet gjatë garës.
Çfarë ndodhi gjatë garës?
Gjithçka ndodhi në xhiron e fundit kur rivalët vunë re se unë po rrisja shpejtësinë.
Janë munduar të më ndalin dy herë. I pari, përfaqësuesi i Bullgarisë më goditi me brryla duke tentuar të më nxirrte jashtë korsisë. Nëse del jashtë korsisë, skualifikohesh automatikisht.
Por për fat të mirë, ruajta ekulibrin dhe rrita shpejtësinë. Por në 200 metrat e fundit u munduan të më ndalnin sërish. Përfaqësuesi i Rumanisë këtë herë, më goditi në këmbë por si shqiptar që jam, më lejo ta them me krenari këtë, jo vetëm që rezistova por mblodha të gjitha forcat qoftë që të vazhdoja dhe ia dola edhe pse i gjakosur. Kur arrita finishin askush s’e besonte. Serbët, turqit, por ndoshta edhe vetë stafi i federatës tonë. Objektivi im ishte të sillja një medalje ari.
/newsbomb.al/