Ka than' i moçmi: 

"Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër."

Faik Konica

Vela e Gjushit, dashuria prej betoni

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Bashkia e Durrësit dhe qeveria kanë vendosur të shpenzojnë 6 milionë euro për një shesh që ka një emër të çuditshëm “Veleria”. Nuk di në cilën qosh të shqipes e kanë gjetur këtë emër, i cili është po aq qesharak sa “enciklikat” e Ramës në opozitë. Por, nëse do të ishim në hall vetëm për etimologjinë e fjalës, jam i sigurtë që do ishim në sinoret e debatit për seksin e ëngjëve.

“Veleria” është padyshim një projekt i Rilindjes Urbane dhe ka në plan të ndërtojë një velë të madhe betoni, pa kurrfarë funksioni, por që dëshiron të bërtasë e të thotë në mënyrën më të rëndomtë: “Ky është Durrësi! Këndej nisen anije!”. Kjo vepër, padyshim i përket të njëjtës varfëri intelektuale të ndërtimtarisë që na ka shoqëruar pas viteve ’90. Është ende mister, përse qeveritarët tanë vendorë apo qendrorë janë kaq të dhënë pas betonit. Ndoshta një studim historik dhe antropologjik mund të na zbulojë se çfarë i kalon në kokë këtyre udhëheqësve.

Nejse, gjatë gërmimeve për të çelur gropën, ku do mbijë vela e betonit, janë zbuluar rrënojat e një godine osmane. Në fakt, në krahasim me çfarë është zbuluar dhe mbuluar me themele pallatesh në Durrës, mesjeta duket si shaka arkeologjike. Arkeologët thonë që poshtë mbushjes tjetër të sheshit është mbuluar një pjesë e murit rrethues të qytetit antik. Vetëm pak ditë më parë disa protestues ngritën zërin për themelet e Torres veneciane, simbol i qytetit. Po kështu, një nga pallatet më të larta të Durrësit është ngritur dhe ka betonuar një mur rrethues (i njëjti me atë që mbulon vela), i cili mendohet të ishte i gjerë sa të kalonin dy qerre përsipër. Muri që mendohet të jetë qindra vjet më i lashtë se Torrja veneciane ka gjithashtu Torren e vet, por tashmë ajo është gjysëm Torre, sepse e kanë larë me beton.

Ndoshta për këtë ndërtesë nuk ka faj kryetari i sotëm i Bashkisë, të cilit i thonë të gjithë Gjushi, por padyshim mëkatet e tij në këtë këndvështrim na duhet një natë dimri për t’i rëfyer.

Tash, kemi sheshin “Veleria”, i cili sa më shumë hap gropën, aq më shumë na nxjerr rrënojat e paradhësve pushtetarë të Gjushit. Pyetja është: Çfarë do bëj Gjushi, do braktisë velën apo do mbulojë gropën e historisë? Po la velën, duhet të sqarojë kreun e Rilindjes Urbane, Ramën, i cili ka talent ta marrë gjithçka personale. Po mbuloj gropën, duhet t’ua shpjegojë jo vetëm durrsakëve, por edhe neve nga Tirana, Shkodra, Saranda se ku e çon mushka. Natyrisht, në këto raste pushtetarët tanë i ndihmon kujtesa tejet e shkurtër popullore sa e peshkut të kuq. Ndaj, kur të nisim të harrojmë pas ditës së tretë, me një veprim energjik dhe rrufe mund të gdhihemi me një alamet vele në sheshin “Veleria”. Kështu ndodh përherë dhe lëshohet shprehja e famshme: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara…”. Këtë shprehje kryetari i qeverisë e përdori sërish me mjaft gaz, tek paraqiste po në Durrës flotën e buldozerëve, në të cilët Gjushi përpiqej të kacavirrej.

Shqipëria është një vend me pasuri të lashtësisë, po aq të shumta, të larmishme dhe të lavdishme sa fqinjët tanë të përtej detit, Italisë apo ata të tjerët të Greqisë. Në vendet e tjera fqinje të veriut rrënojat që dalin në dritë janë sërish ilire. Gazetat, televizionet, portalet janë mbushur me histori antike të lavdishme që i thurrin lavde të shkuarës sonë të ndritur. Rrëfejmë me foto rrënojash, dokumenta, artifakte kohët e lashta, mbretërit tanë, heronjtë, legjendat. Me këtë mekanizëm autosygjestionues mëkohet patriotizmi që shpërthen në stadiume me thirrjen: “O sa mirë me ken’ shqiptar!”. Por, e gjitha kjo do mbetet vetëm në kulturën gojore dhe të shkruar të vendit, nëse i vëmë velën përsipër si ka ndodhur rëndom në Durrës, Tiranë dhe gjetkë dhe jo vetëm sot, por qysh me ardhjen e komunistëve në pushtet. Fjala vjen, Tirana nuk është një qytet i themeluar në fundin e mesjetës, por është qytet që e ka të gjithë lashtësinë e vet poshtë pallateve të ngritura përreth Mozaikut të Tiranës dhe më tej tek Fusha e Aviacionit. E kemi mbuluar Tiranën dhe jemi të detyruar ta nisim historinë e saj tek Xhamia e Et’hem beut. Kështu është bërë me Durrësin, Vlorën e gjetkë.

Kjo dashuri prej betoni nuk varros vetëm historinë, por është një lëvizje e mirëfilltë për shbërjen e identitetit shqiptar, shbërje që të çon në hiçmosgjë, në tretje, asimilim.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej