Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Tornitorja që u bë deputete rrëfen “sekretet” e ish-Bllokut: Vito Kapo vishej më bukur, Mehmet Shehu ishte brutal

Nga Media 0

Nga tornitore, në nënkryetare e Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor. Një ngritje e jashtëzakonshme, por nuk ishte e vetmja. Mine Guri, një nga gratë më të pushtetshme në diktaturë, tregon jetën e saj, që nga puna e parë qysh 12 vjeçe, te ngjitja shkallë-shkallë në karrierën politike.

Guri tregon dhe për “shoqet” e Partisë, Nexhmije Hoxhën, Vito Kapon, Fiqrete Shehun. Një ndalesë e veçantë te Mehmet Shehu, me të cilin pati një grindje pak ditë para se ai të vetëvritej.

Ka qenë ndër funksionaret më të njohura në dy dekadat e fundit të komunizmit, por më e panjohura për sekretet që di rreth ishudhëheqjes. Sekretare e Parë e Partisë së Punës së Shqipërisë në Kuçovë dhe Berat, deputete nga viti 1970-1990, e para femër nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor për 8 vjet, por edhe nënkryetare e Kryesisë së tij, Mine Guri është e para herë që flet.

Një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” nga shtëpia e saj në Berat, në katin e dytë të një apartamenti të vjetër, mbushur plot me fotogra×të zmadhuara të ish-udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë. Shumica janë me grushtin lart, vetëm ndryshojnë personazhet që kanë rrethuar Minen.

Nga Enver e Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Lenka Çuko, Gogo Nushi, Haxhi Lleshi, Hysni e Vito Kapo etj., e deri te fotot e 12 mijë vajzave dhe grave në ishKombinatin e Tekstilit në Berat, ku ishte drejtoreshë për 7 vjet, paralelisht me funksionet në Presidiumin e Kuvendit.

E gjithë karriera dhe miqësitë e saj ndodhen të varura në muret e këtij apartamenti dhe ajo që nuk është, na e rrëfen vetë ajo. Që nga peripecitë prej minoreneje si punëtore tornoje në uzinën “Enver” në Tiranë, deri te majat më të larta politike dhe partiake. Një karrierë e gjatë, për të cilën nuk iu nevojit asnjëherë arsimi i lartë. Për t’u bërë deputete, as shkolla e mesme. Në Kuvend u pranua me 7-vjeçare dhe teksa kishte 3 fëmijë të vegjël, vijoi natën shkollën e mesme. Pas disa vitesh, shtoi familjen me 2 fëmijë të tjerë, por më së shumti shtoi besimin e anëtarëve të PPSH-së dhe grave të udhëheqjes në ish-Bllok.

Shtëpia e saj tashmë vizitohej nga drejtuesit më të lartë komunistë, ndërsa lakrori me hithra ishte specialiteti i saj dhe i preferuari i Ramiz Alisë. E, para se të mbërrijmë të stomaku i ish-udhëheqjes, Mine Guri ia nis nga vetja, duke mallkuar dhe lavdëruar fatin, njëkohësisht…

Sepse u shkatërrua gjithçka ndërtuam për dekada me radhë, me djersën e ballit dhe jo me energjinë dhe naftën e makinerive moderne. Por më shumë e lavdëroj fatin.

Dhe pse e lavdëroni?

Sepse kam një bashkëshort të mrekullueshëm që më mbështeti në të gjithë karrierën time, kam 5 djem, 5 mbesa dhe 2 nipër. Kam shoqe dhe shokë plot që nuk më harruan viteve të vështira pasi ra komunizmi. Dhe po kaq shumë falënderoj fatin që u ndodha në Tiranë, kur filloi emancipimi i gruas në vitet ’50.

Ku ishit para këtyre viteve?

Në një fshat shumë të thellë, në Frashër, kisha mbiemrin Kotorri. U sëmura rëndë dhe daja im që jetonte në Tiranë më mori aty për të më kuruar. Pasi e mora veten, dajës tim i erdhi keq të më kthente në fshat dhe më mbajti atje.

Tentoi edhe të më punësonte. Po hapej Kombinati i Tekstileve në Tiranë, dhe aty kërkonin punëtore femra. U paraqita dhe unë, por pas 1 jave pune më përjashtuan, edhe pse isha e zonja.

Pse ju përjashtuan?

Isha minorene, vetëm 12 vjeç, sapo kisha mbaruar shkollën 7-vjeçare. Sovjetikët që drejtonin asaj kohe, u lemerisën dhe vunë duart në kokë, kur morën vesh moshën time. Më rekomanduan që të bëja ndonjë shkollë ose kurs. Kështu, daja im më dërgoi në një kurs 2-vjeçar për tornitore. Më shërbeu shumë ai kurs, sepse me dëshirën e madhe që kisha për punën, specializimin dhe korrektësinë, rashë menjëherë në sy të mirë. Në vitin 1951, u punësova menjëherë në uzinën “Enver”, ndërsa me kalimin e viteve fillova të interesohem për partinë.

Nga ju lindi ky interesim për partinë?

Në uzinën “Enver” kishte kohë që anëtarë partie bënin mbledhje dhe na flisnin. Më pëlqente ajo çfarë thoshin, sidomos për femrën. Tirana ishte shumë fanatike, mos harroni që femrat e Tiranës mbanin ende shumë ferexhe, dilnin vetëm të shoqëruara nga shtëpia dhe punësimi i tyre ishte si një revolucion. Ne, femrat, e ndienim dhe për këtë e donim më shumë partinë. Megjithatë, dëshira ime më e madhe për t’u bërë anëtare partie më erdhi pas vizitës së Enver Hoxhës në uzinë. U emocionova, u befasova nga fjalët e tij. Pas atij takimi, nisa të punoja më fort dhe të lexoja më shumë për partinë.

Kërkova të bëhem anëtare dhe pas një viti si kandidate, pata dy gëzime. Në vitin 1961 u bëra anëtare partie, si dhe u fejova.

Fejesë me dashuri?

Me mblesëri, por vitet dhe fëmijët, tregojnë se ka qenë edhe dashuri. Im shoq, Kadriu, ishte student për aviator në Bashkimin Sovjetik. Familja e tij jetonte në fshatin Kosovë të Lushnjës dhe njerëzit tanë të afërt, rregulluan mblesërinë. Kur u kthye u takuam vetëm njëherë, por u pëlqyem direkt dhe shpallëm fejesën.

Muaj më pas, u martuam, në tetor të vitit 1961. Bëmë një dasmë të thjeshtë dhe ju kthyem menjëherë punës.

Nuk pushuat fare?

Vetëm 5 ditë gjithsej, ku përfshihet edhe dasma. Edhe këto ditë, i kaluam në fshatin e bashkëshortit, pranë prindërve të tij. Me njerëz që hynin e dilnin, nuk ishin pushime. Ne shkuam atje për respekt të prindërve. Si çift, na ishte dhënë një dhomë në Shtëpinë e Oficerëve në Kuçovë, pasi Kadriu kishte filluar punë atje, në aviacion.

Dhe ju, pa punë?

Po, pa punë vetëm për pak ditë. Me dosjen e punës në dorë, unë u paraqita në Komitetin e Partisë së Kuçovës. Lashë atje dokumentet dhe më caktuan një takim me Pilo Peristerin, që në atë kohë ishte drejtor i uzinës mekanike të naftës.

Më pyeti sa nga vija, dhe sa i tregova që kisha punuar në uzinën “Enver” në Tiranë, më punësoi direkt.

Në çfarë pozicioni?

Si pompiste. Në atë kohë, sa u krijua një repart i ri dhe unë bëja pompat aty. Isha specialiste dhe ndërkohë, mësoja edhe gratë e reja që punësoheshin aty dhe nuk kishin përvojë.

Për 10 vjet kam bërë këtë punë, ndërkaq Partia më kishte caktuar që të merresha me emancipimin e gruas dhe më kishte dhënë funksione më të larta.

Sa më të larta?

Tashmë isha bërë sekretare e parë e rajonit të Kuçovës. Një ngritje në detyrë, por edhe një ngritje herët në mëngjes. Isha bërë më fëmijë dhe për të bërë edhe punët e shtëpisë, edhe punët e partisë, edhe punët e uzinës, më duhej të bëja sakrifica të mëdha gjumi.

Ka pasur raste të punës vullnetare ose kur bëja zborin ushtarak, që më shkonte edhe 48 orë pa gjumë. Përkushtimi im për punën dhe partinë ka qenë maksimal. Por, edhe partia ma shpërbleu.

Si jua shpërbleu, ju rriti rrogën?

Çfarë rroge? Jo, jo, nuk kishte lidhje rroga. Po jua thashë, më bëri sekretare të parë të partisë në Kuçovë. Ishte vlerësim i madh moral për mua, vlerësim që nuk do të ma kompensonte asnjë lloj shume në botë, sado që të merrja. Partia e dinte këtë, jo më kot më propozoi mua, një punëtore tornoje që të bëhesha deputete.

Thoni gjithë kohës “partia”, ndonjë emër konkret? Kush jua bëri këtë propozim?

Vërtet që nuk e di. Në vitin 1970, në një mbledhje të Komitetit të Partisë m’u komunikua, por nuk e di kujt i kishte rënë në mendje.

Mos kishit kërkuar vetë të bëheshit deputete?

Jo, aspak. Jua thashë, unë madje isha shumë e zënë me partinë në Kuçovë, familjen, punën dhe ndërkohë vijoja shkollën natën.

Shkollën e lartë?

Shkollën e mesme, sepse unë isha vetëm me kursin 2-vjeçar për torno. Kisha nisur Shkollën e Mesme Mekanike të Naftës në Kuçovë dhe shkoja 3 herë në javë, gjatë natës.

Pra, në Kuvend ju shkuat kur ende ishit me diplomën e 8- vjeçares dhe me certifikatën e kursit?

Po, dhe me sa di unë, nuk kam qenë e para dhe as e fundit. Atëherë nuk ishte vetëm diploma e shkollës së lartë që të bënte deputete. Sot duhet patjetër, por edhe blihet kollaj. Pra, sa vlen vërtet diploma? Kriteri më i rëndësishëm ishte ndershmëria në çdo fushë, që nga familja, puna, shoqëria etj. Unë ndër vite kisha dëshmuar që isha një punëtore e dalluar, që kaloja normat dhe lexoja vazhdimisht, pavarësisht se ngaqë krijova familje, nuk arrita dot të vijoja shkollën. Madje, delegimi im për në Kuvend si deputete ishte një stimul për mijëra e mijëra vajza në të gjithë Shqipërinë, që si unë ishin punëtore dhe dëshironin të ecnin përpara.

Si e kujtoni ditën tuaj të parë në Kuvend?

Edhe sot kur e kujtoj, dridhem. Emocione pa fund. Kur pashë Enver Hoxhën që erdhi aty, e ndjeva veten me shumë fat. Eh, prapë te fati dola. Por nuk isha unë e vetmja që ndihesha kështu. Më kujtohen edhe shoqe të tjera që kishin të njëjtat ndjesi dhe më tregonin të njëjtën gjë. E kisha ëndërruar atë ditë dhe më zgjati 20 vjet.

E mbani mend çfarë kishit veshur?

Një kostum shumë të thjeshtë, ngjyrë bezhë. Ndërsa për të bërë fotografi në si deputete e Kuvendit mora borxh një bluzë të zezë. Më patën treguar që kur del me bluzë të zezë, fotoja del më mirë.

Kishit bërë dhe grim besoj, meqë do të dilnit në foto?

Jo, grim nuk bëja asnjëherë. As në Kuçovë, as në Kuvend. Më vinte turp, doja të isha sa më e thjeshtë. Po ashtu, kisha bërë ndërkohë 3 fëmijë dhe nuk kisha më kohë për veten.

I merrnit ndonjëherë fëmijët me vete në Kuvend?

Po, sepse djalin e tretë e kisha shumë të vogël, ende në gji. Detyrohesha ta merrja me vete dhe disa herë ia kam lënë dhe shoferit apo ndonjë të afërmi. Kur kishim minutat e pushimit, dilja nga Kuvendi dhe i jepja për të pirë. Kështu kam vepruar edhe me djemtë e tjerë që më lindën më vonë, si në Kuvend apo nëpër mbledhjet e Partisë në rrethet e ndryshme.

Paguheshit mirë si deputete?

Rrogë fikse nuk kishte. Paguheshim 300 lekë dita

Nuk duket keq për atë kohë…

Mos harro, 170 lekë bënte vetëm hoteli. Për të kursyer ndonjë lek që t’u blija diçka fëmijëve, merrja bukën me vete. Kështu vepronin edhe shoqet e tjera deputete. Hynim në hotel pasi mbaronim punë në Kuvend dhe aty hapnim bukët, djathtë, ullinj, domate në verë dhe qepë në dimër. Pastaj, nuk është se vinin çdo javë në Tiranë. Kuvendi mblidhej 1 herë në 2-3 muaj dhe vetëm për raste të jashtëzakonshme thirrej jashtë radhës.

Gjatë kësaj kohe përgatiteshim shumë dhe duhej të diskutonim.

Për çfarë keni diskutuar ju më shumë?

Për atë që dija më shumë. Për naftën në Kuçovë dhe industrinë tekstile të Beratit.

Kanë shkaktuar ndonjëherë debat apo konflikt diskutimet tuaja?

Pata një incident me Abdyl Këllezin, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Komitetit të Planit të Shtetit. Ka qenë kundërshtimi im më i fortë si për nga argumentimet, por edhe për nga guximi. Po kundërshtoja zëvendëskryeministrin. Ai ishte kthyer prej një specializimi nga Kina dhe erdhi në Kuçovë me ide të reja investimi për naftën, por që kushtonin shumë shtrenjtë.

Kërkonte që të ngriheshin disa impiante çimentoje, gëlqereje, tullash etj, pra një zinxhir fabrikash të reja. Këto mendime ai i paraqiti në Kuvend, në një kohë që ne nuk kishim para për pjesë këmbimi të thjeshta. Duke qenë se e dija mirë situatën nga brenda, si punëtore ndër vite që isha, ia argumentova që e kishte gabim dhe, pasi përfundova, më duartrokitën për disa sekonda me radhë. U ktheva në Kuçovë, ku edhe atje kishte shkuar jehona e fjalimit tim dhe vetëm pak javë më pas koha tregoi që unë kisha pasur të drejtë.

Në ç’mënyrë?

Abdyl Këllezi dhe disa të tjerë u shkarkuan nga detyrat shtetërore. Pasi u bë Plenumi i 7-të i Komitetit Qendror të PPSH-së, i mbajtur më 2-29 maj 1975, Këllezi u akuzua për “veprimtari armiqësore dhe sabotim në ndërtimin e veprave madhore”.

Mendoni se ishte fjalimi juaj që ndikoi për këtë akuzë?

Aspak. Fjalimi im ishte krejt i natyrshëm dhe i logjikshëm për shkak se dija terrenin dhe mjetet në Kuçovë, por nuk kisha informacione për këto sabotime. Më duhet të ta kujtoj prapë, unë vazhdoja të punoja në uzinë, edhe pse u zgjodha deputete.

Madje, në vitin 1975, pas këtij diskutimi në Kuvend, Enver Hoxha erdhi për një vizitë aty dhe gati nuk më njohu. Po e prisja si e barabartë me shoqet e mia të punës dhe pasi u prezantova, më porositi:

“Kur të vij herën tjetër këtu, e dua plot me femra këtë uzinë”.

Nga sedra, jam detyruar që fillimisht të bindja shoqet e mia më të afërta që të punësoheshin aty. Ditë për ditë, shkoja shtëpi më shtëpi që të bindja vajzat dhe gratë, duke u treguar, njëkohësisht, edhe se ishte porosi e shokut Enver. Fillimisht pata vështirësi pasi mentaliteti për punësimin e femrës ishte ende larg, por një vit më pas arrita ta mbush uzinën plot.

E mbusha, por mua m’u desh të largohem pastaj.

Pse u larguat?

Pas vëmendjes që tërhoqa për guximin në Kuvend dhe punën për emancipimin e gruas, në vitin 1976, më thirri sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, Hysni Kapo dhe më propozoi si sekretare e parë e partisë në Berat.

E pranova këtë detyrë dhe njëkohësisht u transferova me shtëpi këtu, ku jam edhe sot e kësaj dite. Më në fund, u bëra me apartament dhe 5 djemtë e mi kishin më shumë hapësirë. E falënderova shokun Kapo për besimin, ndërsa ai më tha që të mos merrja kurrë vendime pa pyetur. E mbajta mend mirë këtë fjali, pasi ndonjëherë kur doja të thosha diçka apo kur debatoja, ndalesha.

Shkoja dhe pyesja njerëz ekspertë për çështjen, pastaj isha e gatshme që të jepja përgjigje profesionale. U angazhova edhe në Berat me emancipimin e femrave, por me kalimin e viteve po ndihesha e lodhur. Ndaj, një ditë mendova të jap dorëheqjen si deputete.

Dhe e bëtë këtë dorëheqje?

Gojarisht, po. Në vitin 1982.

Ia paraqitët Enver Hoxhës?

Jo, dorëheqja paraqitej pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitin 1982, në postin e kryetarit të Presidiumit, sapo ishte zgjedhur Ramiz Alia. Shkova dhe e takova pas zgjedhjes.

Iu luta të më mirëkuptonte për dorëheqjen, sepse me aq shumë punë sa kisha në Berat dhe 5 djem në shtëpi, përfshirë tim shoq, ishte shumë e vështirë që të përgatitesha në Kuvend. Shoku Ramiz qeshi dhe më tha që të kthehesha e qetë në Berat, se do ta zgjidhte shumë shpejt këtë çështje.

E pranoi dorëheqjen tuaj Ramiz Alia?

Jo vetëm që nuk e pranoi, por pas disa ditësh, më erdhi lajmërimi se isha zgjedhur nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me këtë m’u shtua vërtet funksioni, por edhe puna për t’u përgatitur edhe më mirë për në Kuvend.

Nuk tentuat që ta kundërshtonit sërish?

Nuk e di sa e kuptuat gjatë bisedës, por unë kam qenë natyrë shumë e turpshme. Kur e takova sërish Ramiz Alinë, ia thashë me lezet se “ç’më bëre kështu”, por me emërimet që më bëri më pas, e pashë që ishte e kotë që ta kundërshtoja.

Çfarë emërimesh?

Përveçse nënkryetare e Presidiumit, u emërova edhe nënkryetare e Kryesisë së Presidiumit. Ishin dy poste shumë të larta, ndër më të lartat që mund të arrinte një femër. Kjo ishte shumë për mua dhe nuk e kisha pritur kurrë. Dhe pas 2 vitesh të tjera, në vitin 1984, më erdhi emërimi i radhës, që ka qenë dhe detyra që kam dashur më shumë. U bëra drejtoreshë e kombinatit tekstil të Beratit.

Pse ju ka pëlqyer më shumë ky post drejtorie, se sa të qenit deputete dhe nënkryetare?

Sepse kishte të bënte drejtpërdrejt me atë çfarë kisha punuar gjithë jetën, emancipimin e femrave. Kombinati i tekstileve ishte një gjigand prodhimi, vetëm nga duart e grave dhe vajzave. Plot 12 mijë femra!

Si mund t’i drejtojë një femër 12 mijë të tjera?

Vetëm një femër ua del mijëra të tjerave. (qesh) Para se unë të drejtoja kombinatin e Beratit, kjo industri gjigande ishte me norma shumë të ulëta dhe vajzat e gratë nuk ishin të përkushtuara. Vetëm pak kohë pasi u emërova, kam punuar me ato ngjitur e ngjitur, i kam këshilluar dhe mësuar, derisa e shpalla kombinatin e tekstileve në Berat “Heroi i Punës Socialiste”. Nga deficit, u bëmë të parat në eksportin e tekstileve.

Kur kishte kaq shumë prodhim tekstili në vend, pse Shqipëria vuante nga mungesat e veshjeve?

Unë u vura në krye të kombinatit për të prodhuar sa më shumë, jo për të gjetur politikat e menaxhimit të prodhimit. Besoj se detyrën time e kam kryer shumë mirë. Dikush nuk e ka kryer mirë atëherë… Kërkon që të gjesh patjetër një fajtor, por fajtori nuk ka një emër. Është një sistem i tërë. Çdo lloj sistemi, edhe ai që pretendohet se është më i miri, ka fajet e veta.

Pranoj fajet e sistemit tim, por jo abuzimet me të pavërteta që bëhen në emër të tij. Nëse ka demokraci, edhe ky sistem të pranojë fajet e tij.

Jeni kundër demokracisë?

Nuk kam qenë asnjëherë kundër demokracisë. Kam qenë ndër ato që kanë mbështetur Ramiz Alinë në vitin 1990, që të fillonte t’i hapte udhën demokracisë. Ama, jo udhën e shkatërrimit. Jo për të shkatërruar për 24 orë atë që mezi ndërtuam në dekada të tëra. Demokracia në Shqipëri erdhi tinëzare dhe si e tillë, nuk është demokraci.

Si deputete në 20 vjet dhe me funksionin e nënkryetares së Presidiumit, besoj se keni pasur edhe miqësi të shumta me udhëheqjen e lartë. Cilat janë disa nga ato?

Kur kam shkelur për herë të parë në Kuvend nuk njihja asnjeri. Me kalimin e kohës u bëra me të gjitha një mikeshë e mirë. Për karrierën time dhe për vlerësimin që kam pasur, ia di më shumë për nder Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos. Ata kanë pasur shumë besim te unë.

Po Enverit dhe Nexhmije Hoxhës?

Sigurisht, kam disa episode me Enver Hoxhën që më kanë shtyrë të punoj më fort dhe me kalimin e viteve u bëmë miq. Fatkeqësisht vdiq, por më pas miqësia u forcua me Nexhmien. Shoqe shumë të mira kam pasur edhe Fiqrete Shehun, Vito Kapon, Leni Pashkon, Naunka Bozon, Sofi Çuedarin, Lenka Çukon, Themie Thomain etj.

Cila prej këtyre vishej më bukur?

Vendin e parë do t’ia jepja Vito Kapos. Kishte një stil shumë të bukur të veshjes. Të mahniste me guston dhe nuk ishte çështja se kishte shumë, por se si kombinohej. Stepesha kur e shikoja. Kuptohet, e kam parë gjithnjë me admirim, jo me zili.

Po nëpër shtëpitë e këtyre deputeteve ke qenë?

Edhe nëpër shtëpitë e tyre kam qenë. Prapë do të thosha që, edhe në shtëpi, Vito Kapo kishte stil.

Më shumë stil se Nexhmije Hoxha?

Shiko, nuk e kuptoj pse ekzagjerohet gjithnjë kur përmendet emri i Nexhmije Hoxhës. Unë kam qenë në shtëpinë e saj dhe divanet ishin me copë basme, ndërkohë që kishte familje të thjeshta që i kishin me damask, ose copë më të shtrenjtë. Nexhmije Hoxha vishej thjesht dhe po ashtu e mbante edhe shtëpinë. E pastër në kulm, por edhe modeste në veshje dhe mobilim.

Pak më lart përmendët Fiqrete Shehun, thatë që e kishit mikeshë. Çfarë tipi ishte ajo?

Ishte tip i dashur dhe i hidhur njëkohësisht. E hidhte ndonjë fjalë, por unë të paktën nuk e kam keqkuptuar ndonjëherë. Kemi kaluar mirë dhe fëmijët tanë loznin bashkë. Kam qenë në shtëpinë e saj dhe ka qenë në shtëpinë time. Kemi ngrënë bukën e njëra-tjetrës. Jo më kot e përmenda si mikeshë.

Do t’i thoshit “mik” edhe ish-Kryeministrit të ndjerë, Mehmet Shehu?

Do t’i thosha vetëm “iu prehtë shpirti në paqe”, siç ia kam thënë me kohë. Me Fiqretin kam shkuar më mirë se sa me Mehmetin, se ky ishte më zevzek. Ishte kërkues dhe, për hir të së vërtetës, e njihte shumë mirë ekonominë dhe nuk e gënjeje dot. Vetëm se, herë-herë ishte shumë brutal. Të bënte për ujë të ftohtë dhe vetëm kur e shihte se je dorëzuar, të merrte me të mira.

Jeni zënë ndonjëherë me atë?

Jam zënë njëherë e mirë. Rreth 20 ditë para vetëvrasjes.

Vetëvrasje apo vrasje?

Vetëvrasje, jam e bindur.

/Panorama/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej