Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Teserat e Nexhmijes…

Nga admin 0

ilir-seci

Nga Ilir Seci

…Këtyne ditëve po ban xhiron nëpër internet nji dokument i gjetun tash vonë qe provon se Nexhmije Hoxha, (Vejusha e Zezë e diktatorit Enver Hoxha), na paska qenë anëtare e Partisë Fashiste dhe ky fakt po trumbetohet si një farë kompromentimi…

Që gjinden këto dokumente mirë bahet dhe historiani që e gjet duhet përgëzu, por me e nxjerrë këtë si gjetje asht pak me thanë, sarkastike…

Nexhmije Hoxha edhe pa teserën e Partisë Fashiste asht e kompromentueme deri në palcë, me aq shumë kriminalitet në CV-në e saj, sa tesera e Partisë Fashiste ngjan si dekoratë në gjoksin e saj!

Nexhmije Hoxha (Xhuglini) ka qenë kryetarja e Frontit Demokratik të RPSSH-së… Ne që e kena jetue atë kohë e dimë që organizata e Frontit ka qenë organizata që ua ka ba gjyqin publik njerëzve – “kur nxirreshin para Frontit” – për me ua hjekë triskën e Frontit dhe mbas heqjes së triskës vinte demaskimi, mbas demaskimit pasonin internim-dëbimet me finale …burgosjen! Besoj i mbani mend demaskimet para Frontit, ato Demaskimet që i ndiqte kudo makina “Gaz” e Degës së Brendshme, “Gazet” që rrinin gati si ata qentë rreth therrtores! Makina “Gaz” që niste për internim të afërmit e personave të dënuem… Sistemi dikatorial i burrit të Nexhmijes nuk mjaftohej vetëm me burgosjen e armiqve, por shkonte me tej duke internuar të afërmit e të dënuarit… internim-dëbimet kanë qenë nën varësinë e Frontit Popullor dhe siç dihet nga e drejta ndërkombëtare zhvendosja e dhunshme e njerëzve klasifikohet si gjenocid…Familjarët e të dënuarve në Shqipëri në kohën e diktaturës internoheshin forcërisht! Sikur vetëm për këtë gja asht dashtë dënue Vejusha e Zezë… T’i përmendet Nexhmije Hoxhës tesera e Partisë Fashiste është një shaka e hidhun, pa kripë, njisoj si gjyqi për “shpërdorim kafesh” që ja pati ba Sala në vitin 1993…

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>