Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Për protestën, ricikluesit dhe Shqipërinë që po qelbet

Nga 27.al 0

Nga Mentor Kikia

Në vjeshtën e vitin 2003 u ndodha në Londër, kur mijëra njerëz ishin ngritur në protesta kundër vizitës së Presidentit Bush, në kundërshtim të planit amerikano-britanik për të sulmuar Irakun. Dikush na tha aty se ka shumë prej atyre që protestojnë që nuk e dinë fare pse protestojnë, por thjesht protestojnë. Ata protestojnë për çdo gjë…! Atëherë e më vonë kuptova mirë se përse ata kanë qeverisje dhe një klasë politike më të përgjegjshme, sepse për hiç gjë dalin në rrugë. Të protestuarit e kanë institucion. Për këtë arsye e pashë me shumë eurofi protestën për ndalimin e armëve kimike. Për këtë arsye e çmoj shumë edhe protestën për ndalimin e importit të mbetjeve për riciklim. E vlerësoj si tregues i zgjimit të shoqërisë dhe shpresoj që të jemi në rrugë për çdo gjë… Por, dua të kthehem tek çështja e mbetjeve…

Që në nisje dua të them se neveris po aq sa plehrat, politikën që synon të nxjerrë vota prej tyre. Por, ajo që më ka bërë përshtypje këto ditë ka qenë vrulli i disa ambientalistëve (gjithkush mund të vetëquhet sot ambientalist dhe kjo është gjë e mirë) që akuzonin kompanitë e riciklimit për mbeturinat që kanë pushtuar vendin. Por edhe pyetja e madhe që mundon gjithkënd: Përse këta nuk riciklojnë njëherë mbetjet e vendit e pastaj të importojnë?

Për të qenë të ndershëm plotësisht në shesin e mejdanit, ku kemi dalë, duhet të dimë se biznesi i riciklimit nuk ka asnjë faj që plazhet tona janë të ndotura nga mbeturinat. E kemi pyetur ndonjëherë vetën se kush e ka fajin që ka kanaçe e bidona përgjatë rrugëve? Po që lumenjtë janë mbushur me qese apo që kur vërshojnë transportojnë më shumë mbeturina se ujë? E kemi ne që i hedhim, ku të na teket. E ka qeveria, vendore e qëndrore, që nuk i mbledh, që nuk ka ndërtuar as landfille, as impinate. Përkundrazi, ricikluesit janë ata që mbledhin çdo ditë mijëra bidona, kanaçe e sende të tjera atje ku i hedhim ne. U shokova, kur dëgjova dikë të shkruante në gazetë: Të mbyllen fare fabrikat e riciklimit.

A e dini pse nuk riciklohen mbetjet tona (në masë më të madhe)? Sepse, ne nuk i ndajmë në burim. I përzjejmë bashkë, shishe, bidona, kanaçe, letra, fasule dhe trahana. Edhe atë që quhet lëndë e parë ne e bëjmë pleh, e bëjmë mbeturinë. A e dini ç’bëjnë njerëzit nga Britania në Norvegji? Në shtëpitë e tyre i ndajnë mbetjet deri në 7 kategori, ndajnë veçmas deri dhe kutinë e ilaçeve. Ndërsa ne hedhin në kanale, lumenj, pyje e plazhe edhe pirgje me shiringa, shishe serumesh, fasho kirurgjie, e deri edhe organet e njerëzve pas operacioneve. Kë duhet të akuzojmë për këtë mjerim? Pashë një aktivist që i tundtte një sipërmarrësi riciklimi në studio një bidon, të cilin e kishte marrë në Kepin e Rodonit, duke i thënë: Shiko si e keni bërë bregdetin dhe Shqipërinë. Po kush e ka fajin?

Unë kam 10 vjet që çdo vit, me qindra vullnetarë, pastroj dhjetra tonelata mbeteje nga plazhet. Ia dërguam një pjesë një ricikluesi plastike, por i refuzoi. “Janë të pista, nuk mund t’i përdorim”. Riciklimi nuk është kazan gjirizi, edhe ai kërkon standard pastërtie.

Në herë pastronim një plazh dhe ndërsa ngarkonim kamionin me thasë me mbeturina, e pyeta shoferin e bashkisë se ku i dërgonte mbetjet: Në lumë, me tha, atje i hedhim ne përherë. Pra, ne i mblidhnin në det, bashkia i hidhte në lumë.

Unë e kuptoj ndjeshmërinë qytetare ndaj mbetjeve, por a nuk do të ishte mirë t’i bërtisnim qeverisë më parë për këtë katrahurë këtu? Një vend ku mbeturinat as ndahen, e në shumicën e territorit nuk mblidhen fare?

Ndaj të protestojmë, nëse ai ligj lejon, qoftë edhe në një presje, një fjalë apo një nen, importin e plehrave për djegie, depozitim apo për çfarëdolloj arsyeje tjetër, hajde ta ndalim, ta ndalim në çdo lloj mënyre, edhe me dhunë, nëse duhet. Por, unë nuk mendoj që të marrim “pushkën” për të kundërshtuar importin e lëndëve të riciklueshme me arsyen se vendi ynë është plot me mbeturina. Por edhe për shkakun se politika përpiqet të riciklojë vota përmes “plehrave”, duke bërë me radhë herë heroin e herë tradhtarin.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej