Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Panajot Barka gënjen. Ja faktet se kush bashkëpunoi me nazistët në Çamëri

Nga 27.al 0

4

Replikë me profesorin e Universitetit të Gjirokastrës që frymon për Vorio Epirin

Nga Arben Llalla

Nuk kishte gjasa që të qëndronte mënjanë profesori i katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, Panajot Barka rreth gafave të fundit që bëri ministri i jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias duke kërcënuar haptas Shqipërinë rreth Çështjes Çame.

Në shkrimin e tij Barka nuk është i sinqertë dhe i vërtetë, por bënë lojë fjalësh duke gënjyer dhe thënë se Ligji i Luftës i njëanshëm i shpallur nga Greqia nuk ekziston, ku kërkon me çdo kusht që në Shqipëri të ndërtohen rreth 8.000 varre të zbrazura për ushtarët greke. Më tej Panajot Barka shpreh urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve të Çamërisë duke i akuzuar ata se kërkojnë të importojnë minoritetin shqiptar në Çamëri.

Panajot Barka nuk është idiot, as i paditur, sepse ka gjithë ato tituj shkencorë, por në shkrimin e tij kërkon t’i bëjë budallenj shqiptarët rreth probleme të hapura që ekzistojnë midis dy vendeve.

Duket sikur shkrimi i Barkës ka dalë nga zyrat diplomatike të Greqisë si një udhërëfyes se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, nëse duan votën e Greqisë për anëtarësimin në BE.

Në radhë të parë, Panajot Barkës, këtij nacionalisti ekstremist i minoritetit grek, i cili punon prej shumë vitesh për aneksimin e jugut të Shqipërisë, për greqizmin e ortodoksëve shqiptare duhet ta dijë qartë se Ligji i Luftës ekziston.

3
Nota e ambasadës greke e datës 28.6.1999 që konfirmon ekzistencën e Ligjit të Luftës me Shqipërinë

Në 28 Qershor 1999, ambasada greke në Tiranë lëshon për mediat shqiptare një dokument ku deklaron se Ligji i Luftës 2636 (Barka shkruan 2623, por e ka gabim) nënshkruar nga mbreti Jorgo i Dytë dhe botuar në fletoren zyrtare më 10 nëntor. Ky Ligj ka bllokuar të gjithë pasuritë e shqiptarëve që janë në Greqi, pra nuk bëhet fjalë vetëm për pasuritë e shqiptarëve në Çamëri, por pasuritë në Selanik, Follorinë, Kostur, e gjetkë. Pra, dyqane, shtëpi, toka të shumë shqiptarëve nga Korça, Pogradeci, Durrësi, Tirana, Gjirokastra e më gjerë. Mes këtyre pasurive të bllokuara është edhe shtëpia e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan Prishtinës në Selanik. I kanë marrë pronat vetëm ata shqiptarë që kanë ndryshuar kombësinë nga shqiptare në greke dhe unë njoh të këtillë.

Panajot Barka i sygjeron shtetit shqiptar që duhet të zbatojë marrëveshjen për ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë duke ndërtuar rreth 8 mijë varre boshe, pa eshtra ose me eshtrat e shqiptarëve të vdekur ndër vite. Në fakt, mirë do të ishte që ushtarët grekë të prehen në tokën e tyre, ashtu si ushtarët italianë që shteti i tyre i mori shumë vite më parë.

Më tej Panajot Barka na këshillon që nuk duhet përkrahur Shpëtim Idrizi dhe PDIU për Çështjes Çame, sepse ai kërkon t’i importojë Greqisë minoritetin shqiptar në Çamëri. Në këtë rast Barka luan keqas me ndjenjat e një populli. Ai duhet ta dije shumë se çamët u përzunë me dhunë nga EDES e Napoleon Zervës, shqiptarët në Çamëri ishin shtetas grekë, me atë shtetësi që sot shumë të tjerë, pse jo dhe Panajot Barka e kanë marrë prej punëve të fëlliqura.

Pra, Shpëtim Idrizi dhe PDIU kërkon rikthimin e shtetësisë greke në bazë të ligjeve Ndërkombëtare, asgjë më shumë, veç drejtësia të vendoset në vend. Për rikujtesë për Barkën, shqiptarët janë popull i butë dhe njerëzor, nuk i kanë trajtuar pakicat ashtu siç i trajton Greqia, e cila mohon ekzistencën e tyre. Shqipëria komuniste nuk i përzuri grekët minoritarë në Greqi apo t’i keqtrajtonte, kur u përzunë çamët, u masakruan. Përkundrazi, Shqipëria komuniste i shkolloi, madje shumë prej minoritarëve grekë arritën bën lart në shkallët e shtetit të kuq deri në postin ministrit të mbrojtjes, duke treguar se komunistët i besonin minoritetit grek sigurinë kombëtare.

Më tej Panajot Barka na tregon se një grup profesorësh grekë po rrëmojnë nëpër arkivat gjermane, angleze dhe greke për të vërtetuar se çamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Unë e garantoj Barkën dhe shpurën e profesorëve të tij se mund të ketë pasur individë, jo më shumë se 200-300 vetë në gjithë Çamërinë që kanë bashkëpunuar, por kanë qenë me mijëra partizanët që u grupuan në batalionet shqiptare si “Ali Demi” dhe “Çamëria”, por edhe në forcat greke të rezistencës Ellas. Ndaj, nuk ka asnjë arsye të mirëqenë që të të lejojë të persekutosh një popullsi rreth 30 mijë.

4
Gjeneral-Lejtnant, Francesco Jacomoni me Mitropolitin e Konicës dhe Pogonit Dhimitri Efthimiu, Pogonia (Voshtina), 1940

Prej 72 vitesh Greqia me studiuesit dhe historianët e saj hodhi baltë mbi popullsinë shqiptare nga Çamëria se kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve. Le të gërmojnë Barka dhe barkat e tjera të shpëtimit për ato materiale, por nuk do gjejnë asgjë, asnjë fotografi, asnjë marrëveshje të çamëve me italianët dhe gjermanët në dëm të popullit grek. Panajot Barka ua them hapur në sy, se kolaboristët grekë nuk u dënuan, por qeverisën Greqinë e pas lufte e deri më sot. Po ua dëshmojë këtë me fakte, faksimile dhe fotografi të dalë nga arkivat greke.

Po ju mund të më dëshmoni me fotografi dhe faksimile origjinale dhe jo falcifikime për bashkëpunimin e çamëve me gjermanët?

Madje, për këtë çështje urdhëroni ku të doni në një debat publik, në cilin television të dëshironi, zgjidheni ju Panajot Barka. Jam i gatshëm të përballem me fakte dhe jo akuza politike për të na e mbylluar gojën, për mos të mbrojtur dhe thënë të vërtetën.

Ja ta nisim me disa pyetje të thjeshta:

Panajot Barka përse vllehët nuk u persekutuan ashtu si çamët?

Vllehët bashkëpunuan zyrtarisht me italianët dhe gjermanët, shpallën Autonominë e Principatës së Pindit në mars 1942, por popullsia vllehe nuk u persekutua.

1
Dokument i CIA që vërteton se Konstandin Karamanlis ka qenë bashkëpunëtor i nazistëve

Përse Konstandin Karamanlis nuk u persekutua si bashkëpunor i gestapos gjermane në Selanik, por u bë president dhe kryeministër?

Po Maimaraqis, pa folur për Rallis?

Përse miku juaj dhe i kryepeshkop Anastasit, vllehu Nikolla Jani Mercos nuk u burgos apo u persekutua si bashkëpunëtor i italianëve dhe gjermanëve?

I thoni Niko Mercos, meqë është ende gjallë që unë e akuzoj atë publikisht si bashkëpunëtor të nazistëve.

Përse Nikolla Mattheo Matusi, ish-kryeministri i Autonomisë së Principatës së Pindit dhe komandant i trupave vllehe “Legjionet Romake” që bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët nuk u dënua, por vdiq i respektuar nga shteti grek?

2
Tre dokumenta që vërtetojnë bashkëpunimin për familjen Meimaraqis

Ju Barka vazhdoni ende të merrni pjesë në aktivitetet për Autonominë e Vorio Epirit me Babis Karathanon dhe shumë grek të tjerë ekstremistë?

Ju këshilloj profesor Barka të mos mbani leksione rreth çështjeve greko-shqiptare, sepse jeni i njëanshëm, i padrejtë, një gënjeshtar i cekët. Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhen gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do të dalë në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar. Prandaj, unë jam i bindur se Çështja Çame po shkon drejtë zgjidhjes, jemi në rrugë të mbarë për rikthimin në Çamëri në bazë të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>