Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Një përgjigje për Enkel Demin, Lorenc Vangjelin dhe Lulzim Bashën

Nga 27.al 0

Nga Arian Galdini

Një shkodran më tregoi para pak ditësh një barsoletë nga ato që veç shkodranët dinë t’i krijojnë aq bukur e që ndërsa të bëjnë të qeshësh, të bëjnë edhe të mendosh thellë.

Ai më tregoi se paskërkësh qenë një djalë i pashëm që po ecte në rrugë. Befas në ballkonin e një pallati diku në katet e sipërme sheh një vajzë shumë të bukur, e cila ia kishte ngulur sytë a thua se donte ta përpinte të tërin. Djali u ndal dhe ia kryqëzoi shikimin vashës joshëse. Ajo buzëqesh dhe e fton lart. Ky ngazëllehet shumë e rend turravrap për tek hyrja e pallatit e nis të ngjise shkallët. Kur mbërrin tek dera e apartamentit të vajzës, e sheh gjysëm të hapur. Nuk hyn brenda menjëherë se dëgjon ca ofshama të pazakonta. Përpiqet të shihe nga dera ç’po ndodhte. Nuk po u besonte syve. Vajza ishte duke bërë dashuri me tre xhuxha. Djali iku i mërzitur, i zhgënjyer dhe i zemëruar. Ditën tjetër, ndodhi e njëjta gjë. Djali pa vajzën, vajza e ftoi, ai u ngjit lart dhe nga dera pa tre xhuxhat që bënin qejf me vajzën e bukur. Kështu ndodhi një javë rresht. Por, një ditë, djali kaloi, vajza e ftoi lart, ai u ngjit, gjeti derën çelur, por nuk dëgjoi asnjë ofshamë. Zgjat kokën tek dera dhe pa vajzën vetëm që po e priste me rrezëllitëse se kurrë. Atëherë djali i thotë vajzës: Po nuk qenë tre xhuxhat, unë nuk hyj brenda.

M’u kujtua kjo barsoletë mbrëmë, ndërsa ndiqja emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku ishte i ftuar Lulzim Basha. Diku nga fundi i emisionit, Lorenc Vangjeli i bën një pyetje në dukje të thatë dhe legjitime. Pothuajse të njëjtën gjë si pyetja e mbrëmshme e Lorenc Vangjelit, e ka shkruar pak ditë më parë në 27.al, Enkel Demi. Thelbi i pyetjes është pak a shumë ky: Lulzim Basha bëri koalicion në Dibër me Kreshnik Spahiun dhe Arian Galdinin. Humbi. A do të vazhdojë në po të njëjtin koalicion edhe në 2017?

Unë nuk e kritikoj, e as delegjitimoj dot pyetjen e as konstatimin e drejtpërdrejtë. Por, kam gjithë të drejtën e botës që të qëmtoj nëpër të.

Së pari, marr përsipër të kthjelloj e qëmtoj nëpër gjithçka ka të bëjë me mua, emrin tim dhe partinë time. Jam i sigurtë se Kreshniku di të përgjigjet vetë për emrin dhe partinë e tij.

Së dyti, më duhet të bëj me dije se ç’shoh unë përtej kësaj pyetjeje a konstatimi kaq të thjeshtë që thotë a shkruan kaq ngurtësisht: Lulzim Basha në koalicion me Kreshnik Spahiun dhe Arian Galdinin…

Më e pakta që shoh, lexoj e kuptoj është se as Enkel Demi dhe as Lorenc Vangjeli, nuk kanë, nuk gjejnë apo nuk kanë ngasjen tonë të thonë më shumë fjalë se kaq. Fjalët nga gazetari janë të llogaritura sipas qëllimit, targetit dhe hapësirës që synon të shfrytëzojë ai që shkruan a flet. Këtë e kuptoj.

Ama, unë jam si fillim qënie njerëzore, me tej jam njeri modestisht me një zë e veprimtari shumë vjeçare publike, e ndërkohë kam nisur edhe një sfidë si kryetar i LDE, e cila është një parti e re, ende në formësim dhe e paprovuar elektoralisht.

Në të treja këto dimensione, unë pres e kam vetëdijesimin se meritoj më shumë fjalë se kaq. As heshtjen e Lulzim Bashës, as shmangien e Lulzim Bashës, kur pyetet për emrin tim, nuk e meritoj. Mosmarja përsipër e Lulzim Bashës që të shtojë fjalë, mbi këto pak fjalë që kanë thënë a shkruar për mua Lorenc Vangjeli dhe Enkel Demi, mua më lëndon e madje më fyen e zemëron. Nuk është as arrogancë, as mungesë modestie, e as hallakatje psikike, të kesh pritshmëri për më shumë fjalë nga aleati i madh, kur ai vetë të ka pritur në një takim zyrtar mes dy ekipeve drejtuese të partive tona politike, e vetë ka dalë në konferencë për shyp me mua, për të shpallur marrëveshjen PD – LDE.

Edhe Enkel Demin e di se ka më shumë fjalë për mua, se njihemi që në kohë revolucionësh, në fillimin e viteve ‘90. Me Enkelin jemi miq e bashkëudhëtarë betejash e sfidash të mbara e për të mirën publike në këtë vend që prej ditëve kur lindi pluralizmi dhe demokracia.

Ndërsa me Lorenc Vangjelin, nuk njihemi personalisht. Kemi shtrënguar herë pas here duart në ndonjë pritje a event, por nuk kemi patur asnjë kryqëzim e mundësi që të njihemi për të pritur më shumë fjalë prej tij bazuar në njohjen personale.

Publikisht, ai nuk ka asnjë detyrim që të ketë më shumë fjalë për mua, sepse Lorenci është i qartë në pozicionimin e tij.

Sidoqoftë, gjithçka unë dua të them krejt qashtër e dëlirësisht këtu është se unë në asnjë prej ditëve të jetës sime, nuk kam kërkuar dhurata. Bëj pjesë tek ata njerëz që në jetën time gjithçka kam e jam, ka ardhur si rezultat i shumë pune, përpjekjesh, sakrificash dhe mundi. Kam hyrë në “hapësirën jetike” të njerëzve me zë publik e rol politik, jo sepse dikush më ka hapur udhën, ndihmuar, financuar, porositur, paguar, apo ftuar. Kam hyrë vetëm, sepse e kam ndjerë si thirrje të brendshme, si grishje njerëzore, qytetare dhe intelektuale për të mos vegjetuar si njeri që e duron atdheun, por për t’u përballur si njeri që do që ta bëjë më të mire atdheun. Kurrë nuk jam paguar me taksat e qytetarëve shqiptarë. (Me përjashtim të dy muajve, kur kam qenë shef kabineti në MTKRS, prej nga ku jam larguar me dorëheqje, sepse refuzova të bëhesha pjesë e zullumeve). Të gjitha betejat e mia publike si aktivist civil, si qytetar a si aktivist politik i kam bërë pa pagesa, pa përfitime, pa agjendë personale meskine. Kam folur në TV, kam shkruar në gazeta, kam drejtuar nisma e protesta në sheshe, kam folur në salla e auditore, jo me projekte të mirëpaguara, jo me porosi, jo me financim, jo me lojë politike, por me dëshirë e vullnet të mbarë shërbese publike si qytetar me ndërgjegje të alertuar. Kam qenë shumë pranë e kam miq pothuajse të gjithë njerëzit kryesore që e kanë drejtuar politikën shqiptare në këto 25 vjet. Me disa prej tyre kam bashkëpunuar edhe drejtpërdrejtë. E kurrë, kurrë me asnjërin prej tyre nuk kam patur marrëveshje apo bashkëpunim çdinjitësues, ndërvarësues apo me pagesë. Të gjitha miqësitë dhe bashkëpunimet i kam patur me dinjitet e integritet të plotë, me lirinë për të qenë vetvetja, i pastër i papërlyer, i lirë. Kam qenë e do të jem me ata, por kurrë si ata. Edhe ata e dinë këtë.

Tani, ç’lidhje ka ky shpjegim mbi vetën time, me fjalët e pakta që ka shkruar Enkel Demi, thënë Lorenc Vangjeli, apo me fjalët që nuk i ka thënë Lulzim Basha?

Jua them menjëherë.

Unë dhe LDE kemi hyrë në koalicion me PD, jo me pazar, jo me agjendë postesh a ndarjeje torte. Lulzim Basha këtë e di me mirë se kushdo tjetër. Madje, kur ai më ka pyetur nëse bashkëpunimi ynë nënkuptonte edhe ndonjë kerkese nga LDE për ndonjë gjë specifike, unë i jam përgjigjur: Asgjë. Basha ka mbetur i habitur, kur unë i kam thënë se unë dhe LDE nuk duam asgjë nga PD, asnjë dhuratë, asnjë ndihmë, asnjë përfitim, asgjë. Sepse, unë dhe LDE këtë e kemi si një betejë politike dhe qytetare të ndërgjegjeve tona të grishtura.

Që të bëhem me plagëprekës: Unë dhe LDE nuk i jemi bashkuar PD as për të kapur ndonjë qoshe a pjese torte. Nuk duam, nuk kemi nevojë, e madje as na plas fare! Unë dhe njerëzit që janë bashkuar me mua në LDE, jemi njerëz që ia kemi dalë mbanë në jetën tonë të sigurojmë jetesën tonë me ndershmëri e zotësi, krejt’ jashtë politikës e pa ia patur fare nevojën politikës. Unë vetë u bënë shumë vite tashmë që jap mësim në universitet si pedagog, e të gjithë ata që janë me mua në LDE janë njerëz të realizuar në jetën e tyre si pedagogë, inxhinierë, avokatë, arkitektë, mjekë, e kështu me radhë. Asnjëri prej nesh në LDE nuk jeton nga politika e nuk ka nevojë që të merret me politikë për të jetuar. Ndaj edhe jemi krejt tjetër gjë, krejt tjetër lloj partie ne, në spektrin politik dhe veçanërisht në koalicion. Nuk kemi fare, po fare nevojë, asnjëri prej nesh në LDE, as për PD e as për Lulzim Bashën e askënd tjetër që t’ia dalim mbanë në jetët tona private! Ndaj as i servilosemi, as i bëjmë fresk e as e ndjekim si njerëz a parti ndjekëse askund.

Për shembull, në Dibër ne u bashkuam në koalicionin opozitar për të mbështetur Sherefedin Shehun me shumë kënaqësi e dëshirë për të dhënë kontributin tonë të plotë. Mirëpo, PD nuk na përfshiu as në agjendën, as në strategjinë, e as projeksionin e fushatës elektorale në Dibër. Jemi ftuar vetëm dy herë, si parti aleate për të marrë pjesë në tubimin e hapjes dhe në mitingun e mbylljes së fushatës elektorale. Madje, na u tha se jemi të ftuar, por të paparashikuar për të folur në këto dy evente elektorale. PD zgjodhi të tjerë aleatë e partnerë si fytyrat, zërin dhe panelin e koalicionit tonë në Dibër. Unë dhe ne si LDE vendosëm pa asnjë mëdyshje që të mos shkonim në asnjërin prej dy eventeve. Pra, unë nuk kam qenë në panelin e Dibrës, i dashur Lorenc. Arsyet i di Lulzim Basha dhe PD. A i shmangem unë përgjegjësisë që më takon si parti aleate për gjithçka ndodhi në Dibër? Kurrësesi jo. Marr të plotë të gjithë përgjegjësinë e fajet që më takojnë. LDE ishte me sigël në fletën e votimit si aleate e PD dhe ndan bashkë me PD të gjithë përgjegjësinë mbi gjithçka ndodhi në Dibër. Edhe unë marr përsipër po aq përgjegjësi e faje sa mund të ketë edhe Basha e ata që ishin në panel. Rikonfirmoj, gjithashtu se ende besoj se ky koalicion mund e duhet të funksionojë si fitues për 2017. Besoj ende se Lulzim Basha është lideri i duhur që mund të na bashkojë e udhëheqë drejt fitores në 2017.

Por as dinjitetin tim, e as integritetin tim nuk ia fal as Lulzim Bashës e as PD. Bashkëpunimin, luajalitetin, mirëbesimin dhe durimin tim e kanë të plotë. Por, nga dinjiteti dhe integriteti im, nuk u jap asnjë grimë. Sepse e përsëris, unë dhe LDE nuk duam e as presim asnjë dhuratë nga Lulzim Basha dhe PD.

Ndaj, që ta përmbyll, e t’i jap një kuptim e përfundim këtij arsyetimi; jemi mësuar që koalicionet, bashkëpunimet, partneritetet dhe vendimet politike i shohim gjithmonë si ai djali pas dere që gjente tre xhuxhat që ngopnin bukuroshen.

E kur e gjejmë bukuroshen të lirë, habitemi e i themi se nuk na hyn në sy po nuk e pamë me tre xhuxhat.

Nëse koalicion a bashkëpunim politik, konsiderohet vetëm ai me numrat dhe emrat e atyre që kanë 25 vjet që i njohim si “xhuxhat” që nuk kanë lënë bukuroshe pa përdhunuar në këtë vend, atëherë nuk lëmë dot vend për konkurencën e lirë, e as ndyshimin kah e mira në Shqipëri.

Unë dhe LDE jemi ajo çka asnjë parti politike nuk është e nuk mund të jetë dot në Shqipëri. Këtë e them pa modesti, sepse ne nuk jemi e as pretendojmë as madhështi, as llogari, poste, as dhurata, as domosdoshmëri.

Ne, thjesht jemi, ekzistojmë, rezistojmë, përballemi e përpiqemi për të konkuruar si të merituar, për të mbërritur aq sa meritojmë.

Ku qëndron e keqja dhe problemi këtu?

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej