Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Mesila Doda: Nuk jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë (video)

Nga Ejona 0

3

Gjatë një konference për dënimin e krimeve të komunizmit në Parlamentin Europian në Bruksel, deputetja e PDIU-së, Mesila Doda është shprehur se Europa ngrihet mbi themelet e respektit për të drejtat e njeriut. Sipas saj, dënimi i diktaturës dhe krimit mbetet ende sfidë morale e shoqërisë shqiptare. Kush nuk reflekton mbi të kaluarën nuk ndërton dot një të ardhme, ndaj dosjet duhen hapur, kurse eksponentët e regjimit komunist, bashkëpunëtorët e tyre, spiunët e Sigurimit të Shtetit duhet të marrin dënimin moral të historisë.

Më tej fjalimi i plotë i Mesila Dodës në Parlamentin Europian.

1

Të nderuar pjesmarrës,

Jam e privilegjuar dhe mirënjohëse që jam pjesë e këtij takimi të mbajtur sot për një temë që shpesh e trajtojmë si të kaluar, të largët, por që ende influencon jetën tonë, mënyrën tonë të menduarit dhe që është ndarja nga trashëgimia e së kaluarës komuniste dhe trajtimi i dokumenteve sekrete të regjimit e më specifikisht trajtimi i hapjes së dosjeve sekrete dhe denoncimeve të bëra përgjatë thuajse gjysëm shekulli.

Fjala ime e sotme do ketë një pjesë historike, ku do mund të sjellë shkurtimisht historikun e hapjes së dosjeve dhe lustracionit përgjatë viteve të tranzicionit të demokracisë shqiptare dhe aktualitetin e sotëm se si po trajtohet ky fenomen në vendin tonë.

Qysh me fillimin e demokracisë Shqipëria nuk arriti të kryente një ndarje të thellë morale e historike nga e kaluara e saj komuniste. Trajtimi i viteve të para të periudhës post-komuniste më së shumti ju referua një thënie, e cila në një farë mënyre e amnistonte regjimin diktatorial komunist: “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”. Me këtë filozofi regjimi moralisht u amnistua, sepse për hir të kohezionit social nuk u mbajt një pozicion moral refraktar me regjimin e shkuar. Megjithatë qeveria demokratike e viteve të para, ndërmori disa hapa konkretë. Rreth 40 ish-eksponentë të regjimit u dënuan për genocid ndaj popullsisë së tyre dhe një komision i posaçëm u emërua për largimin nga detyrat e larta publike të zyrtarëve që kishin bashkëpunuar me regjimin si bashkëpuntor të organeve të Sigurimit.Thënë ndryshe pra, pati një Ligj për kontrollin e figurës së zyrtarve dhe pati dënime për disa eksponentë të regjimit. Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë që dënonte krimet e ish-regjimit, por nuk pati një proces tërësor, refraktar e transparent që do bënte të mundur hapjen e plotë, tërësore, të dokumenteve sekrete të diktaturës, largimin e gjithë të inkriminuarve e mbi të gjitha krijimin e një pozicionimi moral të elitave politike e kulturore, por edhe gjithë popullsisë në raport me të kaluarën kriminale të vendit.

Përgjatë viteve më pas, edhe ky ligj pushoi së ekzistuari dhe palët thjesht kanë bërë lojëra politike, kur e si kanë mundur për të influencuar jetën politike e institucionale të vendit, por askush nuk ra dakord të krijonte një qasje ndryshe, një ndarje morale, të zbardhte krejtësisht krimet e diktaturës komuniste dhe të mbyllte çdo përpjekje për të mbajtur nën kontroll sistemin e individët me informacione, por edhe metoda të trashëguara nga një e kaluar totalitariste e autoritariste.

2

Në vitin 2008 u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë ligji për kontrollin e figurës së zyrtarve, i cili tentonte të largonte personat që kishin rihyrë në sistem por edhe ata që kishin mbetur në organet drejtuese të drejtësisë, ekzekutivit dhe legjislativit. Ligji u quajt antikushtetues dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ku shumica e antarëve prekeshin drejtpërdrejtë nga pasojat e ligjit dhe ishin në konflikt të pastër interesi gjatë gjykimit të tij.

Ne vitin 2013 në një inisiativë të përbashkët timen dhe të zotit Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU, sollëm në Parlament një ligj të përgatitur nga shoqëria civile, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut mbështetur nga Lëvizja e ish-Studentëve të Dhjetorit, të cilët janë iniciuesit e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Ky ligj që ne sollëm mbante parasysh vërejtjet e bëra nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e meparshëm dhe në të njëjtën kohë afronte një zgjidhje përfundimtare e radikale të problemit. Menjëherë qeveria solli me urgjencë një ligj tjetër që kishte në objekt një ligj i së drejtës për informim që është një ligj për hapjen e dosjeve sekrete, ligj i cili sot është miratuar, ndërsa refuzoi ligjin e paraqitur prej nesh.

Sot, ka një ligj të miratuar për hapjen e dosjeve pa emra, vetëm me iniciale, i cili nuk do të shoqërohet me largimin e personave të inkriminuar dhe as të atyre që ka qenë pjesë e funksionarëve të ish-regjimit, pra një hapje dosjesh për efekt informimi pa lustracion dhe pa emra. E megjithatë edhe për këtë u deshën thuajse dy vjet që të zgjidhej Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, pasi ligji u fut në sirtar dhe Autoriteti që do kryente veprimtarinë nuk krijohej në shkelje të hapur të procedurave dhe afateve ligjore. E them këtë fakt për të sjellë para jush se sa e gjallë dhe e fuqishme është ende sot trashëgimia komuniste në vendin tim, megjithëse ky është vetëm një tregues, por ende jo i gjithë realiteti. Shpresoj me gjithë zemër që Autoriteti i krijuar për hapjen e dosjeve, me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe OSBE do mund të bëjë një hap përpara që është një mision i cunguar, por gjithsesi është një hap drejt zbardhjes së krimit.

Para disa vitesh në Shqipëri u nderuan me medalje nderi nga Ministria e Mbrojtjes disa veteranë të Luftës së Dytë Botërore. Siç doli më vonë mes tyre kishte persona që kanë marrë pjesë në torturimin e klerit katolik të martirizuar shqiptar dhe disidentëve të tjerë. Përsëri ne sollëm një ligj që të kishim mundësi që për figura të tilla të rishikoheshin titujt e nderit që kanë marrë përgjatë jetës së tyre. Ende sot rezultojnë të kenë urdhrat më të lartë shtetëror eksponentët më të lartë komunistë, përfshirë Enver Hoxhën, i cili është Hero i Popullit. Si gjithmonë, Kryeminnistri solli me shpejtësi një ligj paralel, por kësaj here të dyja ligjet dhe ai i sjellë prej nesh dhe ai i kryeministrit kanë patur fatin e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve. Parlamenti nuk e merr në shqyrtim duke shkelur në mënyrë të njëanshme të gjitha procedurat parlametare. Kam bërë thirrje publike, letër Kryetarit të Kuvendit dhe nuk marr asnjë përgjigje.

Sot, kemi 38 martirë të Kishës të shpallur nga Vatikani, të nderuar nga Presidenti me urdhrin më të lartë të Kombit dhe në të njëjtën kohë kemi të nderuar xhelatët e tyre. Ky është raporti që kemi ende sot me të kaluarën dhe moralin e shtrembër që klasa politike ka mbajtur në trajtimin e saj. Një e djathtë që nuk pati kurrë kurajon t’i shkonte deri në fund zbardhjes së kaluarës e ndarjes prej saj, megjithëse e përdor politikisht sa herë i duhet dhe një e majtë që herë pas here tenton një makiazh të trashëgimisë së saj politike, por nuk ka fuqinë që të bëjë një rishikim total dhe një ndarje historike reale nga kjo e kaluar.

Në këto kushte qasjet ndaj këtij problem, por edhe pasojat që kanë rrjedhur janë të shumta. Unë besoj se një ndarje radikale, ku të vërtetat historike të thuhen publikisht dhe ku personat e inkriminuar e pjesmarrës të mos mbajnë pozita të larta shtetërore, nderime e tituj shtetëror është qasja më e drejtë për të mbyllur një kapitull të së kaluarës. Prej atij regjimi kemi të trashëguar urrejtje ndaj njëri-tjetrit, luftë të paprinciptë politike dhe autoritarizëm në drejtim të partive politike shqiptare. Prej asaj kohe kemi të trashëguar një gjuhë vulgare e kriminale për të asgjësuar kundërshtarin politik, por edhe të pabindurin brenda forcës politike. Prej asaj kohe nuk ka më asnjë kod moral a njerëzor që të jetë pikë referimi absolute e klasës sonë politike dhe elitave që duket sikur lëvizin, por janë gjithmonë të vjetrit, të cilët diktojnë delfinët e rinj e të paaftë për të sjellë diçka të re në një realitet që po lodh qytetarët shqiptarë.

Unë nuk besoj se lufta jonë është me të kaluarën, por besoj fuqishëm se lufta jonë është me krimin e fshehur të së kaluarës që dikton të ardhmen e vendit. Asgjë nuk do ndryshojë, nëse nuk kuptojmë që morali duhet të jetë pjesë e politikës dhe se ky pozicionim moral së bashku me Çështjen Kombëtare janë dy shtyllat e larta, ku duhet të mbështetet veprimtaria e politikës dhe politikanëve, drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve, shoqërisë civile, medias e artit. Kemi nevojë të shohim nga vetja, të largojmë të paaftët, të korruptuarit e të inkriminuarit dhe të nisim një faqe të re të historisë moderne të kombit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>