Ka than' i moçmi: 

 "Unë dua të rroj gjersa ta shoh të bukurë të dashurën Shqipërinë tonë, të lirë e të madhe dhe pastaj me gëzim le të vijë vdekja"

                                                                                        -Jeronim De Rada

Kolonia ndëshkimore ndaj RTSH-së e drejtorit të MAPO-s

Nga 27-shi 0

Nga Enkel Demi

Drejtori i gazetës “Mapo”, zoti Ervis Iljazaj ka mbërritur në një përfundim të prerë që Televizioni Publik është i dështuar, sepse nuk ka audiencë dhe paratë publike është shumë mirë që t’u jepen privatëve për shërbime publike të caktuara. Kjo nuk është një ide vetmitare e zotit Iljazaj, por edhe disa opinionistëve të tjerë, të cilët natyrisht kur arrijnë në përfundime të këtilla, meqë përfaqësojnë mendimin kontekstualist duhet të nisen nga të dhëna shkencore. E qëmtova me kujdes shkrimin “Televizioni shtetëror nuk ka asnjë vlerë, po parave publike për televizionet private”, botuar në MAPO dhe nuk gjeta asnjë të dhënë. Natyrisht, si të gjithë komentatorët e shumtë të shtypit, drejtori i gazetës niset në analizën e tij nga negativja për të nxjerrë një përfundim negativ. Përsa i përket të dhënës shkencore, me siguri burimi i vetëm i matjes së audiencës, për pasojë dështimit të RTSH-së, është vetëm një; “derisa unë nuk e shoh, nuk e sheh askush”. Me këtë logjikë i bie që të mendoj se, meqë këtë sezon nuk e kam parë asnjë të enjte zotin Iljazaj, kur ka qenë i pranishëm në studiot televizive, atëherë emisionet, ku ai merr pjesë janë zero në audiencë. Pyetja është përse çdo të enjte? Sepse TVSH jep ndeshjet e Europa League, pa pagesë dhe natyrisht audienca në këtë rast në të gjithë botën është në 60 për qind e lart për nga topi i lojës. Natyrisht, ka gjasë që vetëm shqiptarët të bëjnë përjashtim nga ky rregull dhe të shohin emisionet me analistë politikë në vend të Atletico Madrid – Olympique de Marseille. Po kështu, duke nisur nga kjo e enjtje, unë për vete nuk do të shoh asnjë emision tjetër, sepse nis Botërori dhe jepet vetëm e vetëm në RTSH, pa pagesë, në asnjë pay tv, shoqëruar me emisione nga më të larmishmet, në të cilat nuk do jepen vetëm golat e rastet, por gjithçka ndodh brenda e jashtë futbollit, sepse pamjet e intervistat, fjala vjen të Leo Mesit dhe CR7 janë eksluzivitet i RTSH-së. Por, meqë unë do të shoh vetëm Botërorin, kjo nuk do të thotë që nëna ime 70 e ca kusur vjeç nuk do të ndjekë diku në një studio zotin Iljazaj, veç nëse ato mbyllen, meqë ky sezon për të tjerët është pak më i shkurtër, përveç TVSH-së. Por, jo vetëm Botërori, madje turneu i Wimbledon në tenis jepet veç në TVSH, Formula 1, Moto GP, Olimpiada, ndeshjet e Kombëtares shqiptare, Kombëtarja e volejbollit që po merr rezultate të mëdha, Superliga shqiptare… upsss doli me shumë audiencë vetëm deri këtu TVSH-ja!

Meqë zoti Iljazaj e ka të elaboruar mendimin kontekstualist, do pyetje i kam për të; nëse Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli, Artan Hoxha kanë audiencë tek Fevziu përse nuk duhet të kenë në emisionin “Java” në TVSH, meqë janë po ata që e bëjnë… apo nuk kanë as tek Blendi, as tek dështimi i TVSH-së? Po emisioni “Përballë” i Lutfi Dervishit, i cili ka intervistuar në stilin hard talk gjithë krerët e politikës shqiptare, historianë, njerëz me peshë në Europë dhe SHBA ka shikues? Nëse ai nuk ka audiencë përse i zbardhet çdo intervistë, shumë prej tyre të publikuar në gazetën që drejton vetë zoti Iljazaj. Si shpjegohet që një dështim e merr e boton në një gazetë që e shet me lekë? A e di kush që MasterChef Jounior është jo vetëm një sukses televiziv me audiencë tejet të lartë, por projekt që thithi si kurrë më parë marketing? Po Festivali me Adi Krastën pati audiencë? Eugent Bushpepën që e ndoqëm kudo deri në Lisbonë nga doli? Alfred Peza ishte pa oferta që nisi programin “Dita e 8” në RTSH? Të tjera pyetje nuk kam, se për mua vetë apo le ta hap krahun tek mëngjezorë si Piers Morgan audienca duhet të jetë zero, sepse nuk besoj që intelektualët çohen aq herët nga gjumi.

Ka një program mitik TVSH që quhet “Trupi dhe shëndeti” me Flamur Topin, i cili padyshim është i ndjekur ndoshta më shumë se të gjitha programet që prodhohen në këtë tokë shqipesh. Kaq i rëndësishëm është ky emision sa e kanë klonuar dhe këta privatët që duhet të bëjnë shërbime publike. Më e bukura, Arian Çani që promovon filozofët e shkollës kontekstualiste, një orë në javë e ke duke bërë “Trupi dhe shëndeti”, prej muajsh tashmë.

Por, a është mirë RTSH-ja? Natyrisht, duhet të ishte shumë më mirë, por jo për arsyet që jep zoti Iljazaj. Dikush tjetër do t’i kishte hyrë më në thelb punës; ligjit, me anë të cilit funksionon RTSH. Këtë ligj e kanë shkruar me dorën e tyre operatorët komercialë që media publike mos të hyjë kurrë në treg. Fjala vjen, për të bërë një skenografi të re aksh televizion privat, ka lirinë të marrë skenografin më të mirë të Italisë dhe ta sjellë këtu. Unë para disa vjetësh për të shtruar me parket studion e projektit tim në RTSH, duhet të prisja tenderin. Bëhej fjalë për 90 mijë lekë vlerë malli dhe e fitonte vetëm njëri në Kukës, i cili e kishte parketin më të lirë, por vetëm me ngjyrë të bardhë. E keqja ishte që ne e donim me ngjyrë druri. Kompanitë e mëdha nuk pranonin të hynin në një tender të këtillë, sepse fitimi nuk ja vlente as për letrat që duhet të bënin.

Nëse do të flisnim për RTSH-në, pse nuk e thotë kush që një pjesë e mirë e aseteve të tij janë të zaptuara nga privati, madje prej televizioneve private dhe ky “gjigand” mediatik nuk ka ku ngre një studio të madhe për të bërë një spektakël? Po arkivën që ia vjedhin përditë këta që do bëjnë shërbimet publike?

Megjithatë, ka shumë për të bërë dhe afruar, ani se ngjarje po ndodhin përditë. Sot, ke një rrjet të dixhitalizuar që transmeton një buqetë kanalesh falas, sport, lajme, filma, muzikë e kështu me radhë. Është marrë një kredi e rëndë që të dixhitalizohet Shqipëria, të cilën RTSH e paguan çdo muaj. Ke një app që quhet “RTSH Tani”, e cila deri më tani po përdoret nga mbi 100 mijë njerëz në telefonat e tyre dhe të jep gjithë këto kanale falas. Po pate fëmijë të vegjël, mirë është ta shfrytëzosh kanalin më të ri për fëmijë, se e ke 24/24 dhe 7/7 filma, emisione, teatër e gjithçka. Unë për vete shpresoj për një sezon të ri që fillon në shtator e besoj në një ofertë të re, sepse kam informacion për këtë.

Ka një orkestër simfonike RTSH-ja që është një pasuri e madhe kombëtare. Ndoshta jo çdokush e pëlqen muzikën klasike që të ndjekë një sezon koncertor të plotë, ku veç tanëve, vijnë dirigjentë me zë në Europë dhe botë apo instrumentistët shqiptarë më të mirë në Perëndim. Si përherë, këto koncerte i ke qelepir, pa para. Por, sa për ta kuptuar vlerën, koncertin e “Tre musketierëve” apo Alban Skënderajt e bënë me këtë orkestër dhe e prodhoi RTSH. Sukses i jashtëzakonshëm e me siguri zotit Iljazaj do ketë qenë në sallë apo e ka parë në televizor, por si shumë të tjerë ka respektuar kodin e heshtjes, një farë “omertaje”, që e shohim, por nuk duhet ta themi, se ka logon “RTSH”.

E fundit, një mendimtar liberal apo konservator nuk mund të gëzohet kurrsesi që paratë publike i jepen kapitalistit, sepse ligjësia e funksionimit të tij është larg publikes, pasi e dikton tregu. Ose, keqadministrimi i medias ka qenë një dështim, sa ka nevojë për pare shteti që të lajë borxhet, duke shitur pavarësinë editoriale. Unë nuk e di përse do i marrë këto lekë privati, por Shqiptarja.com raportonte sot për t’i vënë kapak Fake News. Më fal, tani që do marrin pare publike nuk do e japin më këta propagandën e llojit ERTV? A nuk është kjo shplarje truri Fake News-i më i pashoq në kontinent, i ngjashëm me metodologjinë e Goebbels.

Por, si mund të kërkosh shërbime publike nga komerciali që edhe kur bën një emision-dokumentar që rrëfen Shqipërinë, natyrën, historinë, zhvillimet nëpër vende të konsideruara të humbura, i fut nja dy episode për një fabrikë kosi apo përpunimi mishi… Kjo ndodh, se komercialin e udhëheq marketingu dhe jo interesi publik. Nëse do të kishte një fije interes publik përse kishte për t’u rebeluar Blendi Fevziu?

Në pikëpamjen e pavarësisë së medias, këto para po blejnë pikërisht pavarësinë editoriale. Kam frikë se ky ligj nuk ka të ngjashëm në Perëndim. Nga ana tjetër prish krejt rregullat e konkurencës së lirë në treg. Si mund të futet një operator i ri në treg, kur të tjerët marrin miliona euro para publike pa filluar punë akoma në ndarjen e tortës së reklamës?

Tani, në pikëpamjen filozofike, nëse Ayn Rand do ta dëgjonte këtë “mrekulli” shqiptare, ku para publike i jepen si ndihmë kapitalit privat, me thënë të drejtën do të ishte rrotulluar nja dy herë në varr.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej