Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Çadra u shkreh bashkë me dinjitetin e Partisë Demokratike (film)

Nga Media 0

Nuk ka kauzë më të fortë për shqiptarët qofshin të majtë a të djathtë se sa zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të paktën kështu do të duhej të ishte. Në Shqipëri nuk janë kryer kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në asnjë moment. Në çdo proces zgjedhor, vota është dhunuar në gjithëfarëlloj mënyrash, duke nisur nga presionet e deri tek dhuna fizike. Zgjedhjet e lira mungojnë kudo, jo vetëm ato për Kuvendin apo për drejtuesit vendorë. Në Shqipëri mungon liria e votës brenda partive politike e në çdo strukturë tjetër të shoqërisë shqiptare. Në Shqipëri nuk ka konkurencë, ka nepotizëm, klientelizëm dhe korrupsion. Liria e votës, do të duhej të ishte me të vërtetë një kauzë e fortë për shqiptarët. Por, nuk u bë e tillë për demokratët e çadrës së Lulzim Bashës, edhe pse në fjalimet e tij përsëritej çdo ditë: “…kauza jonë është liria e votes…”.

Ndërkaq, çadra u shkreh dhe kauza e votës së lirë u harrua si të mos kishte qenë kurrë e shqiptuar në atë çadër. Basha mori vetëm një javë kohë më shumë për t’i garantuar zgjedhjet e lira, megjithëse ish’ përbetuar se kurrë nuk do të dilte që andej pa e garantuar votën e lirë.

Çadra u shkreh mesnatën e mbrëmshme para zyrës së kryeministrit Rama, bashkë me dinjitetin e Partisë Demokratike. Çadra ra me nënshkrimin e marrëveshjes së kryetarit të demokratëve me kryeministrin Rama, ku u përfituan disa poste drejtorësh e ministrash që do t’iu zgjasë mandati tre muaj. Pra, kauza e madhe e PD-së për zgjedhje të lira, u katandis në një mandat tre mujor drejtorësh e ministrash që kanë veç një mission këto javë; të kapin ndonjë lek. Përmbajtja e kësaj marrëveshje vërtetoi se zgjedhjet e lira, nuk ishin kauza e asaj çadre. Ata që i dëshirojnë vërtetë zgjedhjet e këtilla nuk u strehuan asnjë çast në atë çadër. Çadra u ngrit për pushtetin e kryetarit të PD-së dhe për të shpëtuar mëkatarët e pushtetit të kësaj partie gjatë qeverisjes.

Deri tani ne dimë që kryetari i PD-së do të ketë aq pushtet në dorë sa të emërojë gjashtë ministra e disa drejtorë dhe këta do të jenë për pak muaj, por nuk e dimë se sa ia ka dalë çadra të japë garanci për amnistinë e korrupsionit të tetë viteve të pushtetit të demokratëve, sepse vetting-u, (nëse ndodh), nuk do të kursejë askënd, ose të paktën kështu duhet të jetë. Ne nuk e dimë se çfarë marrëveshjesh e pasojnë atë të djeshmen dhe sa lidhje kanë këto marrëveshje me procesin e vetting-ut. Ndoshta, ne nuk e dimë marrëveshjen e vërtetë që kanë bërë Rama e Basha në rreth nëntë orët e takimit që patën në dy ditë.

Sa për pushtetin e Bashës, ai duket i kënaqur me çfarë ka përfituar e ndoshta ka marrë premtime edhe për pas 25 qershorit. Komentatorët po paralajmërojnë ndarje të pushtetit mes Bashës e Ramës edhe pas datës 25 qershor. Ka nga ata që po e shohin mundësinë e shmangies së Berishës prej Bashës e gjithashtu largimin e Metës prej Ramës. Edhe mund të ndodhë kjo e dyta, por e para ka pak gjasa.

Këtë verë, Basha do të jetë në provën e rizgjedhjes në postin e kryetarit të PD-së. Pa Berishën s’ka shumë shance për të fituar, sepse Berisha e sundon ende PD-në, krejtësisht. Ndaj dhe Basha e ka të vështirë madje krejt të pamundur ta shmangë Berishën. Me siguri që ka pasur përpjekje prej Ramës për ta shtyrë Bashën në këtë rrugë e ndoshta i ka premtuar edhe ndarje pushteti për katër vitet e ardhshme. Ka gjasa që Basha e ka pranuar dhe këtë do ta shohim ditët në vazhdim, por do të ishte shumë e vështirë për Lulzim Bashën që të kërkojë strehë tek Edi Rama, i cili njihet tashmë si “besëprerë”, i cili të lë me pushkë në faqe, kur nuk i duhesh më.

Do të ishte ndryshe, nëse Lulzim Basha do të ishte sot në krye të Partisë së tij Demokratike, por për fatin e tij të keq politik, është në krye të Partisë Demokratike të Berishës dhe e vetmja strehë për të mbetet ai, Berisha të cilin nuk e shmang dot. Kjo strehë e Bashës është natyrisht edhe një “odë pritje” e hapur në çdo kohë për Ilir Metën. Politika shqiptare është kaq e ngatërruar, një qerthudh nga i cili asnjëri nuk del dot, sepse i kanë këmbët e lidhura nga e shkuara e tyre e korruptuar dhe e inkriminuar.

Çadra duke u çmontuar!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej