Nga Skënder Minxhozi
Shumë shpesh në politikë thuhet ose kërkohet të ndodhë, pikërisht ajo që shpresohet më pak të ndodhë nga ana e autorit të deklaratës. Kjo po ndodh mesa duket edhe këto orë, kur opozita po konsumon një numër të gjerë daljesh publike, në të cilat bën thirrje për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Të kuptohemi, çdo opozitë e një vendi normal është dhe duhet të jetë e gatshme që të shkojë në votime një orë e më parë. Zgjedhjet janë e vetmja rrugëdalje e saj, për të ndryshuar statusin nga pakicë në shumicë parlamentare.
Por kushtet aktuale, më saktë situata e krijuar së fundi nga pllakosja mbi politikën shqiptare, e hijes së rëndë të reformës në drejtësi, ka krijuar një ambjent disi specifik edhe për alternativën e zgjedhjeve të parakohshme. Specifika e momentit zbërthehet jo vetëm në atë që përfaqëson reforma aktuale kushtetuese në drejtësi, për partitë politike, sistemin e drejtësisë dhe të gjithë shoqërinë shqiptare, por edhe tek pasojat elektorale që ajo mbart për secilin nga aktorët garues për pushtetin politike, nëse kthehet papritur në një kalë
betejash zgjedhore.
Në disa deklarata me zë të lartë, nga ato që rëndom i sheh të enjteve në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama ka qenë veçanërisht i ashpër dhe kërcënues, kur ka lidhur mundësinë e dështimit të reformës me atë që ai e ka quajtur “dënim shembullor të zgjedhësve”. E përkthyer nga shqipja e Kuvendit në atë të rrugës, këto fjalë duan të thonë thjesht dhe vetëm që kreu i shumicës kërcënon palën kundërshtare me një fushate elektorale sipas tij ndëshkimore, ndaj atyre që do ta rrëzojnë reformën në drejtësi. Duke llogaritur se ai do të jetë në pozitën e avokatit të reformës dhe kampi opozitar në atë të sabotatorit të saj.
Ka një arsye përse ne kemi sot një reformë në drejtësi. Ashtu siç ka një apo disa arsye përse kjo reformë nuk u krye një dekadë me parë, apo edhe pesë apo gjashtë vjet të shkuara. Ka qenë fryma e ndryshimeve në sistemet e drejtësisë në plan rajonal më së pari, e nxitur nga procesi i afrimit me BE, por edhe shumica e pas vitit 2013, që kanë shtyrë në formësimin e një mase kritike që ka bërë të mundur startimin e reformës aktuale në drejtësi. Këtë nuk mund ta mohojnë sot as vetë demokratët, të cilët në 25 vjet preferuan më mirë të bashkëjetojnë me sistemin e drejtësisë së deformuar, duke u përpjekur ta kontrollojnë atë, më shumë sesa ta reformojnë atë.
Për këto shkaqe, të cilat rrjedhin raportet e shkuara të politikës shqiptare me sistemin e drejtësisë, por edhe nga autorësia e reformës aktuale, do të ishte një gjë e rrezikshme për Bashën dhe opozitarët, që të provokonin një fushatë elektorale jo të fokusuar mbi akuzat mbi qeverisjen e Ramës, por tek reforma e dështuar në drejtësi. Nuk ka gabim më të madh për të djathtën, sesa të hynte në një garë me të majtën, jo për korrupsionin, keqqeverisjen, tenderat e koncesionet, por për draftin e rrëzuar të reformës. Në fakt kjo do të thotë ta shpëtosh me duart qeverinë , nga akuzat dhe kusuret për të cilat ti si opozitë ke luftuar për dy vjet e gjysëm parreshtur. Për pasojë, një palë zgjedhje të parakohshme gjatë vitit 2016 mund të ishin paradoksalisht një ide jo fort e leverdisshme për një opozitë që ka ende nevojë të gjejë energji, ide dhe fytyra të reja për të hedhur në tregun politik, ashtu siç mund të ishte një gomë shpëtimi për qeverinë që pas një viti mund të jetë edhe më e lodhur dhe e konsumuar sesa sot. Për të mos thënë se as LSI nuk do ta dëshironte dinamikën e paparashikueshme që votimet në kushte të tilla mund të krijonin.
/javanews.al/