Sot populli italian voton për kryeministrin e vendit. Qendrat e votimit janë hapur mëngjesin e sotëm në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në 23:00.
Pothuajse 51 milionë italianë do të kenë të drejtë të shkojnë në votime , nga të cilët 4.7 milionë kanë votuar jashtë vendit. 51% janë gra, ndërsa 2.6 milionë të rritur do të votojnë për herë të parë në Senat. Komuna e Rocca de ‘Giorgi, në provincën e Pavias, me 25 votues është organi më i vogël elektoral, ndërsa Roma më i madhi.
Giorgia Meloni e cila drejton partinë e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” synon të bëhet kryeministrja e parë femër. Ajo mbështet sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka zbutur retorikën ndaj Evropës.
Zgjedhjet e parakohshme u nxitën pasi mosmarrëveshjet e brendshme rrëzuan në korrik Qeverinë e Unitetit Kombëtar të ish-kryeministrit Mario Draghi. Kush pritet të dalë fitues?
Sondazhet treguan se një koalicion i qendrës së djathtë i udhëhequr nga partia nacionaliste, Vëllezërit e Italisë, e Giorgia Melonit që përfshinte gjithashtu partinë Liga Veriore të Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit ishin në rrugën e duhur për një fitore të qartë.
Liderja e partisë Vëllezërit e Italisë, Giorgia Meloni, do të ishte zgjidhja më e mundshme për postin e kryeministrit, si kryetare e partisë kryesore të koalicionit. Ka pasur spekulime gjatë mbylljes së sondazheve se Liga Veriore ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa është rritur mbështetja për partinë me prirje të majta, Lëvizja 5-Yje.
Cilat janë çështjet kryesore për votuesit?
Ashtu si në shtetet e tjera evropiane, kriza dhe rritja e kostos së jetesës ka lënë në hije shqetësime të tjera si emigrimi, pensionet dhe shërbimet publike. Aleanca konservatore ka kërkuar uljen e taksave në të gjithë vendin për të ndihmuar italianët të përballen me rritjen e çmimeve, ndërsa PD-ja kërkon që ulja e taksave të përqendrohet drejt shtresave me të ardhura më të ulëta.
Lëvizja 5-Yjet ka përkrahur një skemë për lehtësimin e varfërisë të quajtur “paga e qytetarëve” që ajo e prezantoi derisa ishte pjesë e Qeverisë.
Meloni ka shprehur mbështetjen e saj për politikat perëndimore ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Salvini i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbrojë italianët nga efektet anësore ekonomike të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë mbi agresionin e saj ushtarak ndaj Ukrainës.
Berlusconi shkaktoi polemika të premten teksa mbrojti Putinin, duke thënë se ai ishte “shtyrë” në luftën kundër Ukrainës dhe se donte vetëm të instalonte një qeveri “njerëzish për së mbari” në Kiev.
Sapo të mbyllen qendrat e votimit, mediat më të mëdha të Italisë do të organizojnë një sërë Exit Poll, ku numërimi i votave pritet të përfundojë të hënën në mëngjes.
Cilët janë kandidatët kryesorë?
Meloni, 45 vjeç, një ish-ministre e Rinisë, i ka dhënë vitalitet partisë së saj, e cila ka rrënjë post-fashiste dhe pritet që të marrë 25 për qind të votave, krahasuar me 4 për qind që kishte marrë në zgjedhjet e fundit në vitin 2018.
Salvini, 49 vjeç, një ish-ministër i Brendshëm, i cili mban një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit, por që ka bërë një sërë gabimesh politike gjatë tre vjetëve të fundit dhe është eklipsuar nga Meloni.
Berlusconi, 85 vjeç, një ish-kryeministër që ka arritur të mposhtë shëndetin e lig dhe skandalet e shumta duke mbetur një lojtar kryesor në aleancën e djathtë, edhe pse tashmë Forza Italia e tij është partneri më i vogël mes tri partive kryesore të saj.
Enrico Letta, 56 vjeç. Kreu i Partisë Demokratike dhe një tjetër ish-kryeministër. Dështimi i tij për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm të partive të qendrës së majtë bëri që ai të përballej me një disfatë politike.
Giuseppe Conte, 58 vjeç, udhëheqës i Lëvizjes 5-Yjet. Si kryeministër gjatë periudhës 2018-21, ai shkaktoi zemërim kur partia e tij tërhoqi në korrik mbështetjen ndaj Qeverisë së Draghit, duke nxitur përçarje që çuan në zgjedhje të parakohshme.