Shqiptarët duket se kanë zhvendosur aktivitetin e kultivimit të kanabisit në Itali. Mediat italiane raportuan mëngjesin e ditës së sotme finalizimin e një operacioni ku ranë në pranga 11 persona nga të cilët 6 janë shqiptarë.
Lidhur me ngjarjen bëhet me dije se ata akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të drogës si dhe armëmbajtje pa leje.
Nga hetimet u zbulua se grupet kriminale kanë zhvendosur prodhimin e drogës nga Shqipëria në provincat e Barit dhe Foggia-s.
Në operacion u sekuestruan dy plantacione në serra brenda të cilave kishte mbi 8000 bimë marijuanë.
Hetimet dokumentuan shpërndarjen në zonat Foggiano dhe Brindisi dhe transportin nëpërmjet korrierëve shqiptarë. Arrestimet u kryen në Pulia dhe Lombardi.