Nga Mero Baze
Përpjekja për të përdorur për herë të dytë Komisionin e Venecias kundër reformës në drejtësi, këtë radhë nuk funksionon. Nëse herën e parë, opozita gjeti disa varka shpëtimi veneciane, këtë radhë i ka kursyer. Komentet e ardhura nga Komisioni i Venecias mbështesin draftin e hartuar dhe nuk lënë vend vend për të rrëzuar reformën për arsye parimore, por vetëm për interesa politike.
Deri më sot alibia e opozitës ishte mbështetur tek dy pika kryesore, miratimi me dy të tretat dhe mandati i kryeprokurorit. Të dyja pikave, Venecia u ka dhënë zgjidhje.
Siç e shkruan Komisioni i Venecias, “dëshira e opozitës për 2/3-at është e kuptueshme, sepse kjo mund ta shtyjë shumicën në fuqi për kompromis. Megjithatë, Komisioni i Venecias thekson se paragrafi 55 i Opinionit të Ndërmjetëm nuk rekomandonte shumicën prej 2/3-tash. … Në fakt, edhe shumica prej 2/3-ash, për të cilën këmbëngul opozita, mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur këtë qëllim, siç e tregon shembulli i Hungarisë, i paraqitur në paragrafin 55. Për më tepër, kërkesa për 2/3-at pa një mekanizëm të efektshëm zhbllokues mund të rezultojë në një situatë ngërçi dhe të rrezikojë të gjithë procesin e reformës.”
Ky vlerësim i Venecias i jep fund këtij debati dhe i hap rrugë zgjidhjes së ofruar nga Komisioni i Reformës, ose ndonjë formule teknike, por që nuk na çon sërish në pazar politik, për të zgjedhurit.
Edhe çështja e mandatit të kryeprokurorit thuajse ka marrë zgjidhje, pasi ai e përfundon mandatin afërsisht në kohën që do të duhet të ngrihen strukurat e parapara në zbatim të reformës.
Kështu që, në këtë pikë lavdërimet se kujt i dha të drejtë Venecia, nuk kanë më as rëndësi, dhe as peshë. Tani ka rëndësi vetëm fakti se si do të miratohet drafti i Venecias.
Ajo që po përpiqet të bëjë Partia Demokratike, është këmbngulja e saj për të zhbërë sërish procesin dhe për ta çuar debatin në tryezë politike, ku të bëhet pazar për strukturat, dhe ku ka shanse të krijohet konflikt për t’i ikur votimit. Të gjitha deklaratat e sotme të PD, synojnë të përdorin Komisionin e Venecias, kundër Venecias, duke theksuar se tani duhet të ulemi në tryezë politike, për të diskutuar çfarë duhet të bëjmë.
Në fakt, tani e vetmja gjë që duhet bërë dhe i vetmi debat politik që duhet zhvilluar, është ai në Komisionin e Ligjeve, ku Komisioni i Posaçëm duhet të paraqesë draftin e plotësuar dhe të çertifikuar nga dy ndihmësit e këtij procesi, Euralius dhe OPDATE dhe të kalohet në seancë plenare. Debatet e tjera për të përdorur Venecian kundër Venecias, duhet të marrin fund. Nëse janë gëzuar vërtet nga Venecia, të shkojnë me këtë gëzim në Komision dhe të miratojnë reformën. Nuk ka asnjë varkë shpëtimi të cilës mund t’ia hipin për t’i ikur kësaj përballje. Dhe kjo reflektohet tek fjalori i Lulzim Bashës dhe Berishëve të tjerë, që nuk di pse u është mbushur mendja të kërcënojnë me vitin 1997, a thua se atëhere dolën fitimtarë. Njëri iku me lekët e Vebiut në Hollandë, e tjetri me lekët e Sudes në shtëpi.
/gazetatema.net/